Gazrat në traktin tretës

Çdo njeri ka gazra dhe i eliminon ato duke gromësirë ose nëpërmjet rektumit. Mirëpo, disa njerëz mendojnë se kanë shumë gazra kur realisht ata kanë sasi normale të tyre. Shumica e njerëzve prodhojnë 1.89 litra dhe kanë 14 herë gazra në ditë.

Gazi është i përbërë kryesisht prej avujve pa erë të dioksidit të karbonit, oksigjenit, azotit, hidrogjenit dhe ndonjëherë edhe të metanit. Era e pakëndshme e tyre vjen prej baktereve që ndodhen në zorrën e trashë të cilat çlirojnë sasi të konsiderueshme gazi që përmban sulfur.

Çfarë i shkakton gazrat?

Gazi në traktin tretës (ezofag, stomak, zorrë të holla dhe zorrë të trashë), vjen nga dy burime:
- gëlltitja e ajrit
- shpërbërja normale e disa ushqimeve të patretura prej florës bakteriale normale në zorrën e trashë.
Gëlltitja e ajrit (aerofagjia), është një shkak i shpeshtë i gazrave në stomak. Çdo njeri gëlltit një sasi ajri gjatë konsumimit të ushqimeve dhe ujit. Megjithatë ngrënia e ushqimeve dhe pirja e ujit shpejt, përtypja e çamçakëzëve, pirja e duhanit apo proteza dhëmbësh të lirshme mund të shkaktojnë gëlltitje ajri.
Gromësira është mënyra më shpeshtë kur ajri i gëlltitur i cili përmban azot, oksigjen dhe dioksid karboni, çlirohet nga stomaku. Gazi i mbetur lëviz drejt zorrës së trashë ku absorbohet (përthithet) pjesërisht ndërsa pjesa tjetër çlirohet nëpërmjet rektumit. Stomaku gjithashtu çliron dioksid karboni kur lëngjet acide të stomakut bashkohen me bicarbonate (që janë baza), ndërsa një pjesë e madhe e dioksidit të karbonit përthithet në qarkullimin e gjakut dhe nuk kalon në zorrën e trashë.

Shpërbërja e ushqimeve te patretshme

Trupi ynë nuk i tret, por i përthith disa karbohidrate si (sheqerin, niseshtenë dhe fibrat që gjenden në disa ushqime) në zorrët e holla për shkak të pamjaftueshmërisë apo mungesës së disa enzimave.
Këto ushqime të patretshme kalojnë nga zorrët e holla në zorrën e trashë ku flora bakteriale normale i shpërbën ato duke prodhuar hidrogjen, dioksid karboni dhe në 1/3 e personave metan. Përfundimisht gazrat e prodhuara çlirohen nga rektumi.
Njerëzit që prodhojnë metan nuk është e thënë të kenë shumë gazra apo shenja të veçanta. Këta njerëz mund të kenë feçe (mbeturina ushqimore), të cilat notojnë në ujë. Kërkimet nuk kanë treguar pse disa njerëz prodhojnë metan dhe disa jo.
Ushqimet që prodhojnë gazra tek një person mund të mos prodhojnë tek një tjetër. Disa bakterie normale të zorrës së trashë mund të shkatërrojnë hidrogjenin që disa baktere të tjera e prodhojnë. Balancimi i dy llojeve të baktereve mund të shpjegojë pse disa njerëz kanë më shumë gazra se të tjerët.

Cilat ushqime shkaktojnë gazra?

Shumica e ushqimeve që përmbajnë karbohidrate mund të shkaktojnë gazra. Në kontrast, yndyrat dhe proteinat shkaktojnë më pak gazra.
Sheqernat që shkaktojnë gazra janë:
Trisaharidet që janë kompleks sheqernash dhe gjenden tek fasulet në sasi të madhe. Në sasi më të vogla gjendet tek lakrat, lakëra e Brukseli, brokoli, asparagu, perimet dhe te të gjitha drithërat.
Laktoza e cila është sheqeri normal i qumështit. Gjithashtu gjendet tek produktet e qumështit të cilat janë të gjithë llojet e djathërave, akulloret, në të gjitha ushqimet e përpunuara siç janë buka, cerealet dhe salcat për sallatë. Disa njerëz, për shembull, afrikanët, amerikanët dhe aziatikët kanë vlera më të ulëta se normalja të enzimës që tret laktozin gjatë fëmijërisë së tyre e cila rritet më vonë për tu ulur përsëri në moshën madhore (pleqëri). Si rezultat, këta njerëz kanë sasi të shtuar gazrash pasi kanë konsumuar ushqime që përmbajnë laktozë.
Fruktoza e cila gjendet tek qepët, dardha dhe gruri. Ajo gjithashtu përdoret si ëmbëltues tek aperitivët dhe lëngjet e frutave.
Sorbitoli i cili normalisht gjendet tek frutat, ku përfshihen mollët, dardhat, pjeshkat dhe kumbullat e freskëta dhe të thata. Gjithashtu përdoret si ëmbëltues artificial në disa ushqime dietike, ëmbëlsira pa sheqer dhe në çamçakëz.
Niseshteja e cila gjendet tek patatet, misri, gruri dhe makaronat të cilat prodhojnë gazra pasi shpërbëhen nga flora bakteriale normale e zorrës së trashë.
Fibrat Disa ushqime përmbajnë fibra të tretshme dhe të patretshme. Fibrat e tretshme shpërbëhen lehtësisht në ujë duke u kthyer në masë të rrëshqitshme si xhel në zorrë. Gjenden në krundet e tërshërës ,fasulet, bizelet dhe në shumicën e frutave. Këto lloje fibrash nuk shpërbëhen pa arritur në zorrën e trashë prandaj dhe prodhojnë gazra.
Fibrat e patretshme nga ana tjetër kalojnë të pandryshuara në zorrë dhe prodhojnë sasi të vogla gazi. Krundet e grurit dhe disa perime përmbajnë këto lloje fibrash.

Cilat janë shenjat dhe problemet e gazrave?

Shenjat më të shpeshta të gazrave janë çlirimi i gazrave prej rektumit (zorrës së trashë), dhimbje barku, fryrje barku dhe gromësira. Gjithsesi jo çdo njeri i përjeton këto shenja. Faktorët përcaktues mund të jenë sasia e gazrave që trupi prodhon, sasia e acideve yndyrore që trupi përthith dhe ndjeshmëria e personit ndaj gazrave në zorrën e trashë.

Gromësira e rastit gjatë ose pas një vakti është normale dhe çlirohet gaz kur stomaku është plot me ushqim. Megjithatë, njerëzit që gromësijnë vazhdimisht mund të kenë gëlltitur shumë ajër dhe e çlirojnë atë përpara se ai të hyjë në stomak.

Ndonjëherë një person me gromësira të shumta mund të ketë çrregullime të traktit të sipërm tretës (stomakut), siç janë sëmundja e ulçerave peptike, urthi (refluks gastro-ezofageal) dhe gastroparezë (dobësim i muskujve të stomakut si rezultat i uljes së peristaltikës së stomakut). Ka raste kur njerëzit mendojnë se duke çliruar gazin e gëlltitur mund të qetësohen nga këto çrregullime dhe ky person me qëllim apo pa qëllim mund të krijojë zakonin e gromësirës për tu lehtësuar.

Sindromi i fryrjes nga gazrat mund të ndodhë pas kirurgjisë për të korrigjuar problemet prej refluksit gastro-esofageal (fundoplication). Gjatë këtij operacioni krijohet një valvul njëkalimëshe e cila lejon ushqimet dhe gazrat të kalojnë në stomak ndonëse shpesh ndalon gromësirat normale dhe aftësinë për të vjellë. Kjo ndodh në 10% të njerëzve që i nënshtrohen këtij operacioni. Megjithatë kjo gjendje mund të përmirësohet me kalimin e kohës.

Çlirimi i gazrave prej rektumit (zorrës së trashë)

Një tjetër ankesë e zakonshme është kalimi i sasisë së tepruar të gazrave prej rektumit. Njerëzit nuk e kuptojnë se çlirimi normal i gazrave prej rektumit është 14-23 herë. Gazra të tepërt mund të vijnë edhe prej keqpërthithjes së karbohidrateve.
Fryerje barku. Shumë njerëz mendojnë se të pasurit shumë gazra shkakton fryrje barku. Megjithatë, njerëzit që ankohen për fryerje prej gazrave shpesh kanë sasi dhe shpërndarje normale të gazit. Zakonisht ata mund të bëhen të vetëdijshëm për sasinë e gazit në traktin tretës.
Doktorët mendojnë që fryrja zakonisht vjen si rrezultat i ndonjë çrregullimi siç është sindromi i zorrës së irrituar. Shkaku i sindromit të zorrës së irrituar është i panjohur, por mund të ndodhin lëvizje dhe kontraktime jonormale të muskujve të zorrës duke rritur ndjeshmërinë ndaj dhimbjeve në zorrë. Ky çrregullim mund të japë ndjesinë e fryrjes për shkak të rritjes së ndjeshmërisë ndaj gazrave.
Një sëmundje tjetër e cila mund të japë fryrje barku është sëmundja inflamatore e zorrës dhe obstruksionet (bllokimet), siç janë sëmundja Crohn, kanceri i zorrës së trashë. Për më tepër, personat që i janë nënshtruar disa operacioneve si aderencat (ngjitja e indeve) ose hernia e brendshme, mund të kenë si rrezultat dhimbje dhe fryrje barku.
Përfundimisht konsumimi ushqimeve me shumë yndyra mund të vonojë tretjen në stomak duke shkaktuar fryrje dhe ndenjë parehatie por jo domosdoshmërisht shumë gazra.
Dhimbje barku dhe parehati. Disa njerëz kanë dhimbje kur gazi është prezent në zorrë. Kur dhimbja është në anën e majte të zorrës së trashë mund të ngatërrohet me sëmundje të zemrës. Kur dhimbja është në anën e djathtë të zorrës së trashë mund të imitojë dhimbjet nga gurët në fshikëzën e tëmthit apo të apendicitit.

Cilat teste diagnostikuese përdoren?

Meqënëse gazrat vijnë si rrezultat i çrregullimeve serioze është shumë e rëndësishme të gjendet shkaku. Doktori zakonisht fillon me vlerësimin e dietës dhe shenjat. Ai mund t'i kërkojë pacientit të mbajë një ditar të ushqimeve dhe pijeve që konsumon për një periudhë të caktuar kohe.
Në qoftë se dyshohet se gazrat vijnë prej insufiçiencës së laktozës doktori mund t'ju këshillojë të shmangni qumështin dhe produktet e tij për një kohë të caktuar. Testet laboratorike të gjakut dhe frymës mund të bëhen për të vërtetuar intolerancën ndaj laktozës.
Veç kësaj, për të përcaktuar nëse një person prodhon sasi të shumta gazi në zorrë apo zakonisht është i ndjeshëm ndaj volumit normal të gazit, doktori mund t’i kërkojë pacientin të numëroje gjatë ditës çlirimin e gazrave duke mbajtur një ditar për to.
Rishikimi i kujdesshëm i dietës dhe sasisë së gazit të çliruar mund të ndihmojnë për të bërë lidhjen me ndonjë ushqim specifik dhe për të përcaktuar ashpërsinë e problemit.
Për shkak se shenjat që mund të ketë një person janë të varjueshme doktori mund të kërkojë të bëni teste të tjera plotësuese dhe diagnostikuese në varësi të shenjave dhe faktorëve të tjerë.

Si trajtohen gazrat?

Eksperienca ka treguar se mënyrat më të shpeshta për të pakësuar shqetësimet dhe gazrat janë ndryshimet në dietë, marrja e disa ilaçeve dhe pakësimi i sasisë së ajrit të gëlltitur.
Dieta. Doktori mund t'u këshillojë pacientëve të konsumojnë sa më pak ushqime që prodhojnë gazra. Megjithatë, për shumë njerëz kjo do të thotë të evitojnë nga dieta e tyre ushqime të shëndetshme siç janë: frutat, perimet, të gjithë drithërat, qumështin dhe nënproduktet e tij.

Doktori gjithashtu mund të sugjerojë kufizimin e ushqimeve me yndyra të larta për të pakësuar fryrjen dhe shqetësimet e barkut. Kjo ndihmon stomakun të zbrazet lehtë duke lejuar gazrat të lëvizin drejt zorrëve të holla.

Fatkeqësisht sasia e gazrave të prodhuar prej disa ushqimeve varion nga një person tek tjetri.

Ilaçet që nuk kanë nevojë për përshkrim nga mjeku janë në dispozicion për pacientet për të pakësuar shenjat ku përfshihen antiacidet dhe simetikoni.

Enzima tretëse, siç është laktaza shtesë, mund të ndihmojë në tretjen e karbohidrateve duke i lejuar njerëzit të konsumojnë ushqim normal pa shkaktuar gazra.

Antiacidet ndihmojnë duke u bashkuar me flluskat e gazrave duke i bërë më të lehtë për tu gromësirë. Gjithsesi, këto medikamente nuk kanë efekt mbi gazrat që ndodhen në zorrë. Doza e antiacideve është në varësi te medikamentit që përdoret dhe moshës se pacientit.

Ilaçet që përshkruhen nga mjeku mund të ndihmojnë në pakësimin e shenjave tek personat që vuajnë nga çrregullime te traktit tretës, siç është sindromi i zorrës së irrituar.

Pakësimi i gëlltitjes së ajrit

Për ata që kanë gromësira të shpeshta, doktori mund të sugjerojë pakësimin e sasisë së ajrit që gëlltisin. Rekomandimet janë: shmangia e çamçakëzëve dhe e të ngrënit shpejt, shmangia e ngrënies së ëmbëlsirave të rënda dhe e të pirit ujë me shishe.
Gjithashtu duhet të bëhet ngrënia e copave të vogla dhe përtypja e ngadaltë e ushqimeve tek personat që kanë proteza dentare të lirshme. Rekomandohet që këta persona të konsultohen me dentistin për vendosjen e protezave fikse të palëvizshme.

Përfundim

Ndonëse gazrat mund të jenë të parehatshme dhe të sikletshme, ato nuk përbëjnë rrezik për jetën. Të kuptuarit e shkaqeve, mënyrës së pakësimit dhe trajtimit, mund t’ju n dihmojë të gjeni sadopak qetësim.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!