Sindromi i Zorrës së Irritueshme (SZI)
Çfarë është sindromi i zorrës se irritueshme?
Sindromi i zorrës së irritueshme është një çrregullim më shpesh i karakterizuar me dhimbje barku të lehta dhe në formë krampesh, fryrje barku, kapsllëk (konstipacion) ose barkqitje (diarre). SZI shkakton në të njëjtën kohë një situatë parehatie dhe stresi, por nuk jep dëmtime të përhershme të zorrës dhe nuk çon në një sëmundje serioze siç është kanceri. Shumica e njerëzve mund t'i kontrollojnë shenjat me dietë, duke kontrolluar stresin ose me ilaçe të rekomanduara nga mjeku. Megjithatë, për disa njerëz SZI mund të jetë një situatë paaftësie për ta. Ata mund të jenë të paaftë për të punuar, për të marrë pjesë në evente sociale ose për të udhëtuar qoftë dhe në distanca të shkurtra.
Sindromi i zorrës së irritueshme ndodh më shpesh tek femrat se te meshkujt. Ai fillon të shfaqet në moshën 35 vjeç në rreth 50% të njerëzve.
Cilat janë shenjat e sindromit të zorrës së irritueshme (SZI)?
Dhimbja dhe fryrja e barkut janë shqetësimet më të shpeshta të SZI-së. Gjithsesi, shenjat variojnë nga personi në person. Disa mund të kenë kapsllëk (konstipacion), që do të thotë vështirësi për të dalë jashtë.
Disa të tjerë mund të kenë shtrëngime dhe dhimbje gjatë daljes jashtë (defekimit) dhe sado që mundohen, nxjerrin masa të vogla fekalesh (mbetje ushqimore). Disa njerëz të tjerë me SZI kanë barkqitje (diarre) e cila është e shpeshtë dhe e ujshme. Njerëzit me diarre të shpeshtë kanë urgjencën për të defekuar (dalë jashtë).
Disa njerëz të tjerë kanë alternime të kapsllëkut (konstipacionit) dhe barkqitjes (diarresë).
Shpeshherë tek disa njerëz shenjat qetësohen për pak muaj dhe pastaj rikthehen, ndërsa disa të tjerë referojnë shenja të ashpra të cilat zgjasin për një kohë të gjatë.
Çfarë e shkakton sindromin e zorrës së irritueshme, SZI?
Kërkimet ende nuk kanë treguar ndonjë shkak specifik të SZI-së. Në teori, njerëzit që vuajnë nga SZI kanë një zorrë të trashë e cila është e ndjeshme dhe reagon ndaj disa ushqimeve dhe stresit.
Sistemi imunitar i cili lufton infeksionet, mund të përfshihet gjithashtu si shkaktar.
Personat që kanë sindromin e zorrës së irritueshme mund të mos kenë një lëvizshmëria normale të zorrës. Zorra mund të jetë spastike ose mund të ndalojë së lëvizuri përkohësisht. Spazmat janë kontraktime të forta të papritura të muskujve të cilat vijnë dhe shkojnë. Shtresa e mukozës së zorrës e quajtur epitelium, e cila është prekur nga sistemi imunitar dhe ai nervor, rregullon rrjedhjen e lëngjeve brenda dhe jashtë zorrës. Në sindromin e zorrës së irritueshme duket sikur epitelium punon normal. Mirëpo, kur përmbajtja brenda në zorrë lëviz shumë shpejt, zorra humbet aftësinë për të përthithur lëngjet. Rezultati është prania e shumë lëngjeve në feçe. Tek persona të tjerë lëvizjet brenda zorrës janë shumë të ngadalta. Ato shkaktojnë përthithje të tepërt të lëngjeve dhe si rezultat personi bëhet kaps.
Zorra e një personi mund të përgjigjet fort ndaj një stimuli, siç janë disa ushqime të veçanta dhe stresi, gjë që mund të mos të shqetësojë persona të tjerë.
Kërkimet e fundit kanë treguar se serotonina ka lidhje me funksionin normal të traktit gastro-intestinal. Serotonina është neuron transmetues ose lëndë kimike që përçon mesazhe nga njëra pjesë e trupit tek tjetra. 95% e serotoninës në trup është e lokalizuar në traktin gastro-intestinal kurse pjesa tjetër, 5% gjendet në tru. Qelizat që veshin pjesën e brendshme të zorrës punojnë për të mbajtur dhe transportuar serotoninën jashtë traktit gastro-intestinal.
Njerëzit me SZI kanë zhdukje të aktivitetit receptor duke shkaktuar vlera anormale të serotoninës që ndodhet në traktin gastro-intenstinal. Si rezultat, njerëzit me SZI kanë probleme me lëvizshmërinë e zorrës dhe receptorët e tyre janë më të ndjeshëm ndaj dhimbjeve të traktit tretës.
Për më tepër, njerëzit me SZI vuajnë shpesh nga stresi dhe ankthi i cili mund t’i ashpërsojë shenjat.
Gjithashtu, në të njëjtën mënyrë dhimbjet prej zorrës se irrituar mund të shkaktojnë ankth dhe stres.
Kërkimet kanë treguar se sindromi i zorrës së irritueshme mund të shkaktohet prej një infeksioni bakterial në traktin tretës.
Studimet tregojnë se njerëzit që kanë pasur ndonjëherë gastroenterit zhvillojnë dhe sindromin e zorrës se irritueshme i quajtur ndryshe dhe SZI post-infeksioni.
Studiuesit gjithashtu kanë gjetur sëmundje celiake të lehtë tek disa njerëz me shenja të ngjashme me atë të sindromit të zorrës së irritueshme. Sikurse dihet, njerëzit me sëmundjen celiake nuk mund të tresin glutenin i cili gjendet tek gruri, thekra dhe elbi.
Në vijim po ju tregojmë disa arsye se përse përkeqësohen shenjat e sindromit të zorrës së irritueshme:
- Vaktet e mëdha në sasi;
- Fryrja prej gazrave në zorrë;
- Medikamentet;
- Gruri, thekra, elbi, çokollatat, produktet e qumështit dhe alkooli;
- Pijet me kafetinë si p.sh. kafeja, çaji, koka-kola;
- Stresi, konfliktet dhe shqetësimet emocionale.
Studiuesit kanë gjetur se tek gratë me sindromin e zorrës së irritueshme, shenjat gjatë ciklit menstrual janë më të ashpra, çka do të thotë që hormonet riprodhuese ashpërsojnë problemet e SZI.
Çfarë bën zorra e trashë?
Zorra e cila është e gjatë rreth 1.5 metra lidh zorrët e holla me rektumin dhe anusin. Funksioni madhor i saj është të përthithë ujin, lëndët ushqyese, kripërat dhe pjesërisht të tresë ushqimet që vijnë nga zorrët e holla.
Lëvizshmëria e zorrës kontrollohet nga nervat, hormonet dhe nga impulset e muskujve të zorrës. Kontraksionet (tkurrjet) lëvizin përmbajtjen nga brenda zorrës në drejtim të rektumit për të dalë jashtë. Përgjatë këtij kalimi, uji dhe lëndet ushqyese janë përthithur nga trupi dhe çfarë kanë mbetur janë vetëm mbeturina.
Megjithatë, në qoftë se muskujt e zorrës, sfinkterave dhe të legenit nuk lëvizin në mënyrën e duhur, përmbajtja e zorrëz nuk lëviz për në dalje, duke shkaktuar kështu dhimbje barku të lehta ose në formë krampesh, konstipacion, ndjesinë e moszbrazjes së plotë të zorrës ose diarre.
Si diagnostikohet SZI?
Në qoftë se mendoni se keni SZI hapi i parë që duhet të bëni është të takoni doktorin. Në përgjithësi SZI diagnostikohet nëpërmjet një historiku mjekësor të kujdesshëm dhe ekzaminimit fizik.
Nuk ka teste specifike për SZI, edhe pse testet diagnostikuese mund të përjashtojnë sëmundje të tjera. Testet diagnostikuese mund të përfshijnë: ekzaminimin laboratorik të feçeve (koprokulturë/feçe parazit), teste laboratorike të gjakut dhe ekzaminimin radiologjik. Gjithashtu doktori zakonisht kryen edhe sigmioidoskopine ose kolonoskopinë të cilat përjashtojnë problemet serioze siç është kanceri i zorrës ose i rektumit.
Në qoftë se testet e sipërpërmendura rezultojnë negative, doktori mund të vendosë diagnozën në bazë të shenjave ku përfshihen: sa shpesh keni dhimbje barku krahasuar me vite më parë, kur fillon dhimbja dhe a ndalon ajo pasi keni defekuar (jashtëqitje), sa herë defekoni në ditë si dhe a ka ndryshime të përbërjes së materialeve fekale (jashtëqitjes).
Për të vendosur diagnozën e zorrës së irritueshme doktori u refereohet disa simptomave, si më poshtë:
- Lehtësohet nga defekimi (dalja jashtë);
- Kur fillon, ka ndryshime sa herë qe ju defekoni (dilni jashtë);
- Kur fillon, ka ndryshime në përbërjen ose ngjyrën e feçeve.
Mund të jenë prezente edhe disa simptoma të tjera, siç janë:
- Ndryshime lidhur me shpeshtësinë e defekimit në ditë (daljen jashtë);
- Ndryshime në mënyrën e defekimit;
- Ndjesia e urgjencës për të defekuar ose defekim i pakontrolluar;
- Vështirësi në defekim (dalje jashtë);
- Feçe me mukus (si qurre).
Gazrat, ose fryrja e barkut, gjakderdhja, temperatura, humbja në peshë, dhimbjet e forta dhe të vazhdueshme nuk janë simptoma (shenja) të sindromit të zorrës së irritueshme, por mund të tregojnë për probleme të tjera siç janë sëmundjet inflamatore të zorrës (koliti) dhe shumë rrallë kancerin.
Cili është trajtimi për SZI?
Deri tani nuk ka ndonjë kurë specifike për sindromin e zorrës së irritueshme, por ka disa opsione mjekimi për shenjat e saj. Doktori mund t’ju përshkruajë medikamente për të lehtësuar shenjat, të rekomandojë ndryshime në dietë dhe mënyra për të përballuar stresin sa më lehtë.
Medikamentet janë një pjesë e rëndësishme për lehtësimin e shenjave. Doktori mund t’ju përshkruajë suplemente me fibra ose laksativë për kapsllëkun ose medikamente për të pakësuar diarrenë. Gjithashtu do t’ju përshkruajë spazmolitik për të kontrolluar spazmat (tkurrjet) e zorrës dhe dhimbjet e barkut. Antidepresantët gjithashtu mund të ndihmojnë në lehtësimin e shenjave, por nga ana tjetër, përdorimi i tyre dhe i spazmolitikëve mund të shkaktojnë konstipacion të ashpër, kështu që doktorit mund t’i lindë nevoja të përshkruajë medikamente që relaksojnë muskujt e vezikës urinare dhe zorrëve.
Me çdo mjekim, madje dhe me një sërë mjekimesh si laksativët dhe suplementet në fibra, është shumë e rëndësishme ndjekja e këshillave të mjekut. Disa njerëz mund të raportojnë përkeqësim të fryrjes së barkut dhe rritjen e sasive të gazrave. Rritja në sasi e fibrave dhe e laksativëve mund të shkaktojë varësi në qoftë se merren shumë shpesh.
Mjekimet ndikojnë në mënyra të ndryshme tek njerëzit dhe jo çdo ilaç apo kombinim ilaçesh mund të jetë i vlefshëm për çdo njeri me SZI.
Ju duhet të bashkëpunoni me doktorin tuaj për të gjetur kombinimin e duhur të ilaçeve, dietën, përballjen dhe kontrollin e simptomave tuaja.
Si ndikon stresi në SZI?
Stresi, ndjesia mendore ose emocionale e rënduar, shqetësimi, nervozizmi, ose mbilodhja, mund të stimulojnë spazma (tkurrje) të zorrës tek njerëzit me SZI. Zorra e trashë ka shumë nerva të cilat lidhen me trurin. Njësoj si zemra dhe mushkëritë edhe zorra kontrollohet pjesërisht nga sistemi nervor autonom i cili i përgjigjet stresit. Këto nerva kontrollojnë kontraksionet (lëvizjet) normale të zorrës dhe shkaktojnë dhimbje barku në periudha stresi. Njerëzit zakonisht përjetojnë krampe (dhimbje barku) kur ndihen të stresuar ose të mërzitur. Tek njerëzit me SZI, zorra mund të mbipërgjigjet qoftë edhe në streset sado të lehta.
Disa fakte sugjerojnë që SZI influencohet nga sistemi autoimun, i cili lufton infeksionet në trup. Sistemi imun është i influencuar nga stresi.
Mbi të gjitha këto arsye, menaxhimi i stresit është pjesa me e rëndësishme për trajtimin e SZI-së.
Mundësitë për menaxhimin e stresit përfshijnë:
* Pakësimi i stresit, stërvitja dhe terapitë relaksuese siç është meditimi.
* Këshillimi dhe mbështetja.
* Ushtrimi i rregullt siç është ecja ose joga.
* Ndryshimet e situatave stresprodhuese në jetën tuaj.
* Gjumi i mjaftueshëm.
A ndihmojnë ndryshimet në dietë tek SZI?
Për disa njerëz, ngrënia me kujdes pakëson shenjat e SZI-së. Përpara se të ndryshoni dietën, mbani shënim ushqimet që ju shkaktojnë shqetësime, pastaj këto diskutojini me doktorin tuaj. Ju mund të kontaktoni një mjek dietolog i cili do t’ju ndihmojë të bëni ndryshimet në dietë. Për shembull, nëse produktet e qumështit shkaktojnë rëndim të simptomave, mund të përpiqeni t'i konsumoni sa më pak ato. Ndoshta mund të toleroni më mirë kosin se sa produktet e tjera të qumështit, sepse ai përmban bakterie që furnizojnë enzimat të cilat nevojiten për të tretur laktozën. Qumështi dhe produktet e tij janë burim i rëndësishëm i kalçiumit dhe vlerave të tjera ushqyese. Në qoftë se ju nevojitet të shmangni produktet e qumështit, sigurohuni që të merrni vlerat e duhura ushqyese nga dieta juaj ose merrni shtesa në formën e tabletave.
Në shumë raste, dieta e pasur me fibra mund të lehtësojë dhe pakësojë shenjat e SZI-së, në veçanti të kapsllëkut, por nuk mund të ndihmojë në uljen e dhimbjeve ose pakësimin e diarresë. Buka me krunde, drithërat, frutat dhe perimet janë burim i mirë i fibrave. Dieta e pasur me fibra ndihmon në mbajtjen e zorrës të relaksuar duke ndihmuar kështu në parandalimin e spazmave. Disa lloje fibrash ndihmojnë në zbutjen e materialeve fekale, duke thithur ujin në zorrë, dhe janë shumë të lehta për jashtëqitjen.
Doktori zakonisht rekomandon dietë me fibra për të pasur një jashtëqitje të lehtë dhe pa dhimbje.
Duhet përmendur që dieta e pasur me fibra shkakton shtim të gazrave dhe fryrje barku edhe pse shumica e pacientëve tregojnë që këto shenja zhduken brenda një jave.
Prija e 6-8 gotave të mëdha me ujë në ditë është shumë e rëndësishme, veçanërisht nëse jeni me diarre. Konsumimi i lëngjeve të gazuara mund të shtojë gazra dhe ndjenjën e parehatisë. Përtypja e çamçakëzëve dhe ngrënia e shpejtë mund të bëjë të mundur gëlltitje të ajrit, i cili shkakton shtimin e gazrave.
Ngrënia e vakteve të mëdha mund të shkaktojë dhimbje të forta barku ose diarre, prandaj konsumoni vakte të vogla dhe të shpeshta të cilat mund të ndihmojnë në lehtësimin e SZI-së.
Mund t'ju ndihmojë gjithashtu edhe ngrënia e vakteve me pak yndyrna dhe të pasura në karbohidrate siç janë makaronat, orizi, buka me krunde, drithërat, frutat dhe perimet.
Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!