Çfarë është endoskopia dhe për çfarë shërben ajo?
Është një analizë mjekësore që bëhet duke futur tek pacienti një minitelekamera me gjerësi 2mm, të udhëhequr nga një tub fleksibël. Imazhi i marrë nga telekamera bën të mundur ekzaminimin e gjendjes shëndetësore të pacientit.
Kur duhet bërë endoskopia?
Kur pacienti vuan nga aciditeti në stomak, kur ka dhimbje e ndjesi fryrjeje dhe rëndesë pas ngrënies, sidomos pas moshës 40 vjeç dhe kur këto probleme ka kohë që përjetohen. Në këto raste, duhet kontrolluar se mos pacienti vuan nga ulçera.
Edhe ata që vuajnë nga ndjesia e ndërprerjes së kalimit të ushqimit në ezofag, duhet të kontrollohen nëse ka ndonjë gjë që e bllokon këtë kalim.
Persona të tjerë janë ata që kanë kapsllëk apo diarre të vazhdueshme, ata që i nxjerrin feçet me gjak, sidomos personat mbi 40 vjeç të cilët kanë pasur në familje një të sëmurë me tumor në zorrën e trashë. Në këtë rast kolonoskopia është jo vetëm mjet diagnostikimi, por edhe mjet parandalimi duke i shpëtuar edhe jetën personit.
Si bëhet një endoskopi?
Nëse bëhet fjalë për gastroskopi pacienti duhet të rrijë pa ngrënë të paktën 6 orë përpara analizës (shih Gastroskopi). Nëse është një kolonoskopi, pacienti duhet te këtë dalë jashtë duke përdorur një laksativ te fortë (Shih Kolonoskopi). Për të kryer ekzaminimin, pacienti vihet pjesërisht në gjumë me anë të një serumi duke bërë që pacienti të jetë më i qetë dhe ekzaminimi të bëhet më lehtë. Për të lehtësuar sa më shumë kalimin e aparatit dhe për të evituar ndjesinë e pakëndshme që shkakton futja e aparatit në kavitetin e gojës, sprucohet një anestetik me lidokainë. Pas ekzaminimit pacienti mbahet për disa minuta nën kontroll. Pacienti që ka kryer ekzaminimin nuk duhet të hajë apo te pijë përreth gjysmë ore më pas, pasi strukturat e kavitetit të gojës janë të mpira dhe pacienti mund të mbytet.
Gjatë ekzaminimit, kur shihen probleme nëpërmjet endoskopit mund të manipulohet, si për shembull gjatë hemorragjive të traktit tretës bëhet sklerotizimi i burimit të hemorragjisë apo marrja e materialit për biopsi nëpërmjet pincave të ndryshme bioptike.
Këto procedura padyshim shtojnë kohëzgjatjen e ekzaminimit dhe rreziqet e tij, të cilat prapëseprapë janë shumë më të vogla në krahasim me mosndërhyrjen.
Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!