Polipet e kolecistës (fshikëzës së tëmthit)

Çfarë janë Polipet e kolecistës?

Lezionet që shfaqen prej murit të fshikëzës së tëmthit dhe projektohen në brendësi të saj quhen polipe të tëmthit. Në pjesën më të madhe të pacientëve ato diagnostikohen (zbulohen) rastësisht gjatë kryerjes së ekos abdominale ose pas heqjes së fshikëzës së tëmthit për shkak të gurëve ose kolikave biliare (dhimbjeve). Edhe pse shumica e polipeve të fshikëzës janë me natyrë beninje, në disa raste shfaqen edhe polipet malinje. Zbulimi i hershëm dhe marrja e masave të përshtatshme janë të rëndësishme për trajtimin kurativ dhe jetëgjatësinë.

Qëllimi kryesor për menaxhimin e polipeve të fshikëzës se tëmthit është parandalimi i zhvillimit të tumoreve të tëmthit. Polipet e fshikëzës së tëmthit klasifikohen në beninj dhe malinje.

Polipet beninje ndahen në:

• Pseudotumore (polipe kolesterolinik, polipe inflamatore dhe hiperplastik).
• Tumore epiteliale (adenoma).
• Tumore mezenkimal (fibroma, lipoma dhe hemangioma).
• Polipet malinje të fshikëzës së tëmthit janë karcinoma (kancer).

Ecuria jo e mirë e pacientëve me kancer të fshikëzës së tëmthit do të thotë që është e rëndësishme të bëhet dallimi i polipeve beninje, malinje dhe premalinje.


Polipet kolesterolinik

Studimet e fundit kanë treguar se shumica e polipeve të fshikëzës së tëmthit janë me natyrë beninje (jokanceroze) dhe se 60-90% e tyre janë polipe kolesterolinik. Këto lloj polipesh zakonisht janë më të vegjël se 10 mm.


Polipet inflamatore

Polipet inflamatore janë të rralla. Ato kanë një incidencë prej 10% të rasteve dhe formohen si rezultat i ashpërsimit të mukozës nga një inflamacion kronik (i zgjatur në kohë). Ato janë më të vogla se 10mm dhe janë me natyre beninje (jo kanceroze).


Adenoma e fshikëzës se tëmthit

Adenomat gjithashtu janë polipe beninje, por mund të shfaqin natyrë premalinje me kalimin e kohës. Këto lezione zakonisht janë të pedunkuluar (me bisht). Shfaqen të vetme dhe mund të shoqërohen me gurë në fshikëzën e tëmthit ose kolecistit kronik (infeksion i zgjatur në kohë i tëmthit). Ato varjojnë në përmasa nga 5-20mm dhe zakonisht janë të vetme. Adenoma e fshikëzës së tëmthit është e rrallë por e mirëdokumentuar si tumor beninj epidelial.


Adenomiomatosis

Adenomiomatosis ose polipet joinflamatore të fshikëzës së tëmthit mund të shfaqen tek pacientë të moshës së mesme. Incidenca rritet me rritjen e moshës. Përshkruar fillimisht si gjetje beninje, mbetet si lesion prekanceroz.


Simptomat(shenjat)

Paraqitja e shenjave prej polipeve të fshikëzës së tëmthit janë jospecifike dhe të paqarta ose në disa raste nuk ka shenja fare. Për shumë arsye, shpesh polipet e tëmthit zbulohen rastësisht. Megjithatë, disa pacientë mund të kenë nauzea, të vjella dhe dhimbje në anën e djathtë, të sipërme të barkut.

Ndonjëherë polipet zbulohen gjatë bërjes së ekos abdominale. Në mungesë të gjetjeve të tjera ato mund të konsiderohen burim i kolikave biliare, (dhimbjeve). Shenja të tjera të polipeve të fshikëzës së tëmthit janë dispepsia dhe ikteri (zverdhja). Shenjat që lidhen me pseudopolipet siç janë polipet kolesterolike, inflamatore ose hiperplastike perfshijnë: dispepsinë, dhimbje në anën e djathtë të barkut, diskomfort (ndjenje parehatie), kolecistit (infeksion i tëmthit) dhe gurë të tëmthit.


Incidenca e polipeve të fshikëzës se tëmthit

Shpeshtësia e gjetjeve te polipeve të fshikëzës së tëmthit është raportuar si 4.3–6.9%. Edhe pse ka disa dallime sipas raportimeve, prevalenca e lezioneve polipoide të fshikëzës së tëmthit është 2-12% sipas monstrave pas heqjes se fshikëzës së tëmthit me kirurgji. Raporti sipas seksit dhe moshës kur janë diagnostikuar polipet është 1.15-1 meshkuj/femra. Pacientët që riskojnë për polipe malinje të fshikëzës së tëmthit janë personat mbi 60 vjeç të cilët kanë gurë në tëmth dhe kolangit sklerozant primar.

Polipet me risk të lartë janë ata më të mëdhenj se 6mm, të vetëm dhe sesilë (me bazë të gjerë).


Testet imazherike për polipet e fshikëzës së tëmthit

Eko abdominale

Ekoja abdominale është parë si ekzaminimi më i mirë i mundshëm për diagnostikimin e polipeve të fshikëzës së tëmthit, jo vetëm për koston më të ulët, por edhe sepse ka ndjeshmëri të mirë dhe është më specifike. Polipet mund të lokalizohen, numërohen dhe maten me eko. Gjithashtu me eko mund të shihen të treja shtresat e fshikëzës se tëmthit dhe mund të përjashtohet ndonjë anomali e mundshme.
Në eko, polipet shfaqen si materiale të ngritura dhe të fiksuara në brendësi të fshikëzës së tëmthit. Në përgjithësi polipet janë të dukshme nën eko kur janë më të mëdha se 5mm. Diferencimi ekografik midis polipeve beninje dhe malinje lidhet ngushtë me përmasat e një polipi të vetëm, të palëvizshëm. Një gur i mbështetur mirë në muret e fshikëzës së tëmthit mund të ngatërrohet lehtë me polip gjatë ekos.

EUS Endosonografia (eko endoskopike)

Endosonografia (EUS) është konsideruar si metoda diagnostikuese më sensitive për polipet e fshikëzës së tëmthit. Gjithashtu, diagnostikimi me ultratinguj me rezolucion të lartë gjatë EUS për përcaktimin e diagnozës diferenciale të polipeve të fshikëzës, është shumë i saktë. Duke patur parasysh rehatinë e pacientit gjatë procedurës, ekoja endoskopike EUS, konsiderohet metoda diagnostikuese më e rëndësishme për diagnozën diferenciale, stadifikimin e polipeve, kapjen në fazat e hershme të kancerit të fshikëzës së tëmthit, ndjekjen klinike, indikacionet për kirurgjii dhe rekomandimet për ndjekje të mëtejshme.

Çdo polip i fshikëzës se tëmthit i shoqëruar me simptoma (shenja) duhet hequr. Çdo polip i fshikëzës së tëmthit, i shoqëruar me simptoma (shenja) duhet hequr. Tek pacientët me faktor risku për malinjitet të cilët kanë polip më të madh se 6mm, ky poli duhet ta operohet patjetër. Pacientët pa faktorë risku janë kandidatë për eko endoskopike EUS për vlerësim të mëtejshëm. Ato polipe që gjatë EUS janë konsideruar me risk të lartë, duhen operuar.

Heqja e fshikëzës së tëmthit duhet bërë vetëm në rastet kur kemi shenja klinike prej polipeve, prani të polipeve më të mëdhenj se 10mm, polipe që rriten shpejt, polipe sesile (me baze të gjerë), polipe me pedunkul të gjatë, pacientë mbi 50 vjeç, polipe në fshikëzën e tëmthit të pozicionuar në infundibulum, ose mure jo normale të fshikëzës së tëmthit.

Ka shumë mundësi qw polipe të fshikëzës së tëmthit më të mëdhenj se 18mm të kthehen në kancer. Polipe të fshikëzës që nuk mund të operohen duhet të ndiqen me eko periodike. Intervali i përsëritjes së çdo ekzaminimi është 6-12 muaj.


Rekomandimet klinike


Tek pacientët 60 vjeç e sipër, me polip sesil të madhësisë 10 mm ose më shumë, nëse gjatë ekzaminit të ekos endoskopike EUS ka indikime për malinjitet, rekomandohet kolecistectomia (heqja kirurgjikale e fshikëzës së tëmthit).

Në qoftë se nuk ka shenja për malinjitet, duhet të bëhet ndjekja me të njëjtën metodë ekzaminuese pas 6 muajsh. Në qoftë se edhe pas 6 muajsh nuk kemi ndryshime në madhësi, konture dhe vaskularizim, ndjekja mund të individualizohet çdo 12 muaj.

Për polipet me diametër 6-9 mm pa shenja malinjiteti, rekomandohet ekoja abdominale çdo 6-muaj. Nëse edhe pas 6 muajsh nuk ka ndryshime, ekoja rekomandohet çdo 12 muaj dhe më pas në qoftë se përsëri nuk shihen ndryshime bëhen ekzaminime të tjera vlerësuese. Polipet e fshikëzës së tëmthit më të vegjël se 6mm nuk ndiqen me eko nwse nuk tregojnë shenja për malinjitet.


Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!