Pankreatiti kronik

Çfarë është Pankreatiti kronik?

Pankreatiti është inflamacion (ënjtje) e pankreasit. Pankreasi është një gjëndër në bark, e rrethuar nga stomaku, zorrët dhe organe të tjera. Ai prodhon lëndë të quajtura lëngje pankreatike (të cilat përmbajnë enzima tretëse) dhe hormonin e quajtur insulinë. Këto enzima tretëse derdhen në zorrën e hollë.

Normalisht, enzimat tretëse aktivizohen kur duhet të tresin ushqimet. Kur këto enzima bëhen aktive brenda pankreasit, ato fillojnë të "tresin" sulmojnë pankreasin. Pankreatiti mund të jetë akut ose kronik.

Shkaqet më të zakonshme janë gurët në tëmth dhe përdorimi i alkoolit. Shkaqe të tjera janë barnat, ndërhyrjet kirurgjikale në bark, anomalitë e pankreasit apo zorrëve dhe rrallë infeksionet (p.sh. fruthi), bllokimi i kanaleve apo çikatriçet e pankreasit, kanceri apo infeksioni i pankreasit. Ndonjëherë shkaku mbetet i panjohur.

Gurët e tëmthit dhe pankreatiti

Gurët e tëmthit zakonisht shkaktojnë pankreatit, prandaj kërkojnë heqje me kirurgji. Eko-ja abdominale, eko-ja endoskopike (endosonografia) EUS dhe Tomografia aksiale e kompjuterizuar CAT (skaneri) mund të zbulojnë gurët e tëmthit dhe mund të ndihmojnë në shkallën e pankreatitit.
Pasi hiqen gurët e tëmthit, inflamacioni largohet dhe pankreasi rikthehet në normalitet.

Pankreatiti kronik

Në qoftë se dëmtimi i pankreasit vazhdon, mund të zhvillohet pankreatiti kronik. Pankreatiti kronik ndodh kur enzimat tretëse "sulmojnë" dhe shkatërrojnë pankreasin dhe indet përreth duke shkaktuar fibriotizim, çikatriçe dhe dhimbje.

Shkaku i shpeshtë i pankreatitit kronik është abuzimi për vite me radhë me alkoolin. Nga ana tjetër, forma kronike mund të shkaktohet vetëm nga sulmi i pankreatitit akut, veçanërisht kur duktuset (kanalet) pankreatike janë të dëmtuara.

Demtimi i duktuseve bën që pankreasi të inflamohet, indet të dëmtohen dhe të krijohet indi çikatriçial.

Shkaqet kryesore te pankreatiti kronik jane:
- Alkooli
- Bllokimi ose ngushtimi i duktuseve biliare (kanalet e tëmthit) prej traumave ose pseudokisteve;
- Trashëgimia
- Shkakqe të panjohura (idiopatike).

Dëmtimet prej abuzimit nga alkooli mund të mos shfaqen për vite me rradhë deri në momentin që ndodh pankreatiti akut. Rreth 70% e të rriturve kanë pankreatit akut për shkak të abuzimit me alkoolin. Kjo sëmundje është më e shpeshtë tek burrat se tek gratë dhe mosha mesatare kur ndodh është 30-40 vjeç.

Pankreatiti i trashëguar (hereditar), fillon zakonisht që në femijëri dhe mund të mos diagnostikohet për vite me rradhë. Zakonisht njerëzit me pankreatit të trashëguar kanë shenja tipike të cilat u shfaqen herë pas here. Episodet zgjasin 2 ditë deri në 2 javë. Faktori përcaktues për të diagnostikuar pankreatitin e trashëguar është prania e dy ose më shumë pjesëtarëve të familjes me pankreatit në më shumë se një gjeneratë.

Shkaqe të tjera të pankreatit kronik janë:

- Kongenitale (të lindura) siç është pankreasi i ndarë;
- Fibroza çistike;
- Nivelet e larta të kalçiumit në gjak (hiperkalçemia);
- Nivelet e larta të yndyrnave në gjak (hiperlipidemia ose hipertrigliceridemia);
- Disa medikamente;
- Situata të caktuara autoimmune.

Simptomat (shenjat)

Shumë njerëz me pankreatit kronik kanë dhimbje barku e cila përkeqësohet nga e ngrëna dhe e pira dhe më pas përhapet në shpinë.
Simptoma të tjera janë: nauzea, të vjella, humbje në peshë dhe feçe të yndyrosura.
Personat me sëmundje kronike shpesh humbasin peshë edhe pse oreksi dhe mënyra e të ushqyerit janë normale. Humbja në peshë ndodh sepse trupi nuk prodhon mjaftueshëm enzima pankreatike për të tretur ushqimet, kështu që vlerat ushqyese nuk përthithen normalisht. Në qoftë se qelizat insulinëprodhuese të pankreasit dëmtohen, zhvillohet diabeti.

Diagnoza

Diagnoza mund të jetë e vështirë, por teknikat e reja në mjekësi ndihmojnë shumë. Testet laboratorike për funksionin e pankreasit i vijnë në ndihmë doktorit për një diagnozë sa më të saktë. Përdorimi i ekos abdominale, ekos endoskopike (endosonografia EUS), pankreatikolangiografisë retrograde (ERCP) dhe skanerit, ndihmojnë shumë në vendosjen e diagnozës.

Disa probleme përfishijnë kalçifikimin e pankreasit që është forcimi i indeve si rezultat i depozitimit të kripërave të patretshme të kalçiumit. Në stadet më të avancuara të sëmundjes doktori mund të kërkojë një sërë analizash urine, gjaku dhe feçesh të cilat e ndihmojnë në diagnostikim dhe në ndjekjen e ecurisë së sëmundjes.


Trajtimi

Lehtësimi i të sëmurit nga dhimbjet është hapi i parë i trajtimit të pankreatitit kronik. Hapi tjetër është hartimi i një diete të pasur me karbohidrate dhe e varfër me yndyrna. Përshkrimi i enzimave tretëse të cilat merren gjatë vakteve duke zëvendësuar ato që pankreasi nuk i prodhon dot vetë. Gjithashtu enzimat ndihmojnë në tretjen dhe përthithjen e ushimeve dhe si rezultat rifitohet pesha për pacientët.

Ndonjëherë është e nevojshme që të merret insulinë për të rregulluar nivelet e glukozës në gjak si dhe të bëhet kirurgji për lehtësimin e dhimbjeve. Është e rëndësishme që pacientët me kriza të lehta të ndalojnë konsumimin e alkoolit, të ndjekin rregullat e dietës që u është përshkruar dhe të marrin rregullisht mjekimet.

Pankreatiti tek fëmijët

Pankreatiti kronik tek fëmijët është i rrallë. Traumat e pankreasit dhe pankreatiti i trashëguar janë dy faktorë të njohur që shaktojnë pankreatit në fëmijëri. Fëmijet me fibrozë kistike të përparuar dhe me mosfunksionim të mushkërive mundet gjithashtu të preken nga pankreatiti. Në të shumtën e rasteve shkaku i pankreatitit tek fëmijët është i panjohur.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!