Pankreatiti akut

Çfarë është pankreatiti akut?

Pankreasi është një gjendër ne bark, e rrethuar nga stomaku, zorrët dhe organe të tjera. Ai prodhon lëndë të quajtura lëngje pankreatike (të cilat përmbajnë enzima tretëse) dhe hormonin të quajtur insulinë. Këto enzima tretëse derdhën në zorrën e hollë. Pankreatiti është inflamacion (ënjtje) i pankreasit.
Ai ndodh kur këto enzima tretëse fillojnë të sulmojnë pankreasin. Pankreatiti mund të jetë akut (ndodh papritur) dhe mund të jetë kërcënues për jetën me komplikacionet e shumta që ka. Dëmi i vazhduar ndaj pankreasit mund të çojë në një forme të zgjatur (kronike). Rreth 20% e pankreatitëve akutë janë të rëndë. Rastet shumë të rënda mund të çojnë në shok dhe vdekje.

Pse shkaktohet pankreatiti akut?

Shkaqet më të zakonshme janë gurët në tëmth dhe përdorimi i alkoolit. Shkaqe të tjera janë: barnat, ndërhyrjet kirurgjikale në bark, anomalitë e pankreasit apo zorrëve dhe rrallë infeksionet (p.sh. fruthi), bllokimi i kanaleve apo cikatriçet e pankreasit si dhe kanceri apo infeksioni i pankreasit. Ndonjëherë shkaku mbetet i panjohur.

Cilat janë shenjat/simptomat e pankreatitit akut?

Simptoma e parë është zakonisht dhimbja në pjesën e sipërme të barkut që mund të zgjasë disa ditë dhe është shpesh shumë e fortë. Ajo mund të përhapet në shpinë apo në gjoks. Dhimbja mund të jetë e menjëhershme, e fortë ose e lehtë dhe mund të përkeqësohet gjatë ngrënies. Barku mund të jetë i fryrë dhe i dhimbshëm në prekje. Simptoma të tjera janë: të përzierat, të vjellat, temperatura e lartë dhe rrahjet e shpeshta të zemrës.

Si diagnostikohet pankreatiti akut?


Për të dhënë diagnozën mjeku bazohet në ankesat dhe ekzaminimin fizik, analizat e gjakut dhe urinës, eko-n dhe skanerin (CT) të barkut. Analizat e gjakut kërkohen për nivelin e amilazës dhe lipazës (enzima tretëse të prodhuara nga pankreasi), të cilat rriten kur pankreasi është i inflamuar. Gjithashtu mund të ndryshojë niveli në gjak i kalçiumit, magneziumit, natriumit, kaliumit dhe bikarbonateve. Mund të rritet gjithashtu niveli i sheqerit dhe yndyrnave në gjak. Pasi pankreasi përmirësohet, niveli i tyre kthehet përsëri në normë.

Si trajtohet pankreatiti?

Trajtimi është zakonisht mbrojtës dhe kryhet në spital. Likidet intravenoze përdoren për rritjen e volumit të gjakut dhe zëvendësimin e kripërave si kaliumi dhe kalçiumi. Nëse pacienti nuk mund të kontrollojë dot të vjellat, vendoset një tub nga hunda në stomak, për të hequr lëngjet dhe ajrin prej tij. Njerëzit me pankreatit mund të mos munden të hanë për 3 apo 4 ditë, prandaj u jepen likide intravenoze dhe qetësues dhimbjesh. Ata me pankreatit të rëndë mund të marrin ushqyerje intravenoze për periudha më të gjata. Mund të nevojitet ndërhyrje kirurgjikale për infeksionet, cistet apo hemorragjinë. Kur shkaktarë janë gurët e tëmthit, mund të hiqet fshikëza e tëmthit dhe të bëhet kirurgji edhe e kanaleve të tëmthit pas qetësimit të pankreatitit.

Çfarë duhet dhe nuk duhet bërë për menaxhimin e pankreatitit akut?


Pankreatiti mund të jetë kërcënues për jetën dhe ka nevojë për trajtim të menjëhershëm.

Këshillohu me mjekun nëse keni dhimbje barku, villni gjak, apo keni probleme me alkoolin, zverdhje/ikterin (sy dhe lëkurë të zverdhur), temperaturë, rënie në peshë, krampe/ngërçe muskulore, apo konvulsione nga lënia e alkoolit.

Mos përdorni pije alkoolike.
Përdorimi i tepruar i alkoolit mund të shkaktojë pankreatit. Kërkoni ndihmë nëse nuk mund të lini përdorimin e alkoolit.


Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!