Hemorragjia e traktit digjestiv (tretës)

Hemorragjia në traktin tretës është një shenjë sëmundjeje dhe jo sëmundja vetë. Hemorragjia ndodh nga një sërë faktorësh, disa prej të cilëve janë kërcënues për jetën. Shumë arsye të hemorragjisë janë të kurueshme dhe të kontrollueshme, si për shembull ulçerat apo hemorroidet. Shkaku i hemorragjisë mund të mos jetë serioz, por lokalizimi i burimit të saj është i rëndësishëm.

Trakti tretës përfshin ezofagun, stomakun, zorrën e hollë, zorrën e trashë, rektumin dhe anusin. Hemorragjia mund të ndodhë në një prej këtyre pjesëve, nga zona të vogla siç janë ulçerat e stomakut ose nga hapësira të mëdha siç është inflamacioni i mukozës së kolonit (zorrës së trashë). Ndonjëherë hemorragjia ndodh pa u vënë re nga personat. Kjo lloj hemorragjie quhet okulte ose e fshehur. Fatmirësisht, një analizë e thjeshtë feçe gjaku okult mund ta vërtetojë praninë e saj.

Çfarë e shkakton hemorragjinë në traktin digjestiv (tretës)?

Acidi i stomakut mund të shkaktojë inflamacion i cili mund të çojë në hemorragji në pjesën e poshtme të ezofagut. Zakonisht, kjo situatë shoqërohet me djegie kraharori dhe quhet ezofagitis ose inflamacion i ezofagut. Në shumë raste, muskujt ndërmjet fundit të ezofagut dhe fillimit të stomakut nuk realizojnë mbylljen plotësisht të sfinkterit i cili në këtë rast lejon kthimin e lëngjeve acide të stomakut në ezofag dhe si rrjedhoje ndodh inflamacioni.

Një shkak tjetër që s'ka lidhje me fenomenin e sipërpërmendur, janë variçet (vena të fryra), në pjesën e poshtme të ezofagut të cilat mund të çahen dhe të shkaktojnë hemorragji të madhe.


Cirroza e mëlçisë është shkaku më i zakonshëm që shkakton variçet.

Hemorragjia ezofageale mund të ndodhë dhe nga disa të çara të mukozës së ezofagut të quajtura Mallory-Weiss të cilat ndodhin për shkak të të vjellave të shpeshta si rezultat i presionit të rritur të abdomenit (barkut) nga kolla, hernia hiatale apo shtatzënia.

Kanceri i ezofagut gjithashtu mund të shkaktojë hemorragji

Stomaku është një vend i zakonshëm ku ndodhin hemorragjitë. Inflamacioni bashkë me helicobacter Pylori, alkooli, aspirina dhe medikamente të tjera si për shmebull anti-inflamatorët josteroidë (ibubrofeni, voltareni, nimesulid, etj.), kryesisht ato që kurojnë sëmundjet reumatizmale, mund të shkaktojnë ulçer ose inflamacion.
Ulçerat akute ose kronike mund të zmadhohen dhe të gërryejnë një enë gjaku duke shkaktuar hemorragji.

Gjithashtu, në pacientët që vuajnë nga djegiet, shoku, dëmtime në kokë, kanceri ose në ata të cilët i janë nënshtruar një operacioni të madh, ka gjasa të krijohet ulçera nga stresi.

Hemorragjia mund të ndodhë edhe si rezultat i një tumori beninj apo kanceri, ndonëse këto sëmundje nuk shkaktojnë hemorragji të mëdha.

Një tjetër burim i shpeshtë hemorragjie nga trakti i sipërm tretës është duodeni.

Ulçerat duodenale zakonisht shkaktohen nga inflamacioni Helicobacter Pylori ose prej medikamenteve si për shembull aspirina dhe anti-inflamatorët josteroidë.
Në traktin e poshtëm tretës, zorra e trashë dhe rektumi janë vendet ku ndodhin më shpesh hemorragjitë.
Hemorroidet janë vena të zmadhuara në pjesën anale të cilat mund të çahen dhe shkaktojnë hemorragji me gjak të pastër i cili është i dukshëm në letrën e tualetit apo WC.

Në qoftë se shihet gjak i pastër, është shumë i rëndësishëm përjashtimi i arsyeve të tjera që shkaktojnë hemorragji, sepse zona anale mund të jetë vendi i fisurave, inflamacionit dhe kancerit.

Rritjet beninje ose siç quhen ndryshe polipet e zorrës janë shumë të shpeshta dhe njihen si pararendës të kancerit. Këto rritje mund të shkaktojnë gjithashtu gjakderdhje të pastër ose të fshehtë.

Kanceri i zorrës së trashe është një nga kancerat më të shpeshtë në Shqipëri.

Inflamacioni nga një sërë faktorësh mund të prodhojë një hemorragji të gjerë të zorrës. Inflamacione të ndryshme intestinale mund të shkaktojnë diarre me gjak.

Koliti ulçeroz mund të shkaktojë inflamacion dhe hemorragji të një zone të gjerë të zorrës prej ulceracioneve të vogla. Sëmundja Crohn e zorrës së trashë gjithashtu mund të shkaktojë hemorragji.
Sëmundja divertikulare gjithashtu mund të shkaktojë hemorragji.

Pacientët që marrin mjekime për hollimin e gjakut mund të kenë hemorragji të traktit digjestiv, veçanërisht nëse marrin aspirina.

Cilat janë shkaqet kryesore që shkaktojnë hemorragjinë digjestive?

Ezofagu - Inflamacioni (ezofagiti)
- Vena të zgjeruara (varice)
- gërvishtje (Mallory-Weiss sindrom)
- Kanceri
Stomaku
- Ulcerat
- Gastritet
- Kanceri
Zorra e holle
- Ulcerat duodenale
- Kanceri
Zorra e trashe dhe rectumi
- hemorroidet
- infeksioni
- inflamacion (koliti ulceroz)
- Polipet kolorektale
- Kanceri kolorectal
- Sëmundja divertikulare

Si dallohet hemorragjia e traktit digjestiv?

Shenjat e hemorragjisë së traktit digjestiv varen nga lokalizimi dhe ashpërsia e gjakderdhjes. Në qoftë se gjaku vjen nga zorra e trashë dhe rektumi, ai mund të jetë i pastër ose i përzier me materialet fekale. Materialet fekale mund të jenë të përziera me gjak të errët në qoftë se hemorragjia vjen nga pjesa e sipërme e zorrës së trashë apo prej zorrëve të holla. Kur ka hemorragji në ezofag, stomak apo duoden, materialet fekale zakonisht janë me ngjyrë të zezë. Materialet e vjella mund të jenë me përmbajtje gjaku të pastër ose në ngjyrë kafe. Në qoftë se hemorragjia është e fshehte pacienti nuk mund ta dallojë ndryshimin e ngjyrës së feçeve.

Kur ndodh papritur hemorragji masive, pacienti ndihet i dobët, ka marramendje, dobësi të përgjithshme, frymëmarrje të dobët, krampe abdominale ose diarre. Mund të ndodhë gjendje shoku me puls të shpejtuar, rënie të presionit të gjakut dhe vështirësi për të urinuar. Pacienti mund të bëhet shumë i zbehtë.

Kur hemorragjia është e pakët dhe ndodh për një periudhë të gjatë kohe, pacienti fillon të ndihet gradualisht i lodhur, letargjik (i plogësht), me vështirësi në frymëmarrje, dhe i zbehtë prej anemisë. Anemia është një situatë ku pakësohen rruazat e gjakut të pasura me hekur dhe hemoglobina.

Si diagnostikohet hemorragjia në traktin tretës?

Vendi i hemorragjisë duhet të lokalizohet. Historia mjekësore dhe ekzaminimi i plotë fizik janë të rëndësishëm. Shenja të tilla si ndryshime në funksionin e zorrës, ndryshime të ngjyrës së materialeve fekale (të zezë apo katran), përbërja e tyre (e butë apo e fortë), dhe prania e dhimbjeve apo ndjeshmëria mund të ndihmojnë doktorin se cila pjesë e traktit tretës është e prekur.

Për shkak të marrjes së hekurit, bismuthit ose përdorimit të disa ushqimeve të cilat mund t’i japin ngjyrë të errët materialeve fekale të njëjtë me atë që i jep hemorragjia nga trakti tretës, doktori mund të testojë feçet tuaja për prani hemorragjie me një analize të quajtur feçe për gjak okult.

Matja e parametrave të gjakut mund të tregojë nëse pacienti është anemik, duke ndihmuar doktorin të mendojë për ndonjë hemorragji të mundshme.

Endoskopia

Endoskopia është mënyra më e shpeshtë dhe më e sigurtë e diagnostikimit e cila lejon pamje direkt të vendit të hemorragjisë. Në shumë raste endoskopia përdoret njëkohësisht dhe si mënyre trajtimi.

Endoskopi është një instrument fleksibël i cili mund të futet nga goja ose rektumi i pacientit, duke lejuar doktorin të vlerësojë ezofagun, stomakun, duodenin (gastro-duodenoskopia), zorrën e trashë (kolonoskopia), dhe rectumin (sigmoidoskopia).

Mënyra më e mirë për të diagnostikuar zorrët e holla është video-kapsula e cila gëlltitet nga pacienti. Kapsula ka një kamerë të vogël e cila transmeton imazhe në video monitor. Kjo metodë përdoret për të gjetur hemorragjitë në zonat e zorrës së hollë të cilat janë të vështira për tu parë me endoskopi konvencionale.

Procedura të tjera

Ekzistojnë një sërë metodash të tjera për të lokalizuar burimin e gjakderdhjes. Radiografia me barium, në përgjithësi është më pak e saktë se sa endoskopia në lokalizmin e hemorragjisë. Ajo është e pavlefshme për të marrë biopsi dhe për ta trajtuar atë.

Skaneri është i vlefshëm veçanërisht në rastet kur kemi sëmundje inflamatore apo kancer. Angiografia është një teknikë që përdor lëndë kontrast për të nxjerrë në pah enët e gjakut.

Kjo procedurë është shumë e përdorur në situatat kur pacienti ka hemorragji të madhe aq sa lënda kontrast rrjedh nga enët e gjakut dhe identifikon lokalizimin e gjakderdhjes. Në raste të veçanta angiografia lejon injektimin e një ilaçi nëpërmjet arteries për të ndalur hemorragjinë.

Si trajtohet hemorragjia e traktit tretës?

Endoskopia është primare në diagnostikim dhe procedurën terapeutike për shumë shkaqe të hemorragjisë gastro-intestinale. Hemorragjia aktive gastro-intestinale shpesh mund të ndërpritet duke injektuar solucione direkt në vendin e gjakderdhjes nëpërmjet një ageje që futet në kanalet e endoskopit. Doktori gjithashtu mund të kauterizojë vendin e hemorragjisë dhe indet përreth me temperaturë të lartë nëpërmjet elektrokauterit. Pasi ndërpritet hemorragjia, jepet terapi medikamentoze për të parandaluar përsëritjen e hemorragjisë. Medikamentet fillimisht janë të vlefshme për helikobater pilorin, ezofagitin, ulçerat, infeksionet dhe sëmundjen e zorrës së irritueshme.

Trajtimi medikamentoz i ulçerave ka për synim çrrënjosjen e helicobakter pilorit. Heqja e polipeve me endoskopi mban nën kontroll hemorragjinë që rrjedh prej polipeve të zorrës së trashë. Heqja e hemorroideve është efektive tek pacientet që vuajnë nga hemorragjia hemorroidale. Injektimi endoskopikisht ose kauterizimi mund të përdoret gjithashtu për të trajtuar hemorragjitë e traktit të poshtëm tretës.

Teknikat endoskopike nuk e ndalin gjithmonë hemorragjinë. Në disa raste angiografia është më efektive.

Gjithsesi kirurgjia është shpesh e nevojshme për të kontrolluar hemorragjitë aktive, të ashpra dhe të përsëritura, kur dështon endoskopia.


Si të dalloni gjakun në feçe dhe të vjellat?

- Gjak i pastër që mbulon feçet .
- Gjak i errët i përziere me feçet.
- Feçe të zeza ose katran.
- Gjak i pastër në të vjella.
- Të vjella me përmbajtje gjaku në ngjyrë kafe.

Cilat janë shenjat e hemorragjisë akute?

- Një nga shenjat e hemorragjisë të përmendura më sipër.
- Dobësi e përgjithshme.
- Vështirësi në frymëmarrje
- Marramendje
- Dhimbje barku në formë krampesh.
- Ligështi
- Diarre

Cilat janë shenjat e hemorragjisë kronike?

- Njëra prej shenjave të hemorragjisë të përmendura më sipër.
- Pafuqi
- Lodhje
- Vështirësi në frymëmarrje
- Plogështi
- Ligështi
 

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!