Kanceri i stomakut

Kanceri i stomakut është një ndër tumoret malinje më të shpeshta, përgjegjës për një numër të madh vdekjesh në vit në Shqipëri.

Shkaqet

Infeksioni prej Helikobakter Pylorit mendohet se është një nga shkaktarët e shumicës së kancereve të stomakut ndërsa gastriti atrofik autoimun, metaplazia intestinale dhe një sërë faktorësh të tjerë gjenetikë shoqërohen me rritjen e rrezikut për kancer në stomak. Shoqata Amerikane e Kancerit paraqet një listë të faktorëve të lidhur me dietën ushqimore (mishi, peshku i kripur dhe i tymosur dhe ushqimet e konservuara), nitratet dhe nitritet të cilat gjenden kryesisht në mishin e konservuar rrisin gjithashtu rrezikun për kancer të stomakut.

Nga ana tjetër, ngrënia e frutave dhe zarzavateve të freskëta që përmbajnë vitamina antioksidante (vitamina A dhe C), mendohet se e ul rrezikun për kancer në stomak. Një artikull në dhjetor të vitit 2009 në "American Journal of Clinical Nutrition" paraqet një studim statistikor shumë domethënës për një korrelacion të kundërt (invers) midis Dietës Ushqimore Mesdhetare dhe Kancerit të Stomakut. Kjo shpjegohet me faktin që në dietën mesdhetare mbizotërojnë ushqimet e freskëta, sidomos zarzavatet e shumëllojshme.

Një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton kancer të stomakut është pirja e duhanit. Ky faktor rrit rrezikun për kancer nga 40% te personat që e pinë në sasi të vogël, deri në 82% tek ata që e pinë duhanin për një kohë të gjatë, që do të thotë se dyfishohet rreziku për kancer në krahasim me personat që nuk e pinë duhanin.
Alkooli është një shkak tjetër që rrit rrezikun për kancer, sidomos kur është i shoqëruar me duhanpirje.
Kanceri i stomakut prek më shumë meshkujt se femrat, në një raport 3 meshkuj 1 femër. Estrogeni si hormon femëror mund të mbroje gratë nga ky lloj kanceri.

Diagnoza

Diagnostikimi i hershëm është i vështire sepse simptomat (shenjat), bëhen të pranishme kur situata ka përparuar. Mundësia e kurimit varet nga koha kur diagnostikohet kanceri. Sa më herët të kapet aq më shumë përfiton pacienti. Me video-endoskopi sidomos në ditët e sotme me aparatura të avancuara me rezolucion të lartë, mundësohet një ekzaminim i imtësishëm dhe vlerësim i situatave që në stadet fillestare. Fatkeqësisht, pacientët me kancer të stomakut shpesh kanë simptoma në stade shumë të avancuara. Kjo është një nga arsyet përse kanceri është shumë i vështirë për tu diagnostikuar që në stadet fillestare.

Për të gjetur shkaqet e shenjave, doktori pyet për historinë e sëmundjes së pacientit, bën ekzaminimin fizik të tij si dhe kërkon disa vlerësime laboratorike të pacientit.

Shenjat dhe simptomat kanceri të stomakut përfshijnë:

Dhimbje abdominale (e barkut).

Humbje të pashpjegueshme në peshë dhe humbje të oreksit.

Dhimbje e papërcaktuar e barkut zakonisht sipër kërthizës.

Ndjesia e fryrjes së tepërmi pas një vakti të lehtë (doktorët e quajnë ngopje e shpejtë).

Djegie kraharori, urth ose shenjat e një ulcere, nauzea, të vjella me ose pa gjak.

Ënjtje e barkut për shkak të grumbullimit të lëngjeve në kavitetin abdominal (doktorët e quajnë ascit).

Mosha
Shumica e pacientëve të diagnostikuar me kancer të stomakut në klinikën tonë janë të moshuar. Mosha e mesme është ndërmjet 40-65 vjeç. Diagnostikimi i kancerit tek moshat e reja ka qenë në format më agresive.
Humbja në peshë dhe dhimbjet e vazhdueshme janë shenjat me të shpeshta të kancerit.
Dhimbja e barkut fillimisht mund të jetë e lehtë por ajo forcohet me progresin e kancerit.

Disfagia (vështirësi dhe dhimbje në gëlltitje) është shenjë shoqëruese kur kanceri zhvillohet në cardias (vendi ku bashkohet stomaku me tubin e ushqimit, ezofagun).
Pacientët gjithashtu mund të shfaqin të vjella ose ndjenjën e mbingopjes për shkak të masave kanceroze të cilat zënë një pjese të madhe të hapësirës së stomakut.

Gastroskopia është metoda e zgjedhur ekzaminuese për këtë sëmundje. (Lexoni linkun "Gastroskopia"). Gjatë ekzaminimit me gastroskop merret biopsi e cila dërgohet për ekzaminim histopatologjik ku shihet nga mjeku histopatolog në mikroskop për prezencën e qelizave kanceroze dhe llojin e kancerit.

Tomografia e kompjuterizuar apo skaner CT i barkut mund të zbulojë gjithashtu kancerin e stomakut, por është ekzaminim më i përdorshëm për vlerësimin e shtrirjes së kancerit në organet dhe indet e tjera përreth dhe jashtë tij, si dhe prezencën e limfonodujve (gjëndrave limfatike) të prekura nga kanceri.

Stadifikimi

Nëse në ekzaminimin histopatologjik gjenden qeliza kanceroze, hapi tjetër është të gjendet stadi i zhvillimit në varësi të shtrirjes së sëmundjes. Për të bërë stadifikimin e kancerit, d.m.th shtrirjen dhe shpërndarjen në distancë të tij, bëhen teste të ndryshme. Duke pasur parasysh që kanceri i stomakut prek dhe organet e tjera si mëlçinë, pankreasin dhe mushkërinë, doktori, për të bërë stadifikimin kryen ekzaminime të tjera shtesë si më poshtë:

Eko endoskopike(EUS): Ky ekzaminim kryhet njësoj si gastroskopia, nën anestezi. Në majën e këtij skopi ndodhet një sondë e veçantë e cila përdor ultratingujt për të krijuar imazhe. Imazhet që merren tregojnë se sa thellë i ka prekur kanceri muret e ezofagut. Doktori gjithashtu mund të përdorë një shiringë të veçantë për të marrë material prej limfonodulave. Kjo procedurë quhet aspirim me age (FNA).

Skaner CT (tomografi e kompjuterizuar): Makina e rrezeve X është e lidhur me kompjuterin dhe në këtë mënyre krijohen imazhe të detajuara të pankreaisit, organeve dhe vazave të gjakut të barkut. Për të kryer këtë ekzaminim përdoret kontrast nga goja ose në venë, i cili bën të dukshme anormalitë.

Rezonanca magnetike: Nje magnet i fuqishëm i lidhur me komjuterin perdoret për të marrë imazhe të detajuara në hapësirat brenda trupit. Rezonanca tregon nëse kanceri është përhapur nëpër limfonodula ose në vende të tjera të trupit. Për të kryer këtë ekzaminim përdoret kontrast venoz i cili bën të mundur marrjen e imazheve në mënyrë më të qartë.

Pet-skaner: Nëpëmjet një injeksioni, injektohet një sasi sheqeri radioaktiv. Sheqeri radioaktiv jep sinjal dhe në këtë moment pet-skaneri kap imazhet në vendet që është përhapur sheqeri radioaktiv. Qelizat kanceroze shfaqen të shndritshme në imazhe sepse ato e përthithin më shpejt dhe më shumë sheqerin radioaktiv në krahasim me qelizat normale. Pet-skaneri tregon nëse kanceri i ezofagut është përhapur në pjesë të tjera të trupit.

Analiza e gjakut për markuesit tumoralë siç janë carcinoembryonic antigen (CEA) dhe carbohydrate antigen (CA) mund të bëjnë vlerësimin e metastazave, kryesisht në mëlçi.

- Stadi 0. I limituar vetëm në shtresën e mukozës së stomakut. Trajtohet me endoskopi duke bërë rezeksion (heqje të shtresës) të mukozës (pa operacion të hapur). Ky stad kapet rastësisht në ekzaminimin rutinë të një gastroskopie. Atëherë bëhet heqja e stomakut me kirurgji pa pasur nevojë për kimio apo radioterapi. Pacienti quhet i shëruar plotësisht.
- Stadi I. Penetrimi në shtresën e dytë nga tre shtresa të stomakut (Stage 1A), ose prekja e shtresës së dytë dhe gjëndrave limfatike që janë përreth murit të stomakut (Stage 1B). Stadi 1A trajtohet me kirurgji ku përfshihet edhe heqja e omentumit. Stage 1B mund të trajtohet me kimioterapi (5-fluorouracil) dhe terapi me radiacion.
- Stadi II. Penetrimi në shtresën e dytë dhe në gjëndrat limfatike në distancë, ose në shtresën e tretë dhe në limfonodujt (gjëndrat limfatike) në afërsi, ose kur preken të katër shtresat e stomakut por pa prekur limfonodulat. Trajtimi bëhet si në stadin e parë por nganjëherë shtohet kimioterapi me neoadjuvant.
- Stadi III. Penetrimi në shtresën e tretë dhe prekja e gjëndrave limfatike në distancë, ose prekja e të 4 shtresave të stomakut si dhe e limfonodulave të afërta. Trajtimi bëhet si në Stadin II. Në disa raste është ende e mundur një kurë.
- Stadi IV. Kanceri është i shpërndarë në indet e afërta dhe në gjëndrat limfatike në distancë si dhe ka metastaza në organet e tjera. Në këto stade kura ndikon shumë pak.

Mund të përdoren disa teknika për të zgjatur jetën dhe për të përmirësuar simptomat. Në këto raste bëhet kirurgjia dhe stentet për të mbajtur traktin tretës të lirë prej bllokimit të masës dhe kimioterapi me medikamente si 5-fluorouracil, cisplatin, epirubicin, etoposide, docetaxel, oxaliplatin, capecitabine, ose irinotecan.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!