Varicet ezofageale

Çfarë janë variçet ezofageale?

Variçet ezofageale janë zgjerim jo normal i venave në pjesën e poshtme të ezofagut (tubi që lidh fytin me stomakun). Variçet ezofageale ndodhin më shpesh tek personat që kanë sëmundje serioze të mëlçisë. Ato zhvillohen kur ngadalësohet qarkullimi normal i gjakut në mëlçi. Në këtë moment gjaku kthehet mbrapsht në enët e vogla të afërta, siç janë ato të ezofagut duke shkaktuar fryrje të tyre.

Ndonjëherë variçet ezofageale mund të çahen duke shkaktuar hemorragji kërcënuese për jetën.
Zakonisht, variçet ezofageale nuk kanë shenja dhe simptoma nëse ato nuk gjakosin.

Shenjat dhe simptomat e variceve që gjakosin janë:

• Hematemesis ( të vjella me gjak);
• Melena (fece të ngjyrosura, të zeza);
• Shok në raste të rënda;
• Dhimbje barku;
• Disfagi dhe odinofagi (dhimbje dhe vështirësi në gëlltitje);
• Gjendje konfuzioni deri në koma;
• Zbehje lëkure;
• Hipotension dhe takikardi (dmth gjendje shoku);
• Prodhim i ulët i urines.

Shkaqet

Venat e zgjeruara të variçeve ezofageale formohen kur qarkullimi i gjakut në mëlçi ngadalësohet.
Shpesh, ngadalësimi i qarkullimit të gjakut ndodh për shkak të indeve fibrotike që krijohen prej sëmundjeve të mëlçisë. Kjo situatë çon në kthimin e gjakut mbrapsht duke rritur presionin e venës porta (venë e madhe që çon gjakun në mëlçi). Ky presion sforcon enët e vogla të afërta të gjakut siç janë ato të ezofagut. Këto enë të vogla, të dobëta, fillojnë të fryhen prej gjakut të tepërt.
Ndonjëherë venat fryhen aq shumë sa mund të çahen dhe të shkaktojnë hemorragji.

Sëmundjet e mëlçisë dhe shkaqe të tjera të variçeve ezofageale:

Variçet ezofageale shpesh herë janë komplikim i cirrozës (dëmtim i pakthyeshëm i mëlçisë). Shkaqe të tjera që shkaktojnë variçe ezofagele janë:

Dëmtime të rënda të mëlçisë (cirroza). Një sërë sëmundjesh të mëlçisë mund të rezultojnë në cirrozë si p.sh. hepatiti, sëmundje alkoolike të mëlçisë dhe çrregullime të duktuseve biliare (kanaleve të tëmthit) e quajtur cirroza primare biliare.
Tromboza (mpiksja e gjakut). Mpiksja e gjakut në venën porta ose ndonjë venë tjetër që furnizon venën porta siç është vena splenike, mund të shkaktojnë variçe ezofageale.
Infeksionet parazitare.Schistosomiasis është një sëmundje parazitare që dëmton mëlçinë, mushkëritë, zorrët dhe vezikën urinare.
Sindroma Budd-Chiari shkakton kthim mbrapsht të gjakut ne mëlçi. Kjo është një situatë shumë e rrallë që shkakton mpiksje të gjakut duke bllokuar venat që furnizojnë mëlçinë me gjak

Faktorët e riskut

Edhe pse shumë njerëz me sëmundje të avancuar të mëlçisë zhvillojnë variçe ezofageale, shumica nuk përjetojnë hemorragji prej tyre. Variçet kanë gjasa të krijojnë hemorragji nëse keni:
Presion të lartë të venës porta. Risku për hemorragji rritet me rritjen e presionit të venës porta.
Varice të mëdha. Këto variçe kanë risk të lartë për hemorragji.
Njolla të kuqe në variçe (red marks). Gjatë endoskopisë mund të shihen variçe me njolla të kuqe ose me shirit të gjatë të kuq që shkaktojnë hemorragji
Cirroza ose dëmtime të rënda të mëlçisë. Sa më shumë rëndohen dëmtimet e mëlçisë, aq më shumë rritet risku për hemorragji.
Abuzimi i vazhdueshëm me alkoolin. Nëse sëmundja e mëlçisë është e lidhur me alkoolin, risku për krijimin e hemorragji prej variçeve është shumë herë më i lartë nëse ju vazhdoni të abuzoni me të.

Komplikacionet (përkeqësimi i gjendjes).
Hemorragjia është i vetmi komplikim serioz i gjendjes. Në disa raste hemorragjia mund të jetë kaq e madhe saqë pacienti mund të pësojë shok deri në vdekje.

Diagnostikimi

Në qoftë se keni cirrozë ose sëmundje serioze të mëlçisë, doktori do t'ju rekomandojë ekzaminime për të parë praninë ose jo të variçeve ezofageale. Shpeshtësia e përsëritjeve të ekzaminimeve depistuese do të varet nga gjendja juaj. Testet diagnostikuese për variçet ezofageale përfshijnë:

Endoskopia(gastroskopia) është kriter standard për diagnostikimin dhe vlerësimin e variçeve ezofageale si dhe vlerësimin e rrezikut për hemorragji. Procedura kryhet nga gastroenterologu ose kirurgu. Për të mënjanuar riskun e hemorragjisë gjatë vlerësimit të situatës, pacienti duhet të jetë i sedatuar (në gjumë). Nëpërmjet një endoskopi të hollë, fleksibël, doktori kalon nga goja në ezofag për të vlerësuar mukozën e tij dhe për të parë praninë e variçeve.

Kur varicet ezofageale zbulohen ato klasifikohen sipas madhësisë dhe formës së tyre:

Grada 1 – varice të vogla dhe të drejta.
Grade 2 – variçe të mëdha, tortuoze (gjarpërore), që zënë më pak se 1/3 e lumenit.
Grade 3 – variçe të mëdha në formë spiraleje që zënë më shumë se 1/3 e lumenit.

Testet imazherike

Edhe pse endoskopia ështe kriter standard në diagnostikimin dhe vlerësimin e variçeve ezofageale, anatomia jashtë mukozës së ezofagut nuk mund të vlerësohet me këtë teknikë. Në ditët e sotme, imazhet e sofistikuara të marra prej tomografisë së kompjuterizuar (skanerit) angiorezonances magnetike (MRA) dhe ekos endoskopike (EUS endosonografia), luajnë një rol të rëndësishëm në vlerësimin e hipertensionit portal dhe të variçeve ezofageale.

Trajtimi

Qëllimi kryesor në trajtimin e variçeve ezofageale është parandalimi i hemorragjisë. Hemorragjia prej variçeve ezofageale është e rrezikshme për jetën. Trajtimi për të parandaluar hemorragjinë dhe për të ulur presionin e gjakut në venën porta mund të reduktojë riskun për hemorragji.

Trajtimi përfshin:
Medikamentet që përdoren për të ulur qarkullimin e gjakut në venën porta quhen beta bllokues siç është atenololi ose nadololi. Nëpërmjet këtyre medikamenteve ulet rreziku për hemorragji prej variçeve.
• Një mënyrë tjetër për të trajtuar variçet të cilat kanë tendencë të shkaktojnë hemorragji është përdorimi i gastroskopit nga doktori për të parandaluar hemorragjinë.

Trajtimi për të ndaluar hemorragjinë përfshin:
Përdorimi i bandave elastike për të lidhur venat që gjakosin. GGjatë lidhjes së variçeve doktori përdor endoskopin për t’i futur në lak dhe më pas për t’i shtrënguar me bandat elastike të cilat nuk lejojnë venën të gjakosë. Lidhja e variçeve si teknikë ka pak komplikacione siç është ajo e dëmtimit të mukozës së ezofagut.
Injektimi i solucioneve në venën që rrjedh gjak. Gjatë procedurës që quhet terapi injektuese endoskopike, në variçe injektohen solucione të cilat shkaktojnë tkurrje të venës që gjakos dhe si rrjedhojë ndalimin e hemorragjisë. Komplikacionet e kësaj procedure janë perforacioni (shpimi) dhe dëmtime të ezofagut që mund të çojnë në probleme me gëlltitjen (disfagi).
Medikamente që ulin qarkullimin e gjakut në venën porta. Zakonisht ky mjekim përdoret në kombinim me terapinë injektuese endoskopike për të ndaluar hemorragjinë. Terapia zakonisht vazhdohet për 5 ditë me radhë pas episodit të hemorragjisë.
Devijim i rrjedhjes së gjakut larg nga vena porta. Transjugular intrahepatic portosystemic shunt (TIPS). Një tub i hollë plastik vendoset nëpërmjet venës porta dhe asaj hepatite i cili çon gjakun nga mëlçia në zemër. Duke bërë të mundur këtë devijim të gjakut, mund të mbahet nën kontroll hemorragjia prej variçeve ezofageale. Nga ana tjetër, kjo procedurë mund të shkaktojë një sërë komplikimesh si mosfunksionim të mëlçisë dhe konfuzion mendor. Kjo situatë mund të ndodhë kur toksinat që filtrohen normalisht prej mëlçisë kalojnë në qarkullimin e gjakut nëpërmjet devijimit të krijuar. Ky lloj trajtimi përdoret vetëm në rastet kur mënyrat e tjera trajtuese kanë dështuar ose si masë e përkohshme për pacientët që presin transplant të mëlçisë.
Zëvendësimi i mëlçisë së sëmurë me një të re të shëndoshë. Transplanti i mëlçisë është alternativa më e mirë për njerëzit me sëmundje të rëndë të mëlçisë ose të atyre që kanë hemorragji të shpeshta prej variçeve ezofageale.

Parandalimi

Në qoftë se jeni diagnostikuar me sëmundje të mëlçisë, duhet të shqetësoheni për rrezikun e komplikimeve. Duhet të pyesni doktorin tuaj rreth strategjive për të parandaluar përkeqësimin e sëmundjes. Hapat që do t'ju ndihmojnë për të mbajtur sa më të shëndetshme mëlçinë tuaj janë:
Mos pini alkool. Njerëzit me sëmundje të mëlçisë këshillohen të mos konsumojnë alkool sepse ai përpunohet prej mëlçisë. Pirja e alkoolit mund ta lëndojë më shumë një mëlçi tashmë të sëmurë.
Ushqehuni në mënyra të shëndetshme: Përdorni sa më shumë fruta, zarzavate, drithëra dhe ushqime biologjike. Reduktoni ushqimet e yndyrshme dhe të skuqurat.
Mbani një peshë trupore normale. Shtimi i sasisë së dhjamit në trupin tuaj mund të dëmtojë mëlçinë. Humbni në peshë në qoftë se jeni obezë.
Reduktoni riskun për hepatit. Përdorimi i të njëjtës shiringë me tjetrin dhe marrëdhëniet seksuale të pambrojtura rrisin rrezikun për hepatitin B dhe C. Flisni me doktorin tuaj për tu vaksinuar ndaj hepatitit B.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!