Çfarë është Endosonografia (EUS- endoscopic ultrasonography)?
Endosonografia është kombinimi i ekos dhe endoskopisë për të marrë imazhe dhe informacione rreth traktit tretës, organeve dhe indeve përreth tij.
Endoskopia është një procedurë ku një tub fleksibël me një mini-telekamera futet nga goja ose rektumi i pacientit për të parë nga brenda traktin tretës (shih. gastroskopi/ kolonoskopi) ndërsa eko-ja përdor valë me frekuencë të lartë për të prodhuar imazhe të organeve dhe strukturave në brendësi te trupit si për shembull vezoreve, uterusit, mëlçisë, fshikëzës së tëmthit, pankreasit, aortës etj.
Ekoja tradicionalisht bëhet nëpërmjet lëkurës, pasi ajo është lyer me xhel, me anë të një sonde e cila shërben si transmetues valësh për të marrë imazhe të organeve, pavarësisht se jo gjithmonë këto imazhe kanë qenë të qarta.
Gjatë endosonografisë, në majë të endoskopit fleksibël gjendet një transmetues valësh. Duke futur skopinë nga goja në ezofag dhe pastaj në stomak (endoskopi e traktit të sipërm tretës), mund të merren imazhe kualitative të organeve brenda trupit të njeriut.
Duke qenë se transmetuesi i valëve është në majë të skopit, kjo gjë bën të mundur marrjen e imazheve në një afërsi pothuajse ngjitur me organet dhe prandaj imazhet e marra janë më të qarta dhe më të hollësishme se sa ato që merren me eko tradicionale.
Endosonografia mund të marrë edhe informacione në lidhje me shtresat e murit të zorrëve si dhe zonat ngjitur, si nyjet limfatike dhe enët e gjakut.
Përdorim tjetër i ekos endoskopike është studimi i vazave të gjakut duke përdorur ultratingujt Doppler dhe marrja e mostrave të indeve duke kaluar me një age speciale, nën drejtimin e ultratingujve, në nyjet limfatike të zgjeruara ose në tumoret e dyshimta. Këto inde ose qeliza të marra nëpërmjet ages studiohen nga histopatologu me mikroskop.
Indikacionet e Endosonografisë (EUS)
- Klasifikimi TNM i kancerit të ezofagut, stomakut, rektumit;
- Diferencimi i shtrirjes transmurale, limfonodujt regionalë;
- Lezione subepiteliale të ezofagut, stomakut, rektumit;
- Tumore solide të pankreasit;
- Lezionet cistike të pankreasit (pseudociste, ciste, tumore cistike);
- Pancreatit (akut dhe kronik);
- Kolecista dhe trakti biliar (gurët dhe formacionet e kolecistës, koledokolitiaza, papiloma, kolangiokarcinoma, shtrirja e tumorit dhe stadifikimi TNM);
- Mediastinum;
- gjendra mbiveshkore (adrenal gland);
Indikacionet e EUS - FNA (Biopsi me aspirim me age të vogël)
- Diagnoza primare e lezioneve parenkimale dhe intramurale të traktit gastrointestinal.
- Diagnoza primare e lezioneve solide dhe kistike të pankreasit.
- Stadifikimi i tumoreve malinje digjestive.
- Vlerësimi i limfadenopatisë mediastinale, retroperitoneale dhe abdominale.
- Marrje likidi peritoneal dhe pleural për qëllime diagnostikimi.
Kunderindikacione absolute
1. Koagulopati e pakorrigjueshme me INR - 1.5.
2. Trombocitopeni e pakorrigjueshme me trombocite - 50,000/μL.
Kur është e dobishme Endosonografia?
Duke qenë se është një metodë e re diagnostikimi, përdorimet janë në zhvillim e sipër.
Momentalisht ajo përdoret për:
- Stadifikimin e kancerit të ezofagut, stomakut, pankreasit dhe rektumit;
- Stadifikimin e kancerit të mushkërive;
- Vlerësimin e pankreatitit kronik dhe masat apo çistet e pankreasit;
- Studimin e anomalive të duktusit biliar, fshikëzës së tëmthit ose tumoreve të mëlçisë;
-Studimin e muskujve të poshtëm të rektumit dhe kanalit anal në vlerësimin për inkontinencën fekale;
- Studimin e “lezioneve submukozale” si p.sh. nodulat ose ”gungat” që mund të fshihen në murin e zorrëve, që janë të mbuluara nga mukoza normale e traktit tretës dhe që japin përshtypjen e diçkaje anormale.
Stadifikimi i kancerit është bërë një nga arsyet rutinë të përdorimit të ekos endoskopike. Ecuria e pacientëve me kancer varet nga koha kur ata diagnostikohen. Diagnostikimi i kancerit të zorrës së trashë në stadet fillestare tregon që kanceri është vetëm në shtresat e zorrës dhe nuk është përhapur në organet e tjera, gjë që i jep më shumë shance pacientit për një ecuri të mirë të sëmundjes duke përfituar shumë. E kundërta ndodh kur kanceri zbulohet në stadet e avancuara që do të thotë se është përhapur jashtë mureve të zorrës dhe organeve, limfonodulave përreth ose është përhapur në organet më të largëta si p.sh në mëlçi dhe në mushkëri.
Endosonografia na jep një informacion të plotë në lidhje me thellësinë dhe përhapjen e kancerit në organet dhe limfonodulat përreth.
Cila është përgatitja për Endosonografi?
Doktori duhet të jetë në dijeni për gjendjen tuaj shëndetësore, sidomos në qoftë se keni ndonjë alergji nga ilaçet ose në qoftë se keni sëmundje të tjera si p.sh; të zemrës, mushkërive, diabet etj. Gjithashtu ju duhet të informoni doktorin në qoftë se jeni alergjik ndaj jodit apo midhjeve sepse gjatë procedurës mund të përdoret kontrast me përmbajtje jodi.
Nëse do bëhet aspirim me age, do të duhet të ekzaminohet gjaku për të përjashtuar mundësinë e trombëve (mpiksje gjaku). Është shumë e rëndësishme të informoni doktorin në qoftë se keni histori familjare për hemorragji ose në qoftë se merrni ilaçe për hollim gjaku (si p.sh. aspirinë, plavix, sintrom, etj.)
Është shumë e rëndësishme që të informoni doktorin për çfarëdolloj mjekimi që jeni duke marrë, qoftë edhe mjekim popullor.
Zakonisht nuk kërkohet ndërprerja e antibiotikëve.
Endosonografia kryhet nën sedacion (gjumëdhënës venoz), kështu që pas procedurës pacienti nuk do të jetë në gjendje të punojë apo t’i japë makinës për 24 orë. Kjo do të thotë që pacienti do të ketë nevojë të shoqërohet nga një familjar. Stomaku duhet të jetë bosh për më shumë se 6 orë. Në rast se ekoja endoskopike do të jetë rektale, duhet të përdoren laksativët e rekomanduar sipas udhëzimeve të mjekut.
Si kryhet Endosonografia?
Sapo të arrini në qendrën endoskopike infermierja ose doktori do t’ju shpjegojë për procedurën dhe do t’u përgjigjet gjithë pyetjeve që mund të keni. Gjithashtu do t’u kërkohet të firmosni një konsensus.
Pas kësaj do fillojë përgatitja juaj për procedurën. Do t’ju vendoset një vigon në venë për të bërë sedacionin (gjumëdhënien venoze), si dhe për të administruar lëngje dhe medikamente venoze.
Gjithashtu do të monitoroheni për shenjat jetësore që janë tensioni arterial, oksigjenimi në gjak dhe pulsi.
Menjëherë sapo të përgjumeni, do fillojë procedura me anë të një endoskopi të veçantë që futet nga goja ose rectumi (sipas nevojës).
Për shkak të sedacionit ju nuk do ndjeni dhimbje, por mund të keni një ndjenjë të vogël mosrehatie.
Doktori do të shohë nga brenda me kujdes traktin tuaj tretës në një monitor televizori dhe imazhet me ultratinguj në një monitor tjetër.
Procedura mund të zgjasë rreth 30-90 minuta, kjo në varësi të nevojës për procedura të tjera si për shembull procedura e aspirimit me age (FNA).
Pas procedurës do të jeni gati të ecni dhe të ushqeheni pas 2 orësh.
Pasi t’ju ketë dalë efekti i sedacionit doktori do t’ju sqarojë për rezultatet. Më vonë jeni të lirë të largoheni të shoqëruar nga një familjar.
Ditën pas ekzaminimit lejohen vakte të lehta dhe lëngje. Do të keni fryrje të lehtë të barkut për shkak te ekzaminimit, por mos u shqetësoni sepse kalon shpejt.
Mund të ndjeni dhimbje të lehta fyti të cilat mund të kalojnë pas përdorimit të gargarave me ujë dhe kripë. Në qoftë se keni dhimbje të forta, të vjella të pastra apo me përmbajtje gjaku, ethe dhe temperaturë duhet të kontaktoni menjëherë doktorin ose të paraqiteni në qendrën shëndetësore.
Cilat janë risqet e Endosonografisë?
Si çdo procedurë tjetër endoskopike, EUS është e sigurtë dhe e tolerueshme prej pacientëve, mirëpo nuk ka asnjë lloj procedure që nuk mbart risqet e veta, por megjithatë EUS i ka risqet shumë të rralla.
Mundësia e komplikacioneve të EUS pa procedurën e aspirimit me age është 1/2000. Ndonjëherë pacientët mund të kenë shenjat e një reaksioni si psh. të kruara dhe njolla të kuqe të lëkurës ose të vjella prej medikamenteve të përdorura gjatë procedurës.
Gjithashtu mund të shfaqet një fryrje (si gungë), në vendin ku është vendosur vigoni, situatë e cila nuk është problematike dhe që zgjidhet me kalimin e kohës. Në qoftë se nuk zhduket brenda një periudhe të caktuar duhet të konsultoheni me doktorin.
Komplikacioni kryesor i EUS është perforacioni (çarja e murit të zorrëve ose stomakut), situatë e cila mund të kërkojë kirurgji. Megjithatë, ky komplikacion është shumë i rrallë dhe gjatë procedurës merren masat e nevojshme për shmangien e tij.
Kur kryhet procedura e aspirimit me age, ka gjasa që komplikacionet të ndodhin më shpesh, por prapë janë shumë të rralla, me një përqindje 0.5-1.0. Kalimi i ages nëpërmjet mureve mund të shkaktojë hemorragji të vogël. Në qoftë se hemorragjia vazhdon, pacienti hospitalizohet për një periudhë të shkurtër për mbikëqyrje dhe nevoja për transfuzion gjaku është shumë e rrallë. Infeksioni është një tjetër komplikacion prej procedurës së aspirimit me age, i cili mund të ndodhë gjatë aspirimit (thithjes) së lëngjeve të cisteve. Pas procedurës së aspirimit me age, jepet terapi me antibiotikë. Në qoftë se aspirimi me age bëhet në pankreas, mund të ndodhë shumë rrallë pankreatiti (infeksioni i pankreasit).
Paknkreatiti është një situatë që kërkon hospitalizimin e pacientit, mbikëqyrje, regjim shtrati, dhënien e lëngjeve dhe medikamenteve venozë. Zakonisht kjo situatë kalon spontanisht brenda pak ditëve.
Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!