Akalazia


Çfarë është akalazia?

Akalazia është një sëmundje e rrallë e muskujve të ezofagut (tubit të gëlltitjes). Termi akalazi do të thotë "pamundësi relaksimi" dhe i referohet paaftësisë së sfinkterit të poshtëm ezofageal (muskulit unazor i cili ndodhet midis sfinkterit të poshtëm dhe stomakut), që të hapet dhe të lejojë kalimin e ushqimeve në stomak. Prandaj pacientët me akalazi kanë vështirësi në gëlltitjen e ushqimeve.

Si funksionon normalisht ezofagu?

Ezofagu ka tri pjesë funksionale. Pjesa më e fuqishme është sfinkteri i sipërm ezofageal, i përbërë nga muskuj unazorë të cilët formojnë fundin e sipërm të tubit të ezofagut dhe ndajnë ezofagun nga fyti. Në të shumtën e kohës, sfinkteri i sipërm qëndron i mbyllur duke mos lejuar kalimin e ushqimeve nga ezofagu në fyt. Pjesa kryesore e ezofagut është trupi i ezofagut, një tub muskulor me gjatësi rreth 20 cm. Pjesa e tretë funksionale e ezofagut është sfinkteri i poshtëm ezofageal, i përbëre nga muskuj unazorë të pozicionuar në vendbashkimin e ezofagut me stomakun.

Ashtu si sfinkteri i sipërm, edhe sfinkteri i poshtëm qëndron i mbyllur në pjesën më të madhe të kohës duke mos lejuar kthimin e ushqimeve dhe lëngjeve acide nga stomaku në ezofag. Sfinkteri i sipërm i ezofagut hapet gjatë gëlltitjes duke lejuar kalimin e ushqimeve dhe pështymës nga fyti drejt ezofagut. Më pas sfinkteri i sipërm kontraktohet duke shtyrë ushqimin dhe pështymën në trupin e ezofagut. Muskujt unazorë kontraktohen në mënyrë progresive duke shtyrë ushqimin dhe pështymën nga trupi i ezofagut në drejtim të stomakut. Në kohën kur vala e peristaltikës mbërrin sfikterin e poshtëm ezofageal, ky i fundit hapet duke lejuar kalimin e ushqimit në stomak.

Si diagnostikohet akalazia?

Shpesh diagnoza e akalazisë dyshohet në bazë të historisë së sëmundjes. Zakonisht pacientët përshkruajnë probleme të tilla si disfagi (vështirësi në gëlltitje për ushqimet e forta dhe të lëngshme), që vjen duke u përkeqësuar dhe zgjat me muaj apo vite. Shenja të tjera mund të jenë kthimi i lëngjeve dhe ushqimeve në gojë (regurgitim), dhimbje kraharori ose humbje në peshë.

Në raste të rralla simptoma (shenja), e parë është pneumonia aspirative (që ndodh për shkak të kthimit të lëngjeve të stomakut në rrugët e frymarrjes). Ndodh që pacientët mësohen me vështirësinë në gëlltitje, ushqehen me kafshata të vogla, përtypin mirë ushqimet, hanë ngadalë, pra marrin vetë disa masa praktike për të përballuar gjendjen në të cilën ndodhen. Këto masa praktike çojnë në diagnostikim të vonuar të akalazisë, me muaj ose vite. Fatkeqësisht, diagnostikimi i vonuar i akalazisë nuk lejon që pacientët të trajtohen herët dhe të mënjanohen komplikimet e mëtejshme të akalazisë.

Vështirësia në gëlltitje (disfagia), prej akalazisë është e ndryshme nga vështirësia në gëlltitje për shkak të strikturës ezofageale (ngushtim i ezofagut prej indit cikatricial). Në akalazi disfagia ndodh si me ushqimet e lëngshme edhe me ato të forta, ndërsa në strukturën ezofageale dhe kancerin ezofageal, disfagia ndodh vetëm me ushqimet e forta dhe më vonë me ushqimet e lëngëta.

Studimi me rreze X

Diagnoza e akalazisë vendoset zakonisht me rreze X, me anë të një ekzaminimi që quhet skopi ezofagu me kontrast, pasi pacienti ka gëlltitur tretësirë sulfati bariumi. Tretësira e sulfatit të bariumit imiton ushqimin që kalon nga ezofagu në stomak. Gjatë kësaj kohe mbahet nën mbikëqyrje rruga që bën tretësira e sulfatit të bariumit nën rrezet X. Në akalazi skopia tregon zgjerim të pjesës së mesme të ezofagut dhe ngushtim karakteristik të pjesës së poshtme të ezofagut e cila shpesh duket si "sqepi i zogut". Për më tepër, kontrasti i sulfatit të bariumit mbetet në ezofag për një kohë të gjatë pasi tretësira kalon në stomak.

Manometria ezofageale.

Manometria ezofageale është një test tjetër që tregon specifikisht anomali të funksionit të muskujve. Kjo anomali është pamundësia e muskujve ezofagealë të pjesës së trupit të ezofagut për tu kontraktuar gjatë gëlltitjes dhe pamundësia e muskujve të sfikterit të poshtëm për tu relaksuar, që është karakteristike në akalazi. Për të kryer testin e manometrisë futet nga hunda një tub i hollë që mat presionin gjatë kontraktimit të muskujve të ezofagut, i cili kalon në fyt dhe gëlltitet deri në ezofag. Në pacientët me akalazi nuk është e pranishme vala e peristaltikës në gjysmën e poshtme të ezofagut gjatë gëlltitjes dhe presioni gjatë kontraksioneve të sfinkterit të poshtëm ezofagealë nuk bie. Në pacientët me akalazi të theksuar, në pjesën e poshtme të trupit të ezofagut mund të shihet një tkurrje e fortë e menjëhershme. Avantazhi i manometrisë është se ajo bën të mundur diagnostikimin e akalazisë në fazat e hershme, ndonëse ekzaminimi me rreze X mund të dalë normal.

Endoskopia

Endoskopia është gjithashtu ekzaminim shumë ndihmues në diagnostikim, ndonëse në fazat e hershme të akalazisë ajo mund të japë rezultate normale. Një nga fazat e hershme të akalazisë që identifikohen me endoskopi, është rezistenca që skopia has gjatë kalimit nga ezofagu për në stomak për shkak të presionit të lartë në sfinkterin e poshtëm ezofageal. Më vonë, endoskopia mund të tregojë zgjerim të ezofagut dhe mungesë të peristaltikës. Endoskopia është gjithashtu e rëndësishme për të përjashtuar kancerin ezofageal ose shkaqet e tjera të disfagisë. Dy situata mund të imitojnë akalazinë: kanceri i ezofagut dhe sëmundja Chagas e ezofagut. Sëmundja Chagas është infeksion i shkaktuar nga një parazit që quhet Trypanosoma cruzi . Infeksioni transmetohet tek njerëzit nëpërmjet insekteve pickuese. Pasi paraziti hyn në trup, vendoset fillimisht në muskujt e traktit tretës nga ezofagu deri në rektum. Ky parazit mund të prekë edhe muskujt e zemrës. Në traktin tretës paraziti shkakton degjenerim të nervave që kontrollojnë muskujt duke çuar në funksionim anormal të të gjithë traktit tretës. Kur prek ezofagun, anomalitë janë identike me ato të akalazisë.

Si trajtohet akalazia?

Trajtimi i akalazisë përfshin: medikamente orale (nga goja); zgjerim të sfinkterit te poshtëm ezofageal (dilatacion); kirurgji për prerjen e sfinkterit (procedurë e quajtur ezofagomiotomi); dhe injektim i botilium toxin (botoksit) në sfinkter. Të gjitha këto trajtime reduktojnë presionin në sfinkterin e poshtëm ezofageal duke lejuar lehtësisht kalimin e ushqimeve nga ezofagu në stomak.

Mjekimi oral

Medikamentet orale që ndihmojnë në relaksimin e sfinkterit të poshtëm, quhen nitrate dhe kalcibllokues. Edhe pse disa pacientë që marrin medikamente orale lehtësohen nga simptomat, shpeshherë medikamentet nuk funksionojnë. Medikamentet orale qetësojnë situatën vetëm për një kohë të shkurtër dhe shpeshherë pacientet përjetojnë shumë efekte anësore nga përdorimi i tyre.

Dilatacioni (zgjerimi)

Sfinkteri i poshtëm ezofageal mund të trajtohet edhe me zgjerim të sforcuar. Dilatacioni realizohet nëpërmjet gëlltitjes nga pacienti të një tubi që në fundin e tij ka një ballon. Balloni vendoset midis sfinkterit të poshtëm nën drejtimin e rrezeve X. Në momentin që vendoset në vendin e duhur, balloni fryhet menjëherë. Qëllimi i ballonit është të zgjerojë sfinkterin. Kjo procedurë ka rezultuar me sukses në rreth 60-95% të aplikimeve. Në qoftë se dilatacioni nuk është i suksesshëm, atëherë sfinkteri mund të lirohet me kirurgji. Komplikacioni kryesor i dilatacionit të sforcuar është çarja e ezofagut (ruptura), e cila ndodh në 5% të rasteve. Gjysma e rasteve të rupturave shërohet pa kirurgji, por ka nevojë për trajtim me antibiotikë, ndërsa pjesa tjetër ka nevojë për kirurgji. Vdekja prej dilatacionit të sforcuar është e rrallë. Dilatacioni është një procedurë e shpejtë, jo e kushtueshme në krahasim me kirurgjinë dhe nuk kërkon hospitalizim të gjatë të pacientit.

Ezofagomiotomia

Sfinkteri mund të pritet me kirurgji, procedurë e cila quhet ezofagomiotomia. Kirurgjia mund të kryhet me anë të një incizioni të vogël në bark që ndryshe quhet laparaskopi. Një alternativë tjetër është ndërhyrja nëpërmjet një çarjeje të madhe në bark, procedurë që quhet laparatomi. Ezofagomiotomia është më e suksesshme se dilatacioni i sforcuar. Por në disa raste pacientët mund të bëjnë përsëri disfagi. Ezofagomitomia nuk garanton kurim të përhershëm. Një nga efektet anësore prej uljes së presionit të sfinkterit, është refluksi gastro-ezofageal. Për këtë arsye, pacientët që kanë bërë ezofagomitomi mund të kenë nevojë të trajtohen me antiacide për një kohë të gjatë.

Injeksioni me botoks

Një tjetër trajtim i akalazisë është injektimi i botoksit në sfinkterin e poshtëm për ta dobësuar atë. Injeksioni është procedurë e shpejtë, jo kirugjikale dhe që nuk kërkon hospitalizim. Trajtimi me botoks është i sigurtë, por efekti në sfinkterin e poshtëm zgjat për pak muaj dhe mund të lindë nevoja për injektime të tjera. Injektimi me botoks është procedurë e përshtatshme për pacientët e moshuar dhe ata për të cilët kirurgja përbën rrezik të lartë, si p.sh. ata që kanë sëmundje të rënda zemre ose të mushkërisë. Kjo procedurë mund të përdoret tek pacientët që kanë humbur peshë për shkak te kequshqyerjes, për të përmirësuar gjendjen e tyre dhe për t’i bërë gati për kryerjen e kirurgjisë. Një gjë e tillë mund të pakësoje komplikacionet e kirurgjisë.

Akalazia në një vështrim

• Akalazia është një sëmundje e rrallë e muskujve të pjesës së poshtme të trupit të ezofagut dhe e sfinkterit të poshtëm ezofageal.
• Shkaku i akalazisë është i panjohur, megjithatë dihet që ka lidhje me degjenerimin e funksionit të muskujve, ose me saktë të nervave që kontrollojnë muskujt.
• Simptomat më të shpeshta të akalzisë janë disfagi (vështirësi në gëlltitje), dhimbje në kraharor dhe regurgitim (kthim) të ushqimeve të ngurta dhe të lëngëta.
• Komplikacionet e akalazisë janë problemet e mushkërive dhe humbja në peshë.
• Akalazia mund të shtojë rrezikun për kancer të ezofagut, megjithëse kjo lidhje nuk është shpjeguar mirë ende.
• Akalazia mund të diagnostikohet me rreze X, endoskopi ose manometri ezofageale.
• Trajtimi për akalazinë përfshin: medikamentet nga goja; dilatacionin (zgjerimin e ezofagut); kirurgjinë dhe injektimin e botoksit direkt në ezofag.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!