Intoleranca nga Laktoza

Çfarë është intoleranca nga laktoza?

Intoleranca nga laktoza është paaftësia për tretur sasi të caktuar laktoze, sheqer kryesor që gjendet tek qumështi. Kjo situatë ndodh nga mungesa (defiçenca) e sasisë së duhur të një enzime të quajtur laktaza e cila prodhohet nga qelizat e mukozës së zorrës së hollë. Laktaza zbërthen qumështin në dy forma të thjeshta sheqeri: glukozë dhe galaktozë të cilat thithen në gjak.

Jo të gjithë njerëzit që kanë mungesë të laktazës kanë simptoma, por ata që kanë quhen intolerant të laktozës.

Njerëzit ndonjëherë ngatërrojnë intolerancën e laktozës me intolerancën e qumështit të lopës sepse shpesh herë simptomat janë të njëjta. Kjo nuk do të thotë që këto lloj intolerancash janë të njëjta.

Intoleranca nga qumështi i lopës është një reaksion alergjik i sistemit imunitar ndërsa intoleranca nga laktoza shkaktohet nga sistemi tretës i trupit.

Cilat janë simptomat (shenjat) e intolerances ndaj laktozës?

Njerëzit me insufiçencë (sasi të pamjaftueshme), të laktazës për të tretur laktozën që ata kosumojnë mund të kenë shumë shqetësime. Shenjat të cilat mund të shfaqen nga ato të lehta, deri në më të rënda përfshijnë:
- Nauze(të përziera);
- Dhimbje(krampe), dhe fryrje abdominale (barku);
- Diarre (barkqitje).

Ashpërsia e simptomave varet nga një sërë faktorësh si p.sh. sasia e laktozës që personi mund të tolerojë, mosha, përkatësia etnike dhe shkalla e tretjes.

Si diagnostikohet intoleranca ndaj laktozës?

Intoleranca ndaj laktozës mund të jetë e vështirë për tu diagnostikuar bazuar vetëm në simptoma. Ndonjëherë njerëzit mendojnë se vuajnë nga intoleranca për shkak të simptomave pa qenë në dijeni të situatave të tjera që shkaktojnë të njëjtat simptoma si p.sh: sindromi i zorrës së irritueshme. Doktori mund të kryejë disa analiza për të diagnostikuar intolerancën, por fillimisht mund të kërkojë eliminimin e qumështit të lopës dhe produktet e tij për të parë nëse simptomat zhduken.
Analizat më të shpeshta për të diagnostikuar intolerancen ndaj laktozës janë: laktozë toleranca, hidrogjeni në frymë, aciditeti i feçeve.

- Testi i tolerancës së laktozes. Ju duhet të jeni pa ngrënë dhe më pas ju jepet nga doktori të pini lëngje me përmbajtje laktoze. Më pas merren mostra gjaku në harkun kohor prej 2 orësh për të matur nivelin e glukozës në gjak (gliceminë). Kjo matje tregon se sa mirë trupi është i aftë të tretë laktozën.
- Testi i hidrogjenit në fryme. Ky test mat sasinë e hidrogjenit në frymën e pacientit. Normalisht detektohet një sasi e vogël e hidrogjenit. Gjithsesi laktoza e papërthithur në zorrë fermentohet nga bakteriet dhe çliron gazra të ndryshëm ku përfshihet dhe hidrogjeni. Më pas hidrogjeni përthithet nga zorrët e holla dhe nëpërmjet qarkullimit të gjakut kalon në mushkëri ku nxirret jashtë nëpërmjet frymënxjerrjes.

Në këtë test pacienti pi një pije të ngopur me laktozë dhe me pas fryma analizohet në intervale të rregullta. Rritja e nivelit të hidrogjenit në frymë indikon intolerancë të laktozës.

Disa ushqime të caktuara, medikamentet dhe cigaret mund të japin rezultate të gabuara prandaj përpara se të kryhet ky test pacienti duhet të konsultohet me mjekun për t’i ndërprerë ato.

Testi i intolerancës ndaj laktozës dhe niveli i hidrogjenit në frymë nuk mund të kryhen tek fëmijët me të vegjël se 6-muajsh.

- Testi i aciditetit ne feçe. Ky test mund të kryhet tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Laktoza e papërthithur fermentohet nga bakteret në zorrë duke prodhuar acidin laktik dhe acide të tjera yndyrore të cilat mund të gjenden tek feçet. Në këto feçe mund të vihet re edhe prezenca e glukozës.

Çfarë e shkakton intolerancën ndaj laktozës?

Disa shkaqe janë të mirënjohura.
Së pari, defiçenca (pamjaftueshmëria) është një situatë e cila zhvillohet me kalimin e kohës. Pas moshës 2-vjeçare trupi fillon të prodhojë më pak laktazë edhe pse njerëzit i ndjejnë shqetësimet kur janë më të rritur në moshë.

Së dyti, defiçenca e laktazës ndodh kur dëmtime të zorrëve të holla ose disa sëmundje të traktit tretës si p.sh: sëmundja celiake, sëmundja inflamatore e zorrës dhe sëmundja Crohn, reduktojnë (pakësojnë) prodhimin e laktazës.
Studimet kanë treguar edhe faktorin gjenetik të lidhur me intolerancën.

Si trajtohet intoleranca ndaj laktozës?

Intoleranca ndaj laktozës trajtohet shumë lehtë. Trajtimi nuk do bëjë të mundur që trupi të rrisë aftësinë për të prodhuar laktazë, por simptomat mund të mbahen nën kontroll me dietë.
Fëmijët e vegjël dhe foshnjat me defiçencë të laktazës nuk mund të përdorin ushqim me përmbajtje laktaze përpra se ata të jenë të aftë të tolerojnë tretjen dhe përthithjen e laktozës.
Fëmijët e rritur dhe të rriturit mund të mos shmangin krejt përdorimin e laktozës por mund të kontrollojnë sasinë e ushqimeve që marrin. Për shembull një njeri mund të shfaqë shenja pasi ka konsumuar një gotë qumësht, kurse një tjetër mund të pijë (ta tolerojë) një gotë, por jo dy. Disa të tjerë mund të tolerojnë përdorimin e akullores dhe djathit. Pra sasia dhe lloji i ushqimit që mund të përdoret është paksa individuale.
Për ata persona që shfaqin shqetësime pas përdorimit të një sasie të vogël laktoze e kanë të nevojshme përdorimin e enzimës së laktozës nga goja me mjekim të përditshëm.
Qumështi dhe produktet e tij pa laktozë mund të gjenden në supermarket.

Si balancohet ushqyerja?

Qumështi dhe produktet e tij janë burim i madh i lëndëve ushqyese në Shqipëri. Një nga rendësitë e këtyre ushqyesëve është kalçiumi, i cili është i rëndësishëm për rritjen dhe riparimin e kockave gjatë jetës. Në moshën e mesme dhe të madhe pakësimi i kalçiumit mund të çojë në dobësimin dhe fraxhilitetin e kockave të cilat mund të thyhen lehtësisht. Kjo situatë njihet me emrin osteoporozë. Shqetësimi kryesor për fëmijët dhe të rriturit intolerant ndaj laktozës është marrja e kalçiumit me dietë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më poshtë janë renditur nevojat ditore të kalçiumit sipas grup-moshave.

Grupe mosha    Sasia ditore e kalciumit ne miligram
0–6 muajsh       400 mg
6–12 muajsh     600 mg
1–5 vjeç            800 mg
6–10 vjeç          1,200 mg
11–24 vjeç        1,200–1,500 mg
19–50 vjeç        1,000 mg
51–70+ vjeç      1,500 mg

Përveç kësaj, gratë e shtatzëna dhe ato që kanë fëmijët në gji kanë nevojë për 1,200 -1,500 mg kalçium në ditë.

Njerëzit me intolerancë të laktozës duhet të sigurohen që të marrin sasinë e duhur të kalçiumit në dietën e tyre. Kërkimet e fundit kanë treguar se kosi i pasur me enzima tretëse është një burim shumë i mirë kalçiumi për personat me intolerancë.

Me poshtë do t’ju vijë në ndihmë një tabelë për të plotësuar nevojat ditore të kalçiumit në dietën tuaj.
Disa perime të pasura me kalçium si p.sh: spinaqi nuk janë listuar në tabelë sepse trupi nuk mund të përdorë kalçiumin që gjendet në to, pasi ato përmbajnë edhe disa substanca të quajtura oksalate të cilat ndalojnë përthithjen e kalçiumit.

Kalçiumi dhe laktoza tek ushqimet më të shpeshta

Perimet
Sasia e Klaciumit
Sasia e Laktozës
Qumështi i sojës 1 gote            
200-300 mg
0
Sardelet me kocka te buta 3cope
270 mg
0
Salmoni i konservuar me kocka te buta 3 cope. 
205 mg
0
Brokoli i pagatuar , 1 kupe 
90 mg
0
Portokalli 1 kokerr mesatare 
50 mg
0
Fasule , 1/2 kupe        
40 mg
0
Ton i konservuar, 3 cope 
10 mg
0
Sallate jeshile , 1/2 kupe 
10 mg
0
 
Produktet ditore 
Kosi me pak yndyre, 1 gote 
415 mg
5
Qumësht  i skremuar, 1 gote 
295 mg
11
Djathë , 1 racion 
270 mg
1
Akullore 1/2 kupe 
85 mg
6

Kalciumi përthithet dhe përdoret vetëm kur kemi sasi të mjaftueshme të vitaminës D.
Disa njerëz me intolerancë të laktozës mendojnë se nuk po marrin sasinë e duhur në vit të vitaminës D në dietën e tyre. Duke u konsultuar tek një mjek dietolog ju mund të rregulloni marrjet ditore nëpërmjet dietës. Marrja e vitaminave dhe mineraleve në mënyrën dhe sasinë e gabuar mund të jetë shumë e dëmshme.

Gjithashtu, qumështi dhe ushqimet e gatuara me të janë burimi natyror i laktozës.
Njerëzit me nivel të ulët të tolerancës së laktozës (pra shumë intolerantë ndaj laktozës), duhet të informohen edhe për ushqime që përmbajnë sasi të vogla laktoze:

- Buka dhe drithërat e tjera të pjekura;
- Drithërat e përpunuara që përdoren për mëngjes;
- Patate, supat dhe disa lëngje;
- Margarina;
- Gjellët me mish;
- Sallata;
- Ëmbëlsirat;
- Kek dhe biskota.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!