Hemangioma e mëlçisë

Çfarë është Hemangioma e mëlçisë?

Hemangioma e mëlçisë është një mase beninje, jokanceroze, e cila zhvillohet ne mëlçi. Ajo është e përbërë nga një lëmsh vazash gjaku. Hemangioma e mëlçisë mund të quhet edhe hemangioma kavernoze.

Në shumë raste hemangioma e mëlçisë zbulohet gjatë një testi diagnostikues ose gjatë një procedure për ndonjë arsye tjetër shëndetësore. Shumë njerëz që kanë hemangiomë të mëlçisë asnjëherë nuk kanë shenja dhe asnjëherë nuk kanë nevojë për mjekim. Mund të jetë shqetësuese për ju të dini që keni një masë në mëlçi edhe pse ajo mund të jetë beninje (jokanceroze). Megjithatë nuk ka dëshmi që një hemangiomë e patrajtuar të kthehet në kancer të mëlçisë. Në të shumtën e rasteve hemangioma nuk shkakton simptoma dhe shqetësime.

Kur ajo shkakton simptoma, ato përfshijnë:
• Dhimbje barku në anën e djathtë;
• Ndjesia e të ngopurit me pak sasi ushqimi;
• Mungesë oreksi;
• Nauze;
• Të vjella.

Kur duhet të takoni doktorin?

Ju duhet të takoni doktorin në qoftë se keni shenja të cilat zgjasin në kohë dhe që janë shqetësuese për ju.

Shkaqet

Nuk është e qartë çfarë e shkakton hemangiomën. Mjekët besojnë se hemangioma është kongjenitale (e lindur). Hemangioma e mëlçisë zakonisht ndodh si një grumbullim i vetëm, i çrregullt vazash gjaku, me përmasa me pak se 4 cm. Në raste të rralla hemangioma e mëlçisë mund të jetë më e madhe ose e shumtë në numër (multiple). Në shumë njerëz hemangioma nuk rritet dhe nuk shkakton asnjë shqetësim asnjëherë, por në një numër të vogël njerëzish ajo mund të rritet duke shkaktuar komplikime (përkeqësim) të gjendjes, prandaj në të tilla raste nevojitet trajtim. Nuk është e qartë përse mund të ndodhë kjo situatë.

Faktorët e riskut

Faktorët që mund të rrisin riskun e shqetësimeve të shkaktuara nga hemangioma përfshijnë:
• Mosha. Hemangioma e mëlçisë mund të diagnostikohet në çdo moshë, por zakonisht ajo zbulohet tek njerëzit 30-50 vjeç.
• Gjinia. Femrat janë më të predispozuara për hemangiomë të mëlçisë sesa meshkujt.
• Shtatzënia. Femrat shtatzëna janë më të predispozuara të diagnostikohen me hemangiomë në krahasim me ato joshtatzëna. Kjo lidhet me arsyen se gjatë shtatzënisë rritet niveli i hormonit estrogjen, i cili luan rol në rritjen e hemangiomës së mëlçisë.
• Terapia zëvendësuese hormonale. Femrat që përdorin terapi zëvendësuese hormonale pas menopause, janë më të predispozuara të diagnostikohen me hemangiomë në krahasim me ato që nuk e përdorin këtë terapi.


Komplikacionet

• Komplikacionet që lidhen me shtatzëninë:
Femrat që janë diagnostikuar me hemangiomë të mëlçisë përballen me riskun e komplikimeve gjatë shtatzënisë. Kjo lidhet me faktin e rritjes së nivelit të hormonit estrogjen gjatë periudhës së shtatzënisë i cili mendohet se shkakton zmadhim të hemangiomës.

• Të pasurit hemangiomë nuk do të thotë që ju nuk mund të lindni fëmijë. Megjithatë duhet të diskutoni me doktorin tuaj lidhur me riskun e komplikimeve të mundshme dhe së bashku të merrni vendimet.

• Komplikacionet lidhur me terapinë zëvendësuese hormonale: Medikamentet që ndikojnë në nivelet e hormoneve të trupit tuaj siç janë pilulat e kontrollit të shtatzënisë (kontraceptivët), mund të shkaktojnë komplikime në qoftë se jeni diagnostikuar me hemangiomë të mëlçisë. Në qoftë se keni zgjedhur si metodë mbrojtëse kontraceptivët, duhet të flisni me doktorin tuaj për të mirat dhe rreziqet e kësaj metode.


Testet diagnostikuese

Testet diagnostikuese që përdoren për hemangiomën e mëlçisë përfshijnë:
• Eko abdominale;
• Endosonografia EUS;
• Tomografi të kompjuterizuar (skanerin CT);
• Rezonanca magnetike (MRI);
• PET-skaner;
Teste dhe procedura të tjera diagnostikuese do të varen nga gjendja juaj.


Trajtimi dhe mjekimi

Shumë njerëz nuk kanë nevojë për trajtim
Në qoftë se hemangioma juaj është e vogël dhe nuk shkakton asnjë shqetësim apo shenjë, ju nuk keni nevojë për trajtim. Në qoftë se shqetësoheni se hemangioma juaj mund të rritet dhe të shkaktojë komplikime, mjeku juaj do t'ju rekomandojë të bëni ekzaminime periodike për të mbajtur situatën nën kontroll.


Trajtimi për hemangiomat që shkaktojnë shqetësime.

Në qoftë se hemangioma e mëlçisë rritet mjaftueshëm sa mund të shtypë indet dhe organet përreth, ajo mund të shkaktojë shqetësime që kanë nevojë për trajtim. Trajtimi i hemangiomës varet nga situata juaj, lokalizimi dhe madhësia e saj, prania e më shumë se një hemangiome, gjendja juaj shëndetësore dhe nga preferenca juaj.

Mundësitë e trajtimit mund te jenë:
• Heqja me kirurgji: Në qoftë se hemangioma shkëputet lehtë nga mëlçia atëherë ajo mund të hiqet me kirurgji.
• Heqja me kirurgji e një pjese të mëlçisë bashkë me hemangiomën.
• Procedura që ndalojnë furnizimin me gjak të mëlçisë. Rrjedhja e gjakut mund të ndalohet duke lidhur arterien (ligaturë e arteries hepatike), ose duke injektuar medikamente në arterie për ta bllokuar atë (embolizim arterial). Pa furnizimin me gjak masa do ndalojë së rrituri ose do të zvogëlohet. Pjesa e shëndetshme e mëlçisë është e padëmtuar sepse ajo mund të ushqehet nga enët e tjera të gjakut përreth saj.
• Transplanti i mëlçisë. Në raste shumë të rralla kur hemangioma është e madhe ose nga prania e më shumë se një hemangiome (multiple), dhe kur trajtimi nuk është i mundur, doktori mund të rekomandojë transplantin e mëlçisë.
• Terapi me radiacion. Kjo lloj terapie përdor rrezet X me fuqi të lartë për të dëmtuar qelizat e hemangiomës. Ky trajtim përdoret shumë rrallë.

Suporti dhe përballja e situatës

Të jetosh me hemangiomë të mëlçisë, sado e vogël qoftë ajo, mund të jetë shqetësuese për ju. Ju mund të shqetësoheni nëse hemangioma juaj po rritet dhe nëse do të japë komplikime. Me kalimin e kohës mund të mësoheni me idenë e hemangiomës. Para se të gjeni mënyrat për të përballuar situatën, mundohuni të bëni si më poshtë:

• Informohuni për hemangiomën e mëlçisë. Pyesni doktorin rreth hemangiomës ose kërkojini burime informacioni se ku mund të lexoni.
• Njihuni me shenjat dhe simptomat e rritjes së hemangiomës. Pyesni doktorin se cilat janë shenjat që mund të dalloni nëse hemangioma po rritet ose nëse po shkakton komplikime të situatës. Shenjat mund të jenë dhimbje barku në të djathtë, përzierje, të vjella. Gjithashtu pyeteni doktorin se sa shpesh duhet të përsëritni ekzaminimet.
• Kujdesi për mëlçinë tënde. Një hemangiomë e vogël e mëlçisë nuk do të ndalojë aftësinë funksionale të mëlçisë suaj. Megjithatë ju mund të kujdeseni për një mëlçi të shëndetshme. Mos pini duhan, ndiqni udhëzimet kur përdorni kimikate shtëpiake, mbani një peshë të shëndetshme, evitoni sjelljet e rrezikshme siç janë marrëdhëniet seksuale të pambrojtura dhe përdorimi i shiringës me një tjetër person.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!