Hepatiti B

Çfarë është hepatiti B?

Hepatiti B është sëmundje e heparit (mëlçisë), e cila e bën atë të zmadhohet dhe të mos kryejë funksionet e saj siç duhet.
Juve ju duhet një mëlçi e shëndetshme sepse ajo kryhen një sërë funksionesh që ju mbajnë gjallë. Mëlçia sulmon infeksionet, ndalon hemorragjinë, eleminon drogat dhe helmet nga qarkullimi i gjakut. Gjithashtu, ajo është depo energjish për ju të cilat hyjnë në funksion kur trupi juaj ka nevojë për to.

Nga se shkaktohet hepatiti B?

Hepatitis B është sëmundje virale që do të thotë se shkaktohet nga një virus i cili quhet virusi i Hepatitit B.

Si mund të merret hepatiti B?

Hepatiti B përhapet nëpërmjet kontaktit direkt me gjakun e një personi të infektuar, lëngut seminal (spermës), dhe lëngjeve të tjera të trupit.

Disa rrugë nga ku mund të merret hepatiti B janë:
- Marrëdhëniet seksuale me një person të infektuar pa përdorur kondom (prezervativ);
- Përdorimi i të njëjtës shiringë droge;
- Bërja e tatuve dhe vendosja e pirsing duke përdorur mjete josterile ose të përdorura më parë nga shumë njerëz;
- Shpimi me age të kontaminuara (nga kjo mënyrë infektimi janë më të rrezikuar punonjësit e shëndetësisë);
- Bashkëjetesa me persona që kanë hepatitis B;
- Përdorimi i të njëjtës furçë dhëmbësh ose brisku rroje me persona të infektuar;
- Udhëtimi në vende ku hepatiti B është shumë i përhapur;
- Mosrespektimi i rregullave të sterilizimit te aparaturave tek dentist;
Një grua e infektuar mund t'ia kalojë hepatitin B fëmijës gjatë lindjes ose gjatë ushqyerjes me gji.


Ju nuk mund ta merrni hepatitin B nga:
- Shtrëngimi i duarve me një person të infektuar;
- Përqafimi me një person të infektuar;
- Ulja afër me një person të infektuar.

Cilat janë shenjat e hepatitit B?

Hepatiti B mund t'ju bëj të ndiheni sikur keni grip.
Ju mund të:
- ndiheni të lodhur;
- keni të përziera;
- keni temperaturë të lartë;
- keni humbje të oreksit;
- keni diarre (barkqitje).
Disa njerëz kanë
- urinim me ngjyrë të errët si çaj;
- feçe me ngjyrë të zbardhur;
- zverdhje të syve dhe lëkurës.

Disa njerëz nuk kanë fare shenja
Në qoftë se ju keni ndonjë nga shenjat e lartpërmendura ose mendoni se mund të jeni infektuar nga hepatiti B, duhet të takoni doktorin specialist.

Çfarë analizash bëhen për hepatitin B?

Për të parë nëse jeni të infektuar apo jo, doktori do t'ju rekomandojë disa analiza laboratorike të gjakut. Këto analiza do të konfirmojnë nëse keni hepatit B dhe se në çfarë stadi është gjendja.

Doktorit mund t’i lindë nevoja të marrë biopsi në hepar me anë të një procedure të thjeshtë. Doktori merr disa copëza shumë të vogla nga mëlçia juaj nëpërmjet një ageje të drejtuar nën ekografi, të cilat pasi përpunohen në laborator shihen në mikroskop dhe vlerësojnë dëmtimet e mëlçisë.

Si mjekohet Hepatiti B?

Trajtimi për hepatitin B mund të përfshijë:
- Interferonin i cili mund të merret për më shumë se 4 muaj.
- Lamivudin i cili mund të jepet për një vit.
- Adefovir dipivoxil i cili mund të merret për një vit.
- Kirurgjia. Në disa raste hepatiti B mund të nxjerrë jashtë pune mëlçinë tuaj, që do të thotë se ajo është kaq e dëmtuar saqë nuk kryen asnjë funksion, prandaj ju do të keni nevojë për një mëlçi të re. Kjo lloj kirurgjie quhet transplant, i cili konsiston në heqjen e organit të vjetër dhe vendosjen e një të riu të padëmtuar të dhuruar nga një dhurues i shëndetshëm.

Si mund të mbrohemi nga infektimi?

Vaksinimi është një mënyrë mbrojtjeje. Vaksina është një ilaç të cilin ju e merrni kur jeni i shëndetshëm dhe ju mbron që të mos infektoheni. Ajo përgatit organizmin tuaj të sulmojë të tilla viruse, në rastin konkret hepatitin B.

Vaksina e hepatiti B jepet duke u bërë në tri doza. Çdo i porsalindur duhet të marrë vaksinën e hepatitit B. Doza e parë u jepet foshnjave 12 orë pas lindjes. Dozën e dytë të vaksinës e marrin pas 1ose 2 muajsh dhe dozën e tretë e marrin pas muajit të gjashtë apo të tetë të jetës.

Mund të vaksinohen edhe fëmijët më të rritur dhe të rriturit. Ata mund t’i marrin të tre dozat me një diferencë kohore 6 muaj nga njëra dozë në tjetrën.
Ju duhet t’i merrni patjetër të tre dozat që të imunizoheni (të jeni të mbrojtur), ndaj hepatitit B.

Ju gjithashtu mund të mbroni veten ndaj infektimit duke:
- përdorur prezervativ gjatë marrëdhënieve seksuale sidomos kur keni më shumë se 1 partner;
- mos përdorur shiringa të përdorura më parë;
- veshur doreza kur manipuloni ose kur ju duhet të prekni gjakun ose plagët e dikujt tjetër.
- mos përdorur furçën e dhëmbëve dhe briskun e rrojës të një personi të infektuar.
- u siguruar që mjetet e bërjes së tatuve dhe vendosjes së pirsingut të jenë sterile, të papërdorura më parë.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!