Lidhja e venave varikoze (variçeve) me anë të endoskopisë

Variçet ezofageale janë enë jonormale të gjakut të cilat zhvillohen në ezofag. Ato kanë mure jashtëzakonisht të holla dhe presioni i gjakut brenda tyre është shumë i lartë. Ky kombinim i bën variçet ezofageale shumë të rrezikshme pasi ato mund të plasin dhe të shkaktojnë gjakderdhje e cila mund të rrezikojë jetën. Lidhja e variçeve me banda elastike me anë të endoskopisë, ka të bëjë me përdorimin e bandave elastike për trajtimin e variçeve. Kjo ndërhyrje kryhet si pjesë e një endoskopie gastrointestinale e pjesës së sipërme.

Arsyet e procedurës

Kjo procedurë bëhet për të parandaluar apo trajtuar gjakderdhjen nga variçet ezofageale (venat e zmadhuara). Nëse nuk trajtohen, ato mund të këputen dhe si rrjedhojë të shkaktojnë gjakderdhje serioze.

Komplikacione të mundshme

Problemet mbas procedurës janë të rralla, megjithatë të gjitha procedurat kanë një farë rreziku. Doktori do të shqyrtojë probleme të mundshme si:
• Gëlltitje e dhimbshme;
• Gjakderdhje;
• Dëmtim të ezofagut;
• Infeksion.

Disa nga faktorët që mund të shtojnë rrezikun e komplikimeve përfshijnë:
• Alkoolizmi;
• Çrregullime të gjakderdhjes;
• Gjakderdhje aktive;
• Mosha e vjetër;
• Probleme me zemrën apo mushkërinë;
• Përdorimi i disa lloje medikamentesh;
• Duhani.

Çfarë pritet?

Përpara procedurës
• Ka të ngjarë që doktori t'ju bëjë një ekzaminim fizik dhe të kërkojë të bëni analizat e gjakut.
• Mos hani për 8 - 12 orë përpara procedurës.
• Nëse jeni me diabet, diskutoni me doktorin tuaj rreth ilaçeve që duhet të merrni.
• Rregulloni transportin. Nuk duhet të ngisni makinën për 24 orë mbas procedurës.
• Flisni me doktorin tuaj rreth ilaçeve, pasi mund tu kërkohet të ndaloni së piri disa nga këto medikamente deri në një javë përpara procedurës.

Anestezia

• Lokale. Mund t'ju jepet një solucion anestezik për të bërë gargarë, ose mund t'ju sprucohet gryka me një anestezik mpirës.
• Mund t'ju jepet gjithashtu një sedativ për t'ju ndihmuar të relaksoheni.
• Sedacion i vetëdijshëm-Mund t'ju jepen medikamente me anë të një IV. Kjo t'ju ndihmojë që të relaksoheni.
• Do t'ju jepen medikamente të tjera për të trajtuar çdo lloj dhimbjeje që ndjeni gjatë procedurës.
• Anestezi e përgjithshme. Nëse e kryeni procedurën për shkak të gjakderdhjes së pakontrolluar, mund t'ju nevojitet të përdorni intubimin dhe anestezinë e përgjithshme për thithjen e gjakut.

Përshkrimi i procedurës

Për të kryer këtë procedurë do ju duhet të shtriheni në krahun e majtë. Nëse nuk ju bëhet intubimi, atëherë do t'ju vendoset një aparat për t'ju ndihmuar të mbani gojën hapur. Në dhomë do të jetë një asistent për të monitoruar frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës. Mund t'ju jepet gjithashtu oksigjen nëpërmjet hundës dhe do të përdoret një tub thithës për të pastruar pështymën dhe lëngjet e tjera të gojës.

Në gojën do t’ju vendoset një endoskop i lubrifikuar i cili do kalojë poshtë grykës dhe drejt e në ezofag. Endoskopi ka një dritë të vogël dhe një kamer. Doktori sheh imazhet në video-monitor. Endoskopi mbushet me ajër në mënyrë që doktori të shohë ezofagun tuaj. Më pas ai do të jetë në gjendje të gjejë venën e zmadhuar.

Instrumentat do të kalojnë nëpërmjet endoskopit. Indi i zmadhuar do të thithet në paisjen endoskopike. Do të vendosen një ose më shumë fasha rreth indit për të nxjerrë jashtë grumbullimin e gjakut.

Sa orë do të zgjasë?

Zakonisht, më pak se një orë.

A do të jetë e dhimbshme?

Zakonisht, gjatë procedurës, do të ndjeni presion i cili shoqërohet edhe me një ndjenjë parehatie, por jo dhimbje. Më pas mund të ndjeni grykën të irrituar dhe të lënduar.

Kujdesi pas procedurës

Në Qendrën e Kujdesit

Më pas do t'ju çojnë në një zonë rikuperimi derisa të jenë zhdukur efektet e ilaçeve. Në shumicën e rasteve do të jeni nën mbikqyrje përreth një orë. Nëse ndiheni mirë, atëherë mund të shkoni në shtëpi.

Në shtëpi

Mbasi të ktheheni në shtëpi, duhet të bëni si më poshtë:
• Ndiqni këshillat e doktorit për dietën.
• Shmangni ngarjen e makinës apo përdorimin e makinerive të rënda për të paktën një ditë mbas procedurës. Sedativët mund të ngadalsojnë kohën e reagimit.
• Shmangni përdorimin e alkoolit për të paktën një ditë pas procedurës.
• Flini shumë.

Gjatë ditëve ose javëve mbas procedurës, indi që ishte fashuar do të bjerë.
Vazhdoni ndjekjen me doktorin siç ju kanë udhëzuar. Mund të keni nevojë për procedura të tjera.

Telefononi doktorin

Telefononi doktorin tuaj nëse keni:
• Shenja infeksioni, përfshirë ethe dhe të dridhura;
• Gjak nga goja;
• Dhimbje të shtuar;
• Nauzea dhe të vjella;
• Të vjella me gjak;
• Vështirësi në kapërdirje;
• Kollë, mosmbushje me frymë, ose dhimbje kraharori;
• Marrje mendsh ose dobësi;
• Jashtëqitje e gjakosur ose shumë e errët;
• Dhimbje të forta barku.
Nëse mendoni se keni urgjencë, telefononi menjëherë për ndihmë mjekësore.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!