Cirroza Hepatike (e mëlçisë)

Hepari (mëlçia), organi më i madh i trupit, është i domosdoshëm në kryerjen e funksioneve bazë të trupit. Ai neutralizon helmet nga qarkullimi i gjakut, prodhon agjentët imunë (mbrojtës) ndaj infeksionit dhe largon bakteret dhe mikrobet nga qarkullimi i gjakut. Hepari prodhon proteina që rregullojnë koagulimin (mpiksjen), e gjakut dhe prodhon bilën (tëmthit) që ndihmon në tretjen e yndyrës dhe vitaminave të tretshme në yndyrë. Pa funksionet e mëlçisë nuk ka jetë.

Në cirrozën hepatike indet e dëmtuara zëvendësojnë ato normale duke bllokuar qarkullimin e gjakut në organ dhe duke mos e lëne atë të kryejë funksionet normale.

Shkaqet

Cirroza shkaktohet nga disa shkaqe të cilat po i rendisim më poshtë.

Hepatiti alkoolik. Për shumë njerëz cirroza hepatike është sinonim me abuzimin me alkoolin, por në fakt alkoolizmi është një ndër faktorët. Cirroza alkoolike zakonisht zhvillohet pas një kohe të gjate abuzimi me alkoolin. Sasia e alkoolit që mund të dëmtojë mëlçinë ndryshon nga një person tek tjetri. Tek femrat, 2-3 gota pije alkoolike në ditë mund të shkaktojnë cirrozë dhe tek meshkujt 3-4 pije në ditë. Alkooli e dëmton mëlçinë duke bllokuar metabolizmin e proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve.

Hepatiti C kronik.
Infeksioni nga virusi i hepatitis C shkakton inflamacion të gradës së lehtë në hepar i cili me kalimin e kohës mund të rëndohet duke çuar në cirrozë.

Hepatiti B dhe D kronik.
Hepatiti B është ndoshta shkaku më i shpeshtë që shkakton cirrozë në mbarë botën. Si hepatiti C ashtu dhe ai B shkakton inflamacion të heparit i cili rëndohet me kalimin e kohës duke çuar në cirrozë. Hepatiti D është një tjetër virus i cili infekton heparin, por vetëm kur është i pranishëm dhe hepatitis B.


Hepatiti autoimun.
Kjo lloj sëmundjeje shkaktohet nga një reaksion autoimun i trupit i cili sulmon heparin duke shkaktuar inflamacion, dëmtime të cilat çojnë në cirrozë.

Sëmundje të trashëguara.
Alpha-1 defiçenca antitrypsin , hemochromatosis, sëmundja e Wilsonit (galactosemia), janë sëmundje të trashëguara të cilat ndërhyjnë në mënyrën sesi hepari prodhon, përpunon dhe depoziton enzimat, proteinat, metalet dhe substanca të tjera që i nevojiten trupit për të kryer funksionet bazë. br />
Steatoza hepatike jo alkoolike.
Yndyrat grumbullohen në mëlçi dhe shkaktojnë dëmtime në inde. Ky lloj hepatiti duket se ka lidhje me diabetin, kequshqyerjen me proteina (d.m.th.abuzimi me proteina), obezitetin (mbipeshën) dhe trajtimin me kortizonikë.

Bllokimi i kanaleve (duktuseve) biliare(të tëmthit)
. Kur kanalet nëpër të cilat rrjedh bila (tëmthi) bllokohen, bila kthehet mbrapsht dhe dëmton indet e heparit. Në të porsalindurit bllokimi i kanaleve biliare shpesh shkaktohet nga atrezia biliare, sëmundje në të cilën kanalet biliare mungojnë ose janë të dëmtuar. Tek të rriturit, shkaku primar është cirroza biliare, sëmundje në të cilën kanalet janë të infektuar, të bllokuar ose të dëmtuar.

Cirrosa biliare sekondare
mund të ndodhë pas heqjes së fshikëzës së tëmthit në qoftë se kanalet janë dëmtuar aksidentalisht.

Medikamentet, toksinat (helmet) dhe infeksionet.

Reagimet e rënda nga medikamentet e rekomanduara nga mjeku, ekspozimi për një kohë të gjatë në mjedise me toksina dhe infeksionet e herëpashershme mund të çojnë në cirrozë.

Simptomat

Shumë njerëz me cirrozë nuk kanë shenja në stadet fillestare të sëmundjes. Mirëpo zëvendësimi i qelizave të shëndosha me ato të dëmtuara çojnë në mosfunksionimin e duhur të mëlçisë. Shenjat e dukshme janë:
- lodhje
- humbje oreksi
- nausea (të perziera)
- dobësi trupore
- humbje në peshë
- dhimbje abdominale
- Shenja në lëkurë, ku enë të holla gjaku bëhen të dukshme në të dhe kanë pamjen e rrjetës së merimangës (spider angiomas).

Kur sëmundja përparon, fillojnë komplikacionet. Në disa njerëz sëmundja bëhet e dukshme me komplikacione serioze.

Komplikacionet e cirrozës

Humbja e funksioneve te heparit prek trupin në disa mënyra. Disa nga komplikacionet e cirrozës janë;
Edema dhe asciti. Kur hepari humb aftësinë për të prodhuar albuminë, uji grumbullohet në këmbë (edema), dhe në bark (asciti).

Mavijosje dhe hemorragji.
Kur hepari ngadalëson ose ndalon prodhimin e proteinës e cila është e nevojshme për mpiksjen e gjakut pacienti mund të ketë mavijosje në lëkurë dhe hemorragji. Pëllëmbët e dorës mund të skuqen me njolla të vogla (eritemë palmare).

Verdheza.
paraqitet me zverdhje të lëkurës dhe syve si rrjedhojë e mosabsorbimit të mjaftueshëm të bilirubinës.

Kruarje.
që vjen si rezultat i formimit te depozitave të bilës në lëkurë.

Gurët në tëmth.
Në qoftë se cirroza pengon qarkullimin e bilës nëpërmjet fshikëzës së tëmthit, mund të krijohen gurët.

Toksina ne gjak dhe tru.
Hepari i dëmtuar nuk mund të nxjerrë jashtë helmet nga qarkullimi i gjakut dhe për pasojë ato grumbullon në këtë të fundit dhe rrjedhimisht në tru. Helmet mund të dobësojnë funksionet e trurit duke shkaktuar ndryshime të personalitetit, koma, madje edhe vdekjen. Shenjat e grumbullimit të toksinave në tru janë lënia pas dore e vetes me kuptimin e moskujdesit ndaj paraqitjes së jashtme, mungesë reagimi, humbje të kujtesës, probleme në përqendrimin dhe ndryshime të gjumit.

Ndjeshmëria ndaj medikamenteve.
Cirroza ul aftësinë e heparit për të filtruar medikamentet nga gjaku. Si rezultat, ato veprojnë për një kohë më të gjatë se sa duhet dhe grumbullohen në trup. Kjo shkakton ndjeshmëri ndaj medikamenteve dhe efekteve anësore të tyre.

Hipertensioni portal.
Normalisht gjaku, nga zorrët dhe shpretka kalon në hepar nëpërmjet venës porta. Mirëpo cirroza ngadalëson rrjedhjen e gjakun prej venes porta e cila rrit presionin brenda saj. Kjo situatë quhet hipertension portal.

Varicet.
Kur qarkullimi në venën porta ngadalësohet, gjaku prej zorrëve dhe shpretkës kthehet në venat e stomakut dhe ezofagut. Këto vena mund të zgjerohen, që do të thotë ato mbajnë më shumë gjak seç duhet. Ky zgjerim i venave quhet "variçe". Ato kanë mure të holla dhe presion të lartë dhe ka kanë shumë gjasa që të plasin. Në qoftë se ato plasin krijojnë një situatë serioze për jetën si rezultat i hemorragjisë në ezofag dhe stomak, situatë kjo e cila ka nevoje për ndërhyrje të shpejte mjekësore.

Rezistenca ndaj insulinës dhe diabeti i tipit 2.
Cirroza shkakton rezistencë të insulinës. Ky hormon i cili prodhohet nga pankreasi lejon që glukoza në gjak të përdoret si energji për qelizat e trupit. Në qoftë se kemi rezistencë ndaj insulinës, muskujt , yndyrat, dhe qelizat e mëlçisë nuk arrijnë ta përdorin atë siç duhet. Pankreasi përgjigjet duke prodhuar më shumë insulinë, si rrjedhojë ai nuk mund të përballojë nevojat e trupit për insulinë dhe kështu zhvillohet diabeti i tipit 2 i cili lejon rritjen e glukozës në qarkullimin e gjakut.

Kanceri i heparit.
Hepatocelular karcinoma, tipi me i shpeshtë i kancerit te heparit fillon nga vet qelizat e tij. Ai ka një shkallë vdekshmërie shumë të lartë.

Probleme ne organet e tjera.
Cirroza mund te shkaktoje disfunksione të sistemit imunitarë e cila lejon zhvillimin e një sërë infeksionesh në trup. Lëngjet në bar(asciti) mund të infektohen nga flora bakteriale normale e zorrëve. Cirroza mund të shkaktoje impotence tek burrat, mosfunksionim të mire të veshkave dhe osteporozis.

Diagnostikimi

Mjeku mund të diagnostikojë cirrozën në bazë të shenjave, analizave laboratorike, historisë mjekësore dhe ekzaminimit fizik. Mjeku mund të rekomandojë edhe kryerjen e një ekografie të barkut, skaneri apo rezonance magnetike.
Biopsia në hepar mund të konfirmojë diagnozën.

Trajtimi

Dëmtimet e heparit prej cirrozës janë të pakthyeshme por trajtimi mund të ndalojë ose ngadalësojë ecurinë e sëmundjes dhe reduktimin e komplikacioneve.

Trajtimi varet nga shkaqet që çuan në cirrozë dhe në varësi të komplikacioneve të shfaqura. Për shembull, cirroza e shkaktuar nga abuzimi me alkoolin trajtohet duke ndaluar përdorimin e tij. Trajtimi i cirrozës shkaktuar nga hepatit konsiston në trajtimin e hepatitit me anti-viral.

Trajtimi i cirrozës shkaktuar nga sëmundja Wilson, gjatë së cilës në trup grumbullohet bakër, konsiston në përdorimin e medikamenteve që e eliminojnë atë nga trupi.

Në të gjitha rastet, pavarësisht shkakut të cirrozës, ndjekja e një diete të shëndetshme duke shmangur përdorimin e alkoolit është esenciale, sepse trupi ka nevojë të marrë nutrientët e nevojshëm dhe përdorimi i alkoolit mund të çojë në dëmtime më të shumta të heparit.

Antibiotikët mund të jepen për infeksionet që ndodhin si shkak i uljes së imunitetit prej cirrozës. Laksativët rekomandohen për nxjerrjen e toksinave nga zorrët.

Për hipertensionin portal mund të jepen beta-bllokues. Në qoftë se nga variçet del gjak mund të bëhet ligimi (lidhja) e tyre duke parandaluar ndonjë hemorragji të mundshme.

Mënyra më e mirë e trajtimit është transplantimi i heparit.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!