Sëmundja Crohn (Informacion i thelluar për pacientët)

Hyrje

Sëmundja e Crohn-it është një gjendje e cila ndikon mbi aparatin tretës. Shkaku i sëmundjes së Crohn-it nuk dihet ende. Simptomat më të zakonshme të sëmundjes së Crohn-it përfshijnë: diarrenë,dhimbjen abdominale, humbjen në peshë dhe ethet. Disa njerëz që vuajnë nga sëmundja e Crohn-it paraqesin gjithashtu probleme jashtë traktit tretës ndër të cilat përfshihen skuqje të lëkurës, dhimbje të gjymtyrëve, skuqje të syve dhe më rrallë probleme me mëlçinë.

Sëmundja e Crohn-it nuk shërohet, por ka ilaçe të cilat mund ta mbajnë nën kontroll. Nëse ilaçet nuk i frenojnë simptomat, atëherë mbetet si opsion operacioni për të hequr pjesën e sëmurë të zorrës së trashë.


Ky artikull flet për simptomat dhe trajtimin e sëmundjes së Crohn-it.

Çfarë është sëmundja e Crohn-it?

Sëmundja e Crohn-it është një sëmundje autoimune, por nuk dihet shkaku i saktë. Të paturit e anëtarëve të familjes me sëmundjen e Crohn-it ndoshta e shton rrezikun e zhvillimit të saj. Kur një person me këtë rrezik të trashëguar është i ekspozuar ndaj një nxitësi (një sëmundjeje apo diçkaje në mjedis), aktivizohet sistemi imunitar.

Tek njerëzit me sëmundjen e Crohn-it, sistemi imunitar e njeh si të huaj mukozen e traktit tretës dhe e sulmon atë duke shkaktuar inflamacion. Ky inflamacion shkakton zhvillimin e ulçerës dhe të gjakosjes tek mukoza e traktit tretës. Sëmundja e Crohn-it prek zakonisht zorrën e trashë dhe pjesën e fundit të zorrës së hollë që quhet "ileum", por mund të prekë gjithashtu të gjithë traktin tretës, nga goja deri tek anusi.

Sëmundja e Crohn-it, ashtu si koliti ulçerativ, është një sëmundje e zorrës së inflamuar (SZIn). Sëmundja e zorrës së inflamuar nuk duhet të ngatërrohet me sindromën e zorrës së irritueshme (SZI). (Shiko “Koliti ulçerativ” dhe “Sindroma e Zorrës së Irritueshme".)

A do të bëhem më mirë? — Në sëmundjen e Crohn-it ndodhin zakonisht këto dy situata:
●Shpërthime (kur përkeqësohet gjendja)
●Remisione (kur përmirësohet)
Rreth 10 deri në 20 përqind të njerëzve kanë remision mbas shpërthimit të parë të sëmundjes së Crohn-it. Situata e paraqitjes së simptomave mund të jetë e ndryshueshme me periudha të shkurtra të përsëritura (javë apo muaj), si p.sh. diarre e lehtë dhe krampe. Më rrallë mund të shkaktohen simptoma të rënda dhe paralizuese, (si p.sh. dhimbje e fortë e barkut dhe bllokime në zorrë). Njerëzit me sëmundjen e Crohn-it kanë nevojë të trajtohen gjatë gjithë jetës. Trajtimi rrit mundësinë e zhvillimit të ndonjë remisioni.

SIMPTOMAT E SËMUNDJES SË Crohn-it

Simptomat më të zakonshme të sëmundjes së Crohn-it përfshijnë: dhimbje barku, diarre, lodhje dhe humbje në peshë. Simptoma të tjera mund të jenë dhimbje në gojë, probleme me lëkurën, inflamacion të syrit dhe probleme anale si fistulat dhe absceset.

●Plagët e gojës. Plagët e gojës (të ashtuquajtura aphthous stomatitis) mund të zhvillohen gjatë shpërthimit të sëmundjes së Crohn-it. Ato gjenden zakonisht midis mishrave të gojës dhe buzës së poshtme ose përgjatë anëve dhe pjesës së poshtme të gjuhës. Plagët e gojës janë shpesh herë të dhimbshme. Ilaçet që përdoren për trajtimin e traktit tretës ndihmojnë edhe në trajtimin e plagëve të gojës.
●Inflamacioni i syve – Inflamacioni i syve (i cili quhet uveitis ose scleritis) ndodh deri në 5 përqind të njerëzve me sëmundjen e Crohn-it. Këto probleme mund të prekin njërin ose të dy sytë. Simptomat e uveitis përfshijnë "lëkundje" të shikimit, dhimbje sysh, shikim të turbullt dhe ndjeshmëri ndaj dritës. Skleritis mund të shkaktojë djegie ose kruarje të syrit të prekur.Trajtimi bëhet zakonisht me anë të pikave.
●Problemet anale – Sëmundja e Crohn-it mund të shkaktojë probleme në zonën përreth anusit. Problemet më të zakonshme përfshijnë: çarjet, ulçerat, fistulat (një kanal komunikimi midis zorrës dhe organeve të tjera), zonat e infektuara të lëkurës dhe stenoza (ngushtimi i anusit). Këto probleme mund të ndodhin më vete ose të kombinuara.
Problemet anale ndonjëherë shërohen vetë, pa trajtim. Në raste të tjera kërkohet trajtimi me ilaçe ose operacion. Njomja e fundshpinës me ujë të ngrohtë disa herë në ditë si dhe pastrimi i kujdesshëm i zonës në fjalë mund të ndihmojë në përshpejtimin e shërimit.

SËMUNDJA E Crohn-it DHE MJEKIMI

Ka disa lloj ilaçesh që përdoren për të trajtuar sëmundjen e Crohn-it. Ilaçi më i mirë varet nga pjesa e traktit tretës që shkakton simptomat. Më poshtë është një përmbledhje e ilaçeve të përdorura më shpesh.

5-aminosalicilatet (e shkurtuar 5-ASA) janë një grup ilaçesh të cilat pakësojnë inflamacionin në traktin tretës. Ilaçet 5-ASA si filim përdoren zakonisht për të trajtuar një shpërthim dhe mund të rekomandohen vazhdimisht për të parandaluar shpërthime të reja. Mesalamina është 5-ASA më i përdorur dhe vjen në disa forma, si kapsula ose si tableta.

Antibiotikët — Nëse ilaçet 5-ASA nuk i kontrollojnë simptomat, mjeku juaj mund t'ju rekomandojë disa lloj antibiotikësh. Antibiotikët mund të reduktojnë numrin e bakterieve në zorrë e për rrjedhojë reduktohet inflamacioni.

Kortizoniket — Mund të rekomandohet një lloj ilaçi që quhet steroide (si p.sh. prednison dhe budesonid) nëse nuk i përgjigjeni 5-ASAs apo antibiotikëve, ose nëse keni simptoma të forta. Steroidet përdoren zakonisht për një periudhë të kufizuar për të mbajtur nën kontroll inflamacionin dhe pastaj ndërpriten gradualisht. Zakonisht nuk rekomandohet që steroidet të përdoren për kohë të gjatë për shkak të rrezikut të efekteve anësore.

Imunomodulatorët — Imunomodulatorët ndihmojnë në kufizimin e inflamacionit të shoqëruar me sëmundjen e Crohn-it. Imunomodulatorët mund të rekomandohen nëse keni simptoma të forta, nuk përmirësoheni me përdorimin e steroideve ose nëse simptomat përkeqësohen mbas uljes së dozës së steroideve. Imunomodulatorët e përdorur më shpesh janë: azathioprine, 6-mercaptopurine, dhe methotrexate.

Modifikuesit e reagimit biologjik — Këta janë një kategori ilaçesh të cilat funksionojnë duke parandaluar inflamacionin. Këto medikamente përdoren shpesh në kombinim me trajtimet e përshkruara më sipër.
Modifikuesit e reagimit biologjik janë të kushtueshme dhe mund të shkaktojnë efekte anësore serioze. (shiko 'Efekte anësore' më poshtë). Si rezultat, modifikuesit e reagimit biologjik përgjithësisht rezervohen për njerëzit me simptoma të forta të cilët nuk u janë përgjigjur trajtimeve të tjera.
Modifikuesit e reagimit biologjik jepen ose nëpërmjet injeksionit ose nëpërmjet venës. Disa mund të jepen në shtëpi, ndërsa të tjerat duhet të administrohen në klinikë.

Modifikuesit e reagimit biologjik që përdoren më shpesh janë:
●Infliximab – Infliximab (Remicade)
●Adalimumab – Adalimumab (Humira)
●Certolizumab pegol – Certolizumab pegol (Cimzia)

Efektet anësore — Modifikuesit e reagimit biologjik ndërhyjnë në aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar infeksionin. Ata nuk duhet të përdoren tek njerëzit që kanë infeksione serioze. Përpara se të fillohet trajtimi është i nevojshëm të bëhet testimi për tuberkulozin, pasi trajtimi mund të "aktivizojë" TB nëse keni qënë më përpara të ekspozuar ndaj tuberkulozit.
Modifikuesit e reagimit biologjik nuk rekomandohen për njerëzit të cilët kohët e fundit ose më përpara kanë vuajtur nga limfoma (një lloj kanceri). Disa studime tregojnë për një lidhje midis këtyre ilaçeve dhe një risku më të lartë për zhvillimin e limfomës. Gjithësesi, rreth kësaj fushe duhen bërë më shumë kërkime.

OPERACIONI PËR SËMUNDJEN E Crohn-it

Ilaçet mund të ndihmojnë në kontrollimin e simptomave dhe komplikacioneve të sëmundjes së Crohn-it dhe mund t'ju ndihmojnë që të evitoni ose të shtyni operacionin. Megjithatë, operacioni mund të rekomandohet nëse simptomat nuk kontrollohen me ilaçe apo nëse efektet anësore të ilaçeve janë të padurueshme. Rreth 80 përqind e njerëzve me sëmundjen e Crohn-it, në një moment gjatë jetës së tyre, do të kenë nevojë për operiacion.

Është e rëndësishme të jeni realist në lidhje me rezultatet e operacionit. Operacioni nuk e shëron sëmundjen e Crohn-it, por mund t'ju ndihmojë të ndiheni më mirë dhe t’i ktheheni veprimtarive normale. Sëmundja rikthehet mbas operacionit, prandaj shumë njerëzve do tu lindë nevoja të marrin ilaçe për një kohë gjatë për të kontrolluar simptomat. Megjithatë, rreth 85 deri 90 përqind e njerëzve nuk shfaqin simptoma gjatë vitit, mbas operacionit. Deri në 20 përqind e njerëzve nuk shfaqin simptoma 15 vjetë mbas operacionit.

Operacionet që kryhen më shpesh për sëmundjen e Crohn-it janë:

Heqja e një pjese të zorrës së trashë – Për këtë procedurë, kirurgu heq pjesën e sëmurë të zorrës (procedurë e cila quhet rezeksion), pastaj i ribashkon të dy fundet (kjo procedurë quhet anastomosis). Mbas operacionit, shumica e njerëzve janë akoma në gjendje të kenë lëvizje të zorrës si zakonisht, nëpërmjet anusit.

Në disa raste kirurgu nuk është në gjendje të rilidhë dy fundet e zorrës, por është në gjendje të lidhë zorrët nëpërmjet një çarjeje në bark. Kjo procedurë quhet "ostomi". Mbeturinat dalin nga trupi juaj nga ostomia dhe jo nga anusi. Do t'ju duhet të mbani një çantë plastike në pjesën e jashtme të ostomisë për të mbledhur mbeturinat dhe pastaj ta zbrazni çantën sipas nevojës. Në shumicën e rasteve ostomia është e përkohshme, kështu që ajo hiqet mbasi të jetë shëruar zorra e trashë, pra pas disa muajsh. Në raste të tjera kërkohet një ostomi e përhershme.

Idea e ostomisë mund të jetë frikësuese. Do t'ju duhet të mësoni se si të kujdeseni për ostominë, se si të kujdeseni për lëkurën rreth ostomisë si dhe si ta mbushni dhe zbrazni çantën që mbulon ostominë. Për këtë ka infermierë të specializuar, pra infermierë për kujdesin ndaj njerëzve me ostomi. Me kalimin e kohës, duke u stërvitur vazhdimisht dhe duke pasur mbështetje është e mundur të bëhet një jetë normale me ostomi.

Hapja e bllokimeve – Plastika e strikturës është një procedurë e cila përdoret për të hapur bllokimet (ngushtimet në zorrë). Ndonjëherë bëhet në të njëjtën kohë me rezeksionin. Plastika e strikturës mund të rekomandohet nëse keni vazhdimisht bllokime në një pjesë të veçantë të zorrës.

SËMUNDJA E Crohn-it DHE MËNYRA E JETESËS

Ka disa lloj ushqimesh apo grup ushqimesh të cilat përkeqësojnë simptomat tuaja, veçanërisht gjatë shpërthimeve të sëmundjes, prandaj është e këshillueshme të evitohen përkohësisht këto ushqime. Megjithatë, eleminimi i të gjithë grupeve të ushqimit mund të shpjerë në kequshqyerje. Flisni me mjekun tuaj ose me një dietolog i cili mund t'ju ndihmojë me përshtatjen e dietës.

Të tjera rekomandime për mënyrën e jetesës janë:
●Aktiviteti i rregullt fizik është një ide e mirë për gjithkënd, duke përfshirë njerëzit me sëmundjen e Crohn-it.
●Pirja e duhanit mund të përkeqësojë sëmundjen e Crohn-it e për pasojë rrit rrezikun e nevojës për operacion. Njerëzit me sëmundjen e Crohn-it nuk duhet të pijnë duhan.
●Evitoni marrjen e ilaçeve antiinflamatore josteroidale si psh: ibuprofen (që shitet si Motrin e Advil) dhe naprosyn (që shitet si Aleve) pasi mund të përkeqësojnë sëmundjen.

Sëmundja e Crohn-it dhe kanceri i zorrës së trashë — Sëmundja e Crohn-it rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit kolorektal. Rreziku varet se sa gjatë keni vuajtur nga sëmundja e Crohn-it dhe në ç'masë është ndikuar zorra e trashë.

Për ta zbuluar kancerin kolorektal sa më shpejt që të jetë e mundur, shumë ekspertë rekomandojnë që njerëzit me sëmundjen e Crohn-it të fillojnë ekzaminimin e kancerit të zorrës së trashë sa më shpejt dhe ta kryejnë këtë ekzaminimin shpesh. Për disa njerëz kjo do të thotë bërja e kolonoskopisë tetë vjet mbas diagnostikimit dhe më pas çdo vit. (Shiko “Kolonoskopia”).

Flisni me personelin e kujdesit shëndetësor për të marrë informacion se kur duhet të filloni ekzaminimin për kancerin e zorrës së trashë dhe sa shpesh duhet ta përsërisni këtë ekzaminim.

PROVAT KLINIKE
Po punohet vazhdimisht për të prodhuar medikamente të reja për kurimin e sëmundjes së Crohn-it. Shumica e ilaçeve të reja për të cilat po punohet ndihmojnë në kontrollin e inflamacionit. Shumica e këtyre ilaçeve kohët e fundit janë duke iu nënshtruar provave klinike. Deri tani, asnjëri nga këta nuk është provuar të jetë më i mirë se medikamentet që janë aktualisht në përdorim.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!