Helikobakter Pylori

Helicobacter Pylori, i njohur gjithashtu si H.Pylori, është bakter që zakonisht gjendet në stomak. Ai është prezent në pothuajse gjysmën e popullatës së botës.

Shumica e njerëzve të infektuar me helikobakter pilori nuk kanë simptoma (shenja), dhe nuk shfaqin kurrë probleme. Megjithatë H.pilori është i aftë të shkaktojë një sërë problemesh të traktit tretës, përfshirë ulçerën dhe shumë më rrallë kancerin e stomakut. Nuk është ende e qartë përse disa njerëz me H.pilori shfaqin probleme dhe disa jo.

Në këtë artikull do të diskutohen simptomat (shenjat), testet ekzaminuese dhe trajtimi i infektimit prej H.pilori.

Faktorët e riskut të helikobakter pylorit
Probabilisht H. pilori përhapet nga konsumimi i ushqimeve dhe ujit të infektuar me materiale fekalesh. H.pilori shkakton ndryshime në stomak dhe duoden (zorrën 12-gishtore). Bakteri infekton indet mbrojtëse të mukozës së stomakut. Ky fenomen çon në çlirimin e disa enzimave dhe toksinave dhe aktivizon sistemin imun (mbrojtës). Sëbashku, këta faktorë në mënyrë direkte dhe indirekte mund të dëmtojnë qelizat e stomakut dhe duodenit. Si rrjedhojë shkaktohet inflamacion kronik (pezmatim i vazhdueshëm) në mukozën e stomakut (gastritis) dhe duodenit (duodenitis).

Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, stomaku dhe duodeni janë më të ndjeshëm prej lëngjeve tretëse, siç është acidi gastrik.

Në ShBA infektimi nga H.pilori është i rrallë gjatë fëmijërisë por në vendet në zhvillim ku bën pjesë dhe Shqipëria, shumë fëmijë janë të infektuar me H.pilori përpara moshës 10-vjeçare.

Simptomat e H.Pilori
Shumë individë me gastrit ose duodenit kronik nuk kanë simptoma (shenja). Megjithatë, shumë njerëz shfaqin probleme serioze perfshirë ulçerën e stomakut apo të duodenit.

Ulçera mund të shfaqë nje sërë simptomash, por me të shpeshtat janë:

  • Dhimbje ose diskomfort (ndjenjë jorehatie) në pjesën e sipërme të barkut;
  • Fryrje barku;
  • Ndjesia e ngopjes pas një vakti të vogël;
  • Humbje oreksi;
  • Nauze ose te vjella;
  • Jashtëqitje të errët ose të zezë si qymyri;
  • Ulçera mund të gjakosë dhe te shkaktojë anemi dhe këputje trupore.


Më rrallë, gastritet kronike shkaktojnë ndryshime anormale të mukozës gastrike të cilat çojnë në zhvillimin e disa formave të kancerit. Është e pazakontë që të zhvillohet kancer prej infeksionit me H.Pilori. Megjithatë, për shkak se kaq shumë njerëz në botë janë të infektuar me H.Pilori, ky i fundit konsiderohet te jetë një shkak i rëndësishëm për zhvillimin e kancerit të stomakut. Njerëzit që jetojnë në vendet ku infektimi me H.Pilori ndodh në moshë të hershme, janë më të rrezikuar ndaj kancerit të stomakut.

Diagnostifikimi i H.Pilori
Ka disa mënyra për të diagnostikuar H.Pilori, por testet më të shpeshta janë si më poshtë:
Testet e gjakut — testet e gjakut mund të zbulojnë antitrupat specifikë që sistemi imunitar i trupit prodhon si rezultat i përgjigjes ndaj bakterit H.Pilori.

Breath testi (testi frymes) — ky test, i niohur ndryshe si testi ureazës kërkon që ju të pini një lëng specifik i cili përmban substancën që shpërbën bakterin H.pilori. Produktet e shpërbërjes mund të zbulohen në frymën tuaj. Për të kryer këtë test ju duhet të jeni esëll, të mos keni pirë qoftë dhe ujë dhe të mos keni larë dhëmbët.

Testet ne feçe — këto teste zbulojnë H.Pilori në feçe (mbetjet ushqimore).

Biopsia — Gjatë procedurës së gastroskopisë doktori me anë të një paisjeje merr material në mukozën e stomakut duke e gërvishur atë. Ky material futet në formalinë 10% dhe dërgohet në laborator. Pasi ngjyroset me preparate specifike vëzhgohet prej mjekut anatomopatolog në mikroskop. Ky test është 100% i sigurtë por dhe më i kushtueshmi.

Kush duhet të kryejë teste për H.Pilori?
Rekomandohen testet diagnostikuese të H.pilorit nëse keni simptoma, nëse keni ulçer aktive gastrike ose dudoenale,ose nëse keni histori te kaluara për ulçer.

Ndonëse H.pilori është shaktari më i shpeshtë i ulçerave, jo të gjithë pacientët me ulçera infektohen nga H.Pilori. Disa medikamente si ibuprofen, aspirina, plavix mund të shkaktojnë ulçera peptike.

Testet për H. pylori nuk rekomandohen në qoftë se nuk keni shenja, nuk keni simptoma dhe histori të kaluar për ulçer peptike. Megjithatë testet mund të konsiderohen për njerëz që kanë histori familjare të kancerit të stomakut.

Trajtimi i H.Pilori
Të gjithë njerëzit me histori për ulçer peptike, ulçer aktive gastrike ose duodenale, të shoqëruar me infeksion prej H.Pilorit duhet të mjekohen. Trajtmi i H.Pilorit ndihmon në shërimin me sukses të ulçerës, parandalon ripërsëritjen e ulçerës dhe redukton riskun për komplikacione prej ulçerës siç është hemorragjia.

Medikamentet— Një medikament i vetëm nuk kuron infeksionin e marrë nga H.pilori.

Trajtimi konsiston në marrjen e disa medikamenteve për 7 ose 14 ditë.
  • Shumica e kohës së trajtimit përfshin medikamente që quhen "inhibitor të popmpës protonike". Ky medikament ul prodhimin e acidit gastrik i cili lejon shërimin e indeve të dëmtuara prej infeksionit.
  • Gjithashtu rekomandohen dy antibiotikë të cilët ulin riskun e mossuksesit të mjekimit dhe rezistencës së antibiotikut.
  • Meqënëse është rritur numri i pacientëve me infeksion prej H.Pilorit që kanë rezistencë ndaj antibiotikëve, është shumë e rëndësishme të merren medikamentet e rekomanduara dhe të jetë konfirmuar më parë prania e helikobakter pilorit.

Efektet anësore të mjekimit.
Mbi 50% e pacientëve kanë efekte anësore gjatë marrjes së mjekimit për H.Pilori. Zakonisht këto efekte janë të lehta dhe më pak se 10% e pacientëve ndalojnë mjekimin prej efekteve anësore të forta. Për ata që kanë efekte anësore prej mjekimit mund të bëhen ndryshime në doza ose në kohën e marrjes së mjekimit.

Disa prej efekteve anësore më të shpeshta janë si më poshtë:
  • Shija metalike në gojë.
  • Skuqje të lëkurës, dhimbje koke, nauzea, të vjella, djersitje dhe shpeshtim të rrahjeve të zemrës (takikardi).Të gjitha këto efekte anësore ndodhin në qoftë se gjatë mjekimit konsumohet alkool.
  • Konstipacion (kapsllëk) dhe feçe të ngjyrosura.
  • Diarre (barkëqitje), dhe dhimbje stomaku ne formë krampesh (shtrëngimi).

Trajtim i pasuksesshëm — Mbi 20 % e pacientëve me infeksion prej H.Pilorit nuk kurohen plotësisht pas kurës së parë . Në këto raste rekomandohet një mjekim i dytë i cili konsiston në dhënien e inhibitorëve të popmpës protonike dhe 2 antibiotikëve për 14 ditë. Të paktën një prej antibiotikëve duhet të jetë i ndryshëm prej atyre të parëve.

Ndjekja e mëtejshme — Zakonisht pas mbarimit të trajtimit për H.Pilori, përsëriten testet për të konfirmuar që infeksioni është larguar. Testi më i rekomandueshëm është breath test. Testet në gjak nuk rekomandohen sepse antitrupat në gjak mbeten të paktën dhe 4 muaj pas mjekimit, edhe nëse infeksioni është eleminuar.

Përmbledhje
Helikobakter pilori, i njohur gjithashtu si H.Pilori, është bakter që zakonisht gjendet në stomak. Shumica e njerëzve të infektuar me helicobacter pylori nuk kanë simptoma (shenja) dhe nuk shfaqin kurrë probleme. Megjithatë H.pilori është i aftë të shkatojë një sërë problemesh digjestive, përfshirë ulçerën dhe shumë më rrallë kancerin e stomakut.

Ulçera mund të mos shkaktojë simptoma ose mund të shkaktojë dhimbje, fryrje, ndjesinë e ngopjes pas një vakti të vogël, humbje oreksi, nauzea, të vjella, jashtëqitje të errët ose të zezë si qymyri. Ulçera me gjakderdhje mund të shkaktojë anemi.

H. pilori mund të diagnostikohet me testet në gjak, testin e frymës (breath test), në feçe ose me biopsi.

Testet e H. Pilori i rekomandohen çdo personi me ulçer peptike.

Çdo njeri i diagnostikuar me helikobakter duhet të mjekohet. Mjekimi ndihmon në shërimin e ulçerës, ul riskun e ripërsëritjes së ulçerës dhe ul riskun e hemorragjisë prej saj.

Trajtimi i H. pylorit përfshin zakonisht disa medikamente. Dy prej tyre shërbejnë për të vrarë bakterin ndersa ilaçi tjetër shkakton ulje të aciditetit të stomakut, fenomen ky që ndihmon në shërimin e plotë të ulçerës.

Disa njerëz shërohen pasi kanë mbaruar dy javë mjekim ndërsa disa të tjerë kanë nevojë për një mjekim më të gjatë. Është e rëndësishme që mjekimi të bëhet deri në fund që të sigurohemi që helikobakteri është çrrënjosur.

Mbas mjekimit mund të bëhen testet e feçeve ose të frymës për të konfirmuar që H. pilori është çrrënjosur.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!