Biopsia e mëlçisë

Çfarë është biopsia e mëlçisë?

Biopsia e mëlçisë është një procedurë ku mjeku specialist (gastroenterologu ose radiologu) përdor një age të veçantë për të marrë copa të vogla materiali prej indit të melçisw për t’i ekzaminuar në mikroskop.

Qelizat e marra nga mëlçia lejojnë doktorin të shohë nëse mëlçia juaj është e shëndetshme ose të kuptojë më mirë pse mëlçia juaj ka dëmtime dhe të vlerësojë shkallën e dëmtimit.

Në varësi të rezultatit të biopsisë doktori gjykon:
- Shkallën e inflamacionit (infeksionit) ose dëmtimit të mëlçisë.
- Shtrirjen e dëmtimit të indeve (fibrozën).
- Prezencën dhe shkallën e dhjamosjes apo të ndonjë sëmundjeje tjetër metabolike të mëlçisë.
- Shkaqet e analizave jo normale të mëlçisë në qoftë se ende nuk dihen.
- Nganjëherë, biopsia e drejtuar e mëlçisë kryhet për një masë ose “njollë” për të parë nëse është kancer apo jo.

Si merret biopsia e mëlçisë?

Ekzistojnë dy mënyra për të marrë biopsi në mëlçi. Doktori do të flasë me ju për t’ju treguar se cila është mënyra e duhur për ju.
-Mënyra më e zakonshme është ajo ku përdoret një age e veçantë për të marre qeliza nëpërmjet një incizioni (çarjeje), të vogël në anën e djathtë të kraharorit.
-Njw mënyrë tjetër më pak e përdorshme, është ajo nëpërmjet venave të qafës (transjugulare).

Cilat janë rreziqet e biopsisë së mëlcisë?

Zakonisht marrja e biopsisë së mëlçisë është procedurë e sigurtë, gjithsesi si çdo procedurë ajo mbart rreziqet e veta si më poshtë:
Dhimbja: 1 në 4 pacientë kanë dhimbje menjeherë pas procedurës e cila mund të zgjasw 5-20 minuta; 1 në 100 pacientë kanë dhimbje 1-7 ditë pas procedurës; 1 në 1000 pacientë kanë dhimbje barku në të djathtë për një kohë të gjatë pas procedurës.

Hemorragjia: Rreziku i hemorragjisë domethënëse që kërkon hospitalizim dhe nevojën e mundshme të tranfuzionit është i rrallë 1 në 1000/3000 pacientë.

Rrjedhje biliare: mund të ndodhë, niveli i rrezikut është i panjohur.

Shpim i një organi tjetër si p.sh. të zorrës, veshkave apo mushkërive. Rreziku është shumë i ulët. Ndodh 1 në 1000 sepse biopsia merret nën drejtimin e ekos.

Probleme të zemrës ose mushkërive prej anestezisë: Rreziku është më i vogël se 1 në 3000 pacientë.

Reaksion alergjik prej lidokainës: Rreziku është më i vogël se 1 nw 3000 pacientë.

Komplikacione të rënda si psh: Shoku ose diçka tjetër që kërkon ndërhyrje kirurgjikale ose ndërhyrje radiologjike për të trajtuar apo ndaluar hemorragjinë ose menaxhimin e rrjedhjes biliare. Shkalla e rrezikut është shumë e vogël, 1në 6000 pacientë.

Vdekja: Më pak se 1 në 12000 pacientë.

Përpara procedurës
- 6 orë përpara procedures ndaloni konsumimin e ushqimit ose lëngjeve jo të kthjellta. Mund të konsumoni lëngje të qarta si p.sh. lëng molle ose ujë.
- 3 orë përpara procedurës mos konsumoni më lëngje.
- Doktori do t’ju japi informacion rreth procedurës, lexojeni me kujdes.
- Duhet të keni me vete të gjitha ekzaminimet e kryera më parë dhe pwrgjigjet e analizave që mjeku jua ka dhënë paraprakisht.
- Në qoftë se dëshironi sedacion intravenoz dhe medikamente kundra dhimbjes para dhe pas procedurës duhet të jeni i shoqëruar nga një familjar. Do të jeni gati per t’u larguar nga klinika jonë 3-4 orë pas procedurës. Nuk mund të ngisni makinën 24 orë pas procedurës.

Gjithsesi, sedacioni intravenoz nuk është i detyrueshëm. Është e drejta juaj të vendosni nwse doni ta merrni apo jo.

Këshilla për ilaçet

Një javë përpara procedurës:<br> - Ndaloni aspirinën dhe antiinflamatorët josteroidë (siç janë advili, ibuprofeni, naproxeni). Ju mund të përdorni Tylenol (paracetamol).
- Ndaloni marrjen e ilaçeve popullore dhe suplementeve si p.sh. vaj peshku.
- Në qoftë se merrni hollues gjaku si Coumadin ose Plavix, ju lutem këshillohuni me mjekun nëse mund ta ndërprisni 5 ditë përpara procedurës.

Ditën e procedurës:
- Në qoftë se jeni diabetik, konsultohuni me mjekun tuaj nëse duhet ta merrni ose jo mjekimin.
- Duhet të merrni mjekimet që ju janë përshkruar si p.sh. për tensionin e lartë, për rrahjet e çrregullta të zemrës apo ilaçet kundra dhimbjeve.
- Paraqituni një orë përpara orës së planifikuar.
- Në qoftë se do t’ju bëhet qetësues venoz paraqituni i shoqëruar.
- Fillimisht do të kryhet ekoja abdominale për të lokalizuar vendin e punksionit.
- Firmosni konsentin: Doktori do t’ju shpjegojë procedurën duke ju bërë të ditur përfitimet dhe risqet qe ajo mbart. Më pas do t’ju kërkojë të firmosni.
- Planifikoni të rrini në klinikë 3-4 orë pas procedurës.

Gjatë procedurës

- Një infermire do t’ju vendosë një vigon për administrimin e qetësuesit.
- Do të monitoroheni për shenjat jetësore si: pulsi, oksigjenimi i gjakut, presioni i gjakut.
- Doktori do t’ju kërkojë të shtriheni me krahun tuaj të majtë të ngritur rreth kokës.

Pastaj doktori do të bëjë ekon që të piketojë vendin se ku do të bëhet punksioni. Pasi shënohet vendi, zona pastrohet dhe më pas injektohet përreth anestezia lokale që është lidokaina. Doktori do t’ju instruktojë se kur duhet të bëni frymëmarrjet dhe se kur duhet të mbani frymën.

Çfarë ndodh pas procedurës?

- Pas procedurës monitorohen shenjat jetësore si: pulsi, oksigjenimi dhe presioni i gjakut. Infermierja do të kontrollojë vendin e punksionit për ndonjë shenjë hemorragjie.
- Do t’ju lejohet të konsumoni lëngje nëse gjendja juaj është e stabilizuar, gjithsesi, disa pacientëve u kërkohet të mos konsumojnë lëngje dhe ushqime 2-4 orë pas procedurës.
- Vendi i punksionit të biopsisë fashohet. Fashoja duhet hequr 48 orë pas procedurës.
- Do të merrni instruksione për kujdesin në shtëpi nga doktori ose infermieret.
- Mos përdorni aspirinë ose medikamente kundra dhimbjes (sidmos antiinflamatorë josteroide, ibuprofen, naproxen) për një javë pas procedurës. Acetomifeni (paracetamoli) mund të përdoret deri në 2gr/ditë. Mos pini alkool ditët që përdorni ilaçe kundra dhimbjeve.

Telefononi doktorin ose paraqituni në ermergjencën më të afërt në qoftë se keni një nga shenjat e mëposhtme:
- Shtimi i dhimbjes në stomak, shpatull ose në kraharor.
- Gjakderdhje prej vendit të punksionit të biopsisë në një sasi prej më shumë se një lugë çaji.
- Dobësi, marrjemendsh që ndikojnë në aftësinë tuaj për të qëndruar në këmbë.
- Vështirësi në frymëmarrje (gulçimë), të cilat nuk rregullohen në më pak se 2 minuta.
- Ethe dhe të dridhura.
- Të vjella me gjak ose defekim me ngjyrë të zezë.

* * * Përgjigja e biospisë do të jetë gati brenda 7-ditëve. * * *


Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!