Hemorroidet
Çfarë janë hemorroidet?
Termi hemorroide i referohet një situate në të cilën venat përreth anusit ose pjesës së poshtme të rektumit janë të fryra dhe të skuqura.
Hemorroidet mund të jenë shkak i shtërzimeve për të defektuar. Faktorë të tjerë që luajnë rol në formimin e tyre janë shtatzënia, moshimi, konstipacioni (kapsllëku) kronik ose diarreja (barkqitja) kronike.
Hemorroidet janë ose brenda anusit (interne), ose jashtë lëkurës përreth anusit.
Cilat janë simptomat (shenjat dalluese) të hemorroideve?
Disa probleme anorektale që përfshijnë fisurat, abcesin, irritimin, kruajtjen dhe djegien (pruritis ani), kanë të njëjtat shenja dhe gabimisht i referohen hemorroideve.
Hemorroidet zakonisht nuk janë të rrezikshme për jetën. Në shumë raste simptomat e hemorroideve ikin brenda disa ditëve.
Ndonëse shumë njerëz që kanë hemorroide nuk shfaqin shenja fare, shenja më e shpeshtë e hemorroideve të brendshme është gjaku i pastër që lyen feçet, letrën e tualetit dhe WC. Ndonjëherë hemorroidet e brendshme rrëshqasin jashtë anusit, irritohen dhe bëhen të dhimbshme. Këto lloj hemorroidesh quhen të prolabuara.
Shenjat e hemorroideve të jashtme përfshijnë dhimbje, ënjtje, ose një kokërr të madhe përreth anusit si rezultat i mpiksjes së gjakut, situatë e cila njihet si trombozë e hemorroideve të jashtme.
Përveç kësaj, lodhja e tepruar, fërkimi ose pastrimi përreth zonës së anusit mund të shkaktojnë irritim të shoqëruar me hemorragji apo kruarje e cila mund të bëhet një rreth vicioz shenjash. Mukusi i tepërt gjithashtu mund të shkaktojë kruarje.
Sa të shpeshta janë hemorroidet?
Hemorroidet janë shumë të shpeshta si tek burrat edhe tek gratë. Pothuajse gjysma e popullsisë kanë hemorroide rreth moshës 50 vjeç. Gjithashtu, hemorroidet mund të jenë të shpeshta edhe tek gratë shtatzëna, situatë e cila shpjegohet me presionin që fetusi shkakton në bark. Ndryshimet hormonale shkaktojnë gjithashtu zgjerim të venave hemorroidale. Gjithsesi hemorroidet gjatë shtatzënisë janë probleme kalimtare.
Si diagnostikohen hemorroidet?
Një diagnostikim i saktë mund të bëhet vetëm nga mjeku. Është shumë e rëndësishme që të të paraqiteni tek mjeku specialist në momentin që keni hemorragji sepse ajo mund të jetë shenjë e sëmundjeve të tjera të traktit tretës përfshirë dhe kancerin e zorrës së trashë (kolorektal).
Doktori do të ekzaminojë anusin tuaj nëpërmjet "touché rectale" që do të thotë ekzaminim i cili realizohet me gisht të lubrifikuar për të prekur anomalitë përreth.
Një ekzaminim tjetër për hemorroidet është ai me anoskop, një tub i ndriçuar që lejon pamjen e anusit nga brenda për të vlerësuar hemorroidet e brendshme.
Për të përjashtuar mundësinë e ndonjë sëmundjeje tjetër të traktit tretës, është shumë e rëndësishme të kryhet videokolonoskopia.
Si parandalohet formimi i hemorroideve?
Trajtimi medikamentoz i hemorroideve ka për qëllim të lehtësojë simptomat, por janë të rëndësishme masat parandaluese për formimin e tyre.
Parandalimi i përsëritjeve të hemorroideve do të kërkojë jashtëqitjen normale (pa kapsllëk), e cila arrihet me një dietë të pasur me fibra dhe lëngje. Me anë të kësaj diete arrihet që materialet fekale të jenë të buta dhe lehtësisht të lëvizshme nëpër zorrë duke mënjanuar shtërzimet në defekim dhe uljen e presionit të venave të anusit. Ngrënia e sasisë së duhur të fibrave ushqimore dhe pirja e 6 deri në 8 gota lëng (pa alkool) rezultojnë në jashtëqitje të butë e të formuar, e cila bën të lehtë zbrazjen e zorrës.
Fibrat ushqimore merren nëpërmjet konsumit të frutave, perimeve dhe miellit me përmbajtje krundesh. Mjeku mund t'ju rekomandojë të merrni edhe fibra suplementare si për shmebull produkte farmaceutike.
Aktiviteti fizik ku përfshihet të ecurit, si dhe rritja e sasisë së fibrave dhe lëngjeve në dietë janë një kombinim i duhur për parandalimin dhe mospërsëritjen e hemorroideve.
Dieta e rekomanduar për hemorroidet
Frutat:
Mollë, dardha, rrush, bostan, shegë, luleshtrydhe, kumbulla, pjeshke, ananas, mango.
Te pihet sa më shumë ujë
Ushqimet e pasura me fibra buka e zeze, perimet e blerta, sallatat, lakrat, spinaqi,
Perime:
lulelakrat, karotat, panxhari, bishtajat, fasule, bizele, thjerrëza, kunguj, kastraveci
Të shmangen nga dieta ushqimet e mëposhtme:
Pikantet: speca djegës, piper
Ushqimet e ëmbla me shumë sheqer,
Pijet e ëmbla dhe me konservante si: Cola, Fanta, Pijet energjike
Banane, bamje, kos, djathë, gjize
Pijet alkoolike,
Fastfood, hamburger, sandviç, patate të skuqura, patatinat.
Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!