Gastritet

Çfarë është gastriti?

Gastriti është inflamacion (pezmatim), i mukozës së stomakut. Fatkeqësisht termi “gastrit” është keqpërdorur duke përfshirë nje sërë ankesash në lidhje me problemet e pjesës së sipërme të barkut. Në të vërtetë, termi gastrit i referohet pezmatimit të mukozës së stomakut. Në këtë fenomen mund të përfshihet gjithë mukoza gastrike ose një pjesë e saj.

Gastriti mund të klasifikohet në akut (i menjëhershëm), ose kronik. Gastriti akut mund të karakterizohet si eroziv (demtime të zonës ku kemi grryerje), ose joeroziv. Gastriti kronik vendoset histologjikisht (pamja e mukozës gastrike nw mikroskop). Gastriti krijohet për disa shkaqe, por shumë prej tyre rezultojnë në simptoma të njëjta. Ky fakt ka çuar në konfuzion dhe ja përse disa mjekë tani e konsiderojnë termin “gastrit” si një përshkrim jospecifik të një grupi ankesash dhe simptomash.

Çfarë e shkakton gastritin?
Shkaku kryesor i të dy llojeve të gastritit (akut dhe/apo kronik) është infeksioni i mukozës gastrike prej një bakteri të quajtur Helikobakter Pilori. Zakonisht ky bakter fillimisht infekton në mënyrë akute (të menjëhershme) regionin antral të stomakut (pjesë e stomakut ku nuk ka prodhim të acidit gastrik), dhe më pas infeksioni mund të zhvillohet në shumë pjesë ose në gjithë stomakun me kalimin e kohës (gastrit kronik) dhe qëndron në stomak me vite. Ky infeksion fillimisht paraqitet si një pergjigje inflamatore e fortë dhe me kalimin e kohës në inflamacion kronik duke shkaktuar disa ndryshime në qelizat intenstinale.

Shkak tjetër i rëndësishëm i gastritit akut dhe kronik është përdorimi i anti-inflamatorëve josteroid (NSAIDs) ku bëjnë pjesë: ibuprofeni, naproxeni etj

Shkaqe te tjera të gastritit janë si më poshtë:

Infeksionet bakteriale, virale dhe ato parazitare;
Drogat (kokaina);
Alkooli;
Refluksi biliar (kthim i vrerit në stomak);
Infeksionet mykotike;
Reaksionet alergjike;
Stresi;
Radiacioni;
Helmimet nga disa ushqime të caktuara;
Trauma

Ne përgjithësi, agjentët infektues, në veçanti Helicobacter Pylori dhe anti-inflamatorët josterioid janë shkaktarët kryesorë të gastritit.

Cilat janë shenjat e gastritit?
Çuditërisht në disa pacientë, shpesh gastriti nuk shkakton shenja dhe diagnostikohet vetëm kur merret biopsi në stomak, kur dyshohet për sëmundje të tjera të stomakut. Megjithatë, kur gastriti shkakton problem, shenjat janë:

Dhimbje abdominale, djegie e qëndrueshme ose me periudha, dhimbje shtrënguese ose shpuese;
Nauzea, të vjella;
Diarre;
Humbje oreksi;
Gazra;
Gromesira;

Të gjitha këto shenja përfshihen në një fjalë të vetme"dispepsi"

Si diagnostikohet gastriti?
Gastriti është diagnostikuar duke gjykuar simptomat dhe historinë e pacientit, historinë e mjekimeve të mëparëshme për gastrit, konsumimin e alkoolit dhe pwrdorimin e anti-inflamatorëve josterioid. Përfundimisht diagnoza vendoset duke identifikuar mukozën e inflamuar të stomakut me biopsy (ku shikohet me mikroskop). Shkaktari më i shpeshtë i gastritit është helicobacter pylori. Ky bakter mund të identifikohet nëpërmjet testit të frymës, gjakut, feçeve dhe testit serologjik. Ekzaminimi endoskopik dhe biopsia janë ekzaminime që ndihmojnë në gjetjen e shkaktarëve të gastritit kronik, erozioneve dhe ulçerave të stomakut.

Mjekimi i gastritit
Trajtimi i shkaktarëve të gastritit është mënyra më efektive për të reduktuar ose zhdukur fare simptomat. Pwr shembull në qoftë se shkaku i gastritit është helicobacter pylori, atëherë bëhet trajtimi për çrrënjosjen e tij. Në qoftë se shaktarë të gastritit janë anti-inflamatorët josteroidë, ndalimi i tyre mund të rezultojë efektiv. Pjesa tjetër e trajtimit konsiston në dhënien e antiacideve që reduktojnë prodhimin e acidit gastrik.

Cilat janë komplikimet e gastritit? Komplikimet e gastritit mund të ndodhin me kalimin e kohës, veçanërisht në qoftë se gastriti bëhet kronik ose mbetet i pamjekuar. Komplikimet mund të përfshijnë: ulçer peptike, ulçer hemorragjike, anemi, kancer të stomakut, MALT limfoma dhe strikturë (ngushtim) të lumenit të stomakut, dehidrim, probleme renale madje deri në vdekje.

Ecuria e gastritit
Shenjat tek disa njerëz me gastrit janë të pakta ose zgjasin për një periudhë të shkurtër dhe shërohen krejtësisht. Ata persona të cilëve gastriti u vjen si pasojë e disa shkaktarëve të caktuar, shërohen pasi mjekohen këta shkaktarë. Ecuria e pacientëve me sëmundje kronike dhe e atyreve që kanë pasur komplikime të situatës deri në ulçer hemorragjike, obstruksion (bllokim) dhe kancer, është më e kontrolluar.

Si parandalohet gastriti?
Nëse shkaku i pezmatimit të mukozës së stomakut është i parandalueshëm atëherë gastriti mund të parandalohet. Për shembull, nëse konsumimi i alkoolit ose përdorimi i anti inflamatorëve josteroid në disa persona shkaktojnë gastrit, parandalimi arrihet me ndalimin e konsumimit të tyre. Mund të jetë më vështirë të parandolohen disa shkaqe infektive, por një higjenë e duhur, larja e duarve dhe konsumimi i ushqimeve e pijeve të pastruara në mënyrë rigoroze, janë mënyra të shëndetshme për të ulur riskun ndaj infektimit prej agjentëve shkaktarë të gastritit.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!