Ulçerat

Ulçerat gastrike dhe duodenale janë relativisht të shpeshta në subjektet klinike. Për momentin metoda më e mirë e diagnostikimit të tyre është videoendoskopia e traktit të sipërm tretës (gastroskopia). Doktori lehtësisht kalon gastroskopin (një tub i hollë i cili në majë ka një kamerë), nëpërmjet gojës në brendësi të stomakut për të parë mukozën e tij.

Simptomat mund të jenë të shumëllojshme. Ato ndryshojnë nga njëri pacient tek tjetri, siç mund të jetë një ulçer që zhvillohet pa shkaktuar dhimbje ose në të kundërt dhimbjet mund të jenë aq të forta sa mund të prishin gjumin.

Diagnoza të tjera diferenciale nga ulçerat janë: probleme të paretit abdominal, gastritet, sëmundjet e rrugëve biliare (tëmthit), pankreatit (infeksion i pankreasit).

Është e rëndësishme të theksohet se disa njerëz keqkuptohen me këtë diagnozë. Nuk do të thotë që edhe pse jeni diagnostikuar njëherë me ulcer do ta keni atë gjithë jetën. Është e rëndësishme të ritheksohet që në ditët e sotme ulcerat janë totalisht të kurueshme. Ulcerat, si gastrike dhe duodenale janë të kurueshme, por duke marre një mjekim të përshtatshëm për një muaj ose në vazhdimësi.

Komplikacionet më të shpeshta të ulçerave janë hemorragjia dhe perforacioni (plasja e stomakut) të cilat mund ta rrezikojnë seriozisht jetën e pacientit. Në qoftë se edhe pas një muaj mjekimi simptomat vazhdojnë, do të thotë që ulçera mund të jetë malinje (kancer)

Shih videot e disa ulcerave të diagnostuar në kliniken tonë.

ENDOSKOPIA ofron një metodë të ndjeshme, specifike dhe të sigurt diagnostikimi të ulcerave peptike dhe vlerësimit të tyre me biopsi. Përcaktimi i ndjeshmërisë së endoskopisë varet nga standardi i përdorur për krahasim.

HELICOBACTER PYLORI Ekziston një lidhje shumë e ngushtë ndërmjet infeksionit nga H.pilori dhe zhvillimit të ulçerave peptike. Ulcerat peptike ndryshuan dramatikisht me 1980 kur u raportuan lidhjet midis infeksionit nga h.pylori dhe ulçerave duodenale.

Fillimisht ky raportim u prit me shumë skepticizëm por tani është mëse e vërtetuar. Tashmë testi i H.pilorit kryhet tek të gjithë pacientët e diagnostikuar me ulçera peptike ose tek ata që kanë histori me ulçerën. Për disa pacientë, sëmundja ulçeroze duhet të konsiderohet si komplikacion prej një infeksioni bakterial kronik që është i trajtueshëm dhe i shërueshëm.


Këto janë katër komplikacione të ulcerave peptike:


Hemoragjia: hemoragjia e traktit të sipërm digjestiv (nga stomaku)që vjen si pasojë e një ulçere peptike është një nga shkaqet më të shpeshta që rezulton me një shkallë të lartë mortaliteti (vdekshmërie).

Shenjat me të shpeshta te kësaj lloj hemorragjie janë hematemesis (të vjella me gjak të pastër ose të vjella më përmbajtje hemorragjike në ngjyrë kafe të errët), melena ( jashtëqitje me ngjyrë të zezë), hematochesia, zakonisht shenjë e hemorragjisë së traktit të poshtëm digjestiv (nga zorra), gjithashtu mund të jetë e pranishme edhe në hemorragjitë e mëdha nga stomaku. Lavazhi, i cili bëhet me një sondë nazogastrike, nga e cila del gjak i pastër ose në ngjyrë kafe të errët, ka pushuar ose është përtej pilorit të mbyllur.

Shumë pacientë me hemorragji nga ulçerat peptike mund të trajtohen me perfusione I/v, transfusion gjaku, terapi medikamentoze dhe me ndalim endoskopik të hemorragjisë në qoftë së është e nevojshme. Vdekshmëria prej hemorragjive nga ulçerat peptike nuk ka ndryshuar gjatë këtyre viteve. Ajo ka mbetur 7-10%, pavarësisht përparimeve të metodave të trajtimit dhe diagnostikimit të pacientëve. Ata që kanë hemorragji aktive nga ulçerat mund t'u behet skleroterapi, ndalim i hemorragjisë endoskopikisht me një age dhe sol adrenalinë, ose ndalim i hemorragjisë termikisht (koagulim me temperaturë të lartë).

Perforacioni: Ulçerat duodenale, antrale dhe të corpus ventriculi shkaktojnë përkatësisht 60%, 20% dhe 20% të perforacioneve (plasjeve) prej ulçerave peptike.1/3 ose ½ e perforacioneve të ulçerave janë të lidhura me përdorimin e inflamatorëve jo steroid (NSAIDs) si ibubrofeni, naproxeni etj. Kjo ndodh më shpesh tek pacientët e moshuar.

Penetrimi: Ulçerat penetrante i referohen ulçerave të cilat depërtojnë nëpër murin e zorrës pa shkaktuar çarje ose rrjedhje të përmbajtjeve luminale në kavitetin peritoneal (hapësirën e barkut) .Sipas ndërhyrjeve kirurgjikale penetrimi ndodh në 20% të ulçerave, por vetem një pjesë e vogël e tyre bëhen të dukshme klinikisht. Vendet ku ndodh më shpesh penetrimi janë në rend zbritës si më poshtë: pankreasi, omentumi gastro-hepatik, rrugët bilare, hepari (melçia), omentumi i madh, koloni i mesëm, kolon, dhe në strukturat vaskulare.

Ulçerat antrale dhe duodenale mund të penetrojnë në pankreas. Gjithashtu, ulçerat pilorike dhe prepilorike mund të penetrojnë në duoden duke shkaktuar fistula gastro-duodenale të dukshme si pilor i dyfishtë. Historia e ulçerës penetrante kërkon vëmendje të veçantë. Ndryshimet në simptoma tregojnë përfshirjen e strukturave ngjitur.

Ndryshimi i simptomave mund të ndodhë gradualisht ose në mënyrë të menjëhershme. Shpesh, shoqërohet me humbje të shfaqjes së dhimbjes lidhur me të ngrënët dhe ulje të aciditetit. Dhimbja tipike bëhet më e fortë, më e zgjatur në kohë dhe më e shpeshtë në pjesën e poshtme te kraharorit dhe në pjesën lumbare (të mesit). Një hiperamilazemi e lehtë mund të shoqërohet me penetrim të ulçerave të paretit posterior të duodenit, por klinikisht pankreatiti (infeksioni i pankreasit) është i rrallë.

Penetrimi mund të shoqërohet me një sërë komplikacionesh të rralla si abces visceral (i dukshëm në skaner ose echografi) dhe erozione (gërryerje) në brendësi të strukturave vaskulare që shkaktojnë hemorragji. Komplikacionet e rrugëve biliare edhe pse të rralla përfshijnë erozione të pemës biliare të shoqëruara me fistula koledoko-duodenale, ekstra hepatiko obstruksione ose hematobilia.

Fistulizimi në duktusin pankreatik gjithashtu është vënë re në ulçerat penetrante duodenale. Fistula gjithashtu janë vënë re tek ulçerat në kurvaturë major, në veçanti tek ulçerat margjinale. Karakteristikë tipike e këtij komplikimi janë dhimbjet, humbjet në peshë, diarreja (barkqitja), dhe më rrallë të vjellat, ndonëse këto janë simptoma të rëndësishme diagnostikimi. Mund të ndodhë gjithashtu edhe fistula kolo-duodenale. Nuk ka studime rigoroze për të menaxhuar pacientët me ulçera penetrante.

Obstruksioni: Ky komplikacion është më i rrallë. Shumë raste janë të lidhura me ulçerat duodenale ose të kanalit pilorik. Me ulcera gastrike numërohen vetëm 5% të rasteve.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!