Gastroenteriti

Çfarë është Gastroenteriti?

Gastroenteriti është një inflamacion i zorrës i cili shkakton diarre, dhimbje barku, ndjesi të vjelle (nauze), humbje oreksi dhe shqetësime të tjera digjestive. Tek të rriturit dy nga shkaktarët më të zakonshëm të gastroenteritit janë infeksionet bakteriale dhe ato virale.

Gastroenteriti viral

Tek të rriturit shkak i gastroenteritit janë infeksionet virale të traktit tretës. Këto infeksione virale përfshijnë virusin Norwalk, rotaviruset, adenoviruset dhe agjentë të tjerë.
Viruset janë shumë ngjitës dhe zakonisht përhapen nga një person tek tjetri me anë të duarve të palara ose nga kontakti me një person të infektuar, siç është ngrënia e ushqimit në enë të përbashkëta.
Shpesh gastroenteriti viral përhapet shumë lehtë në institucione dhe ambiente të tjera ku njerëzit jetojnë pranë, siç janë azilet e pleqve, anijet e lundrimit, shkollat, konviktet dhe kampet publike.

Viruset gjithashtu mund të përhapen kur dikush prek jashtëqitjen e një personi të infektuar ose prek sipërfaqet e kontaminuara me jashtëqitje të infektuar. Për këtë arsye profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e kujdesit të femijëve janë më të rrezikuar prej kontaminimit nga gastroenteriti viral nëse nuk i lajnë mirë duart pasi merren me ndërrimin e pelenave apo pajisjeve të banjës.

Në disa rrethana, agjentët të cilët shkaktojnë gastroenteritin viral mund të përhapen edhe nga kontamimi i ujit apo i ushqimit, veçanërisht nga uji i pijshëm dhe ushqimet e shërbyera në restorante.

Gastroenteriti bakterial

Bakteriet si salmonella, shigjella, campybacter jejuni, E.coli, si dhe shumë lloje të tjera, mund të shkaktojnë gastroenterit. Ato mund të përhapen me anë të kontaktit të ngushtë me një person të infektuar ose me anë të konsumimit të ujit dhe ushqimit të kontaminuar.
Në disa raste, semundja shkaktohet nga një toksinë e cila prodhohet nga bakteriet që rriten në ushqimet e konservuara të cilat nuk janë ruajtur në kushtet e duhura. Nëse një person konsumon këtë ushqim ku është zhvilluar bakteri, atëherë shfaqen simptomat e gastroenteritit të cilat mund të shkaktohen nga vetë bakteriet apo nënllojet e tyre irrituese. Simptomat e shkaktura nga një toksinë zakonisht shfaqen brenda disa orësh, ndërsa simptomat e shkaktuara nga bakteriet mund të shfaqen pas disa ditësh.

Simptomat
Tek të rriturit simptomat e gastroenteritit zakonisht përfshijnë diarre, dhimbje dhe krampe abdominale, ethe dhe temperaturë mbi 38 gradë Celsius, dhimbje koke, të vjella dhe ndjesi të vjelle. Në disa raste mund të ketë edhe diarre me gjak.

Diagnoza
Mjeku juaj do ju pyesë nëse kohët e fundit keni qenë të ekspozuar ndaj personave të cilët kanë pasur diarre, apo nëse kohët e fundit keni ngrënë ushqim në restorant apo keni konsumuar ushqime të cilat janë mbajtur në temperaturë dhome për një kohë të gjatë.

Meqenëse gastroenteriti është veçanërisht i zakonshëm në kanalizimet e ujërave të zeza, mjeku do ju pyesë nëse keni udhëtuar kohët e fundit në ndonjë vend të pazhvilluar ose në ndonjë vend ku uji i pijshëm nuk testohet. Në shumicën e rasteve mjeku mund të diagnostikojë gastroenteritin bazuar në simptomat tuaja, historinë tuaj të ekspozimit ndaj ushqimit të prishur apo ujit të ndotur.

Ekzaminimi laboratorik mund të nevojitet rrallëherë, në ato raste kur simptomat janë jashtëzakonisht të rënda, siç janë:
- Temperaturë mbi 38 gradë Celsius;
- Diarre e rëndë (e ujshme, më shumë se 10 herë në ditë);
- Shenja të rënda dehidrimi (tharje e gojës, etje e shtuar, dobësi trupore).

Nese keni simptoma të rënda të gastroenteritit, mjeku juaj mund t’ju japë mjekim për të lehtësuar nauzenë, të vjellat dhe diarrenë.
Për dehidrimin e rëndë bëhen perfuzione intravenoze, si dhe antibiotikë kur testet laboratorike konfirmojnë praninë e infeksionit bakterial i cili ka shkaktuar gastroenteritin.
Ekzaminimi laboratorik zakonisht përfshin marrjen e një apo më shumë mostrave fekale për tu testuar në laborator për të parë praninë e baktereve, (sidomos camplybacter, salmonela, E.Coli), apo të parazitëve mikroskopikë.

Kur duhet të telefononi profesionistin?

Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse keni simptoma të gastroenteritit, si:
- Temperaturë mbi 38 gradë Celsius;
- Diarre me gjak dhe që zgjat më shumë se 10 ditë;
- Shenja të rënda dehidrimi (tharje e gojës, etje e shtuar, dobësi trupore);
- Nëse keni udhëtuar kohët e fundit në një vend në zhvillim ose në ndonjë zonë ku kanalizimet janë të dobëta.
- Nëse keni një gjendje mjekësore e cila dobëson sistemin imunitar ose trajtohet me medikamente të cilat supresojnë imunitetin.

Gjithashtu, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse jeni duke marrë medikamente nga goja për një gjendje kronike mjekësore dhe ose nuk i gëlltisni dot nga ndjesia e madhe e të vjellit, ose keni vjellë pas marrjes së medikamentit.

Kohezgjatja e pritshme

Shumica e rasteve të lehta, gastroenteritet pa komplikacione, zgjasin 1 deri në 7 ditë.

Parandalimi
Per të ndihmuar në parandalimin e gastroenteriteve, ju mund të:
- Lani duart shpesh, sidomos pas përdorimit të tualeteve, pas ndërrimit të pelenave apo përkujdesjes për dikë me diarre;
- Lani duart para dhe pas përgatitjes së ushqimit, sidomos pasi keni prekur mish të pagatuar;
- Lani rrobat e kontaminuara nga diarreja me detergjentë dhe kimikate.
- Fshini me peceta me përmbajtje kloruri sipërfaqet e tualetit të kontaminuara me materiale fekale;
- Gatuani mishin para se ta konsumoni dhe mishin e mbetur vendoseni në frigorifer brenda 2 orëve.
- Sigurohuni që mishi i gatuar të mos vendoset në pjatat ku është vendosur më parë mishi i pagatuar.
- Lani me kujdes këndin e gatimit dhe mjetet pas përdorimit për përgatitjen e mishit.
- Mos konsumoni qumësht të papasterizuar dhe ujë të patrajtuar.
- Pini vetëm ujë në shishe ose pije pa gaz nëse jeni duke udhëtuar në një vend me nivel të ulët pastërtie.
- Në të tilla vende evitoni akullin, perimet e pagatuara apo frutat të cilat nuk i keni qëruar vetë.

Trajtimi
Tek të rriturit shumica e rasteve me gastroenterit të lehtë zhduken në pak ditë.
Mund të provoni sugjerimet e mëposhtme deri në zhdukjen e simptomave:
- Për parandalimin e dehidrimit konsumoni shumë lëngje si ujë, pije pa gaz, pije sportive, lëngje për rehidrim oral të cilat jepen pa recetë. Nëse keni nauze nga pirja e tyre njëkohësisht, provoni fillimisht sasi të vogla për një periudhë më të gjatë.
- Pasi të fillojë të venitet ndjesia e të vjellës, procedoni me një dietë normale.
- Filloni me supa të lehta, ëmbëlsira xhelatinoze, më pas me oriz, drithëra, deri në ushqim të konsiderueshëm.
- Evitoni përkohësisht produktet e qumështit dhe ushqimet që përmbajnë miell gruri (buka, makaronat, pica), meqenëse trakti tretës mund të jetë i ndjeshëm ndaj tyre.
- Gjithashtu evitoni ushqimet me shumë fibra si frutat, misri dhe krundet.
- Përdorini me masë dhe kujdes medikamentet antidiarretikë të cilët jepen pa recetë.
- Pushoni në shtrat.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!