Polipet e zorrës
Çfarë janë polipet e zorrës?
Polipi është një ind shtesë që rritet brenda trupit tuaj. Polipet e zorrës rriten në zorrën e trashë e cila është pjesa e fundit e traktit tretës.
Janë të rrezikshëm polipet?
Një pjesë e madhe e polipeve nuk janë të rrezikshëm. Shumica e tyre janë beninj, që do të thotë jo kancerozë, por me kalimin e kohës disa lloje polipesh mund të kthehen në kancer.
Zakonisht, polipet që janë më të vegjël se një kokërr bizeleje janë të parrezikshëm. Polipet më të mëdhenj se një kokërr bizeleje mundet që në një të ardhme të kthehen në kancer ose janë të tillë që në fillim. Për të qenë i sigurt, doktori i heq dhe vlerëson natyrën e tyre.
Kush mund të ketë polipe?
Çdokush mund të ketë polipe, por disa persona janë më të predispozuar se të tjerët. Ju mund të keni shance të shumtë për të pasur polipe në qoftë se:
* jeni mbi 50vjeç. Me rritjen e moshës rritet risku për të pasur polipe;
* keni pasur më parë polipe;
* ndonjë nga pjesëtaret e familjes ka patur polipe;
* ndonjë pjesëtar i familjes suaj ka patur kancer të zorrës së trashë.
Gjithashtu ju jeni të predispozuar për të patur polipe në qofte se:
* Hani shumë ushqime të yndyrshme;
* pini duhan;
* konsumoni alkool;
* nuk bëni ushtrime fizike;
* jeni shumë mbi peshë.
Cilat janë simptomat (shenjat)?
Shumë polipe të zorrës nuk shfaqin shenja. Ato që shfaqin shenja paraqiten me:
1) Hemorragji, e cila është 2 lloje:
a. okulte (e fshehtë) e cila identifikohet me një analizë të quajtur feçe gjak okult;
b. e dukshme (jashtëqitje me gjak të freskët ose me ngjyrë të zezë).
2) Anemi me mungesë hekuri.
3) Polipet shpesh janë burimi i çrregullimeve dhe dhimbjeve të zorrës.
4) Disa polipe rektale shkaktojnë defekim (jashtëqitje) me jargë.
5) Një grup pacientësh pa ankesa të cilët kanë një risk të lartë për kancer të zorrës ku bëjnë pjesë:
a. Pacientë me histori familjare për polipe dhe kancer të zorrës;
b. Paciente me kolit ulceroz
c. Pacientët me sindromin polipoz të zorrës.
Si i diagnostikon doktori polipet?
Për të gjetur polipet doktori mund të përdorë këto teste:
Ekzaminimin digjital rectal (me gisht). Pasi doktori ka veshur dorezë dhe e ka lubrifikuar me xhel, ekzaminon rektumin me gisht për të parë problemet rreth anusit. Ky lloj ekzaminimi mund të gjejë polipe në rektum, kështu që doktorit do t’i duhet të bëjë një nga ekzaminimet e mëposhtme:
Skopi me kontrast bariumi. Pasi mbushet rektumi me kontrast, bëhen grafi me rreze X. Kontrasti ka ngjyrë të bardhë ndërsa polipet janë të errët dhe lehtësisht të dukshëm kur janë të pranishëm.
Sigmoidoskopi. Me anë të këtij testi doktori shikon në brendësi të zorrës dhe ekzaminon vetëm gjysmën e poshtme të zorrës së trashë.
Kolonosopi. Ky test është i njëjtë me sigmoidoskopinë, por me ndryshimin se ekzaminohet krejt zorra e trashë dhe pacienti është i sedatuar (qetësuar me gjumëdhënës).
Ku duhet të testoheni për polipe?
Flisni me doktorin tuaj për tu testuar për polipe në qoftë se :
* ju keni shenjat e përmendura më lart
* jeni mbi 50 vjeç
* ndonjë familjar i juaj ka pasur polip apo kancer të zorrës së trashë
Si trajtohen polipet?
Doktori duhet t’i heqë ato. Shpesh ai i heq ato gjatë ekzaminimit të kolonoskopisë.
Në qoftë se keni polipe, doktori do t'ju kërkojë të ekzaminoheni rregullisht në të ardhmen.
Si mund të parandalohen polipet?
Doktorët nuk dinë ndonjë mënyrë të saktë për parandalimin e tyre, por ju mund të ulni rrezikun në qoftë se:
- Konsumoni më shumë fruta dhe perime dhe më pak ushqime me yndyrna shtazore;
- Nuk pini duhan;
- Shmangni alkoolin;
- Bëni ushtrime fizike çdo ditë;
- Humbni në peshë në qoftë se jeni mbi peshë.
Konsumimi i ushqimeve te pasura me kalçium si p.sh; qumështi, djathi, brokoli, reduktojnë riskun për krijimin e polipeve.
Disa ushqime që janë të pasura me folate fosfate janë: spinaqi, fasulet etj.
Disa mjekë mendojnë se përdorimi i aspirinës ndihmon në parandalimin e polipeve. Studimet e vërtetojnë më së miri këtë fakt.
Çfarë duhet të mbani mend
Polipet janë një rritje anormale e indeve dhe shumica e tyre janë të padëmshme.
Shenjat mund të përfshijnë: konstipacion, diarre për më shumë se një javë ose gjak në veshjet tuaja të brendshme, në letrën e tualetit dhe në WC.
Disa polipe nuk shkaktojnë shenja.
Doktori i heq të gjitha polipet dhe i ekzaminon ato për kancer.
Flisni me doktorin tuaj për tu testuar në qoftë se:
- Keni ndonjë nga shenjat e lartëpërmendura;
- Jeni mbi 50-vjeç;
- Ndonjë në familjen tuaj ka pasur polipe apo kancer të zorrës;
Kolonskopia është mënyra më e sigurtë dhe më e saktë e testimit për polipe të zorrës.
Shpesh doktori i heq ato gjatë ekzaminimit të kolonoskopisë.
Në qoftë se keni polipe, doktori do t'ju kërkojë që të ekzaminoheni rregullisht në të ardhmen.
Menaxhimi i polipeve të zorrës
Shumë polipe mund të hiqen gjatë kolonoskopisë duke përdorur elektrokauter. Polipi kapet me një lak, këputet, pastaj ndalohet hemorragjia me elektrokauter (me nxehje). Për të minimizuar riskun për malinjitet në të ardhmen, bëhet heqje totale e polipit.
Polipet me pedunkul janë shumë të lehtë për tu kapur me lak. Në këtë mënyrë bëhet heqja totale e tyre.
Polipet sesil më të mëdhenj se 2cm, pasi hiqen dhe ekzaminohen histologjikisht (biopsi), rekomandohet rikontrolli me endoskopi brenda 3-6 muajsh për të konfirmuar heqien totale .
Heqja endoskopike e polipeve është trajtimi përfundimtar për pacientët me polipe adenomatoze beninje.
Kolonoskopi rikontrolli rekomandohet për:
- Pacientët me 3-10 adenoma ose 1 adenomë >1 cm, ose adenoma me strukturë viloze apo me displazi të gradës së lartë, 3 vite pas polipektomisë së parë.
- Pacientët me më shumë se 10 adenoma në një ekzaminim të vetëm, duhet të konsiderohet mundësia e një sindrome familjare dhe kolonoskopia rekomandohet brenda 3 viteve pas polipektomisë së parë.
- Për pacientët, të cilët kanë pasur një kancer të kolonit apo rektumit, të hequr me kirurgji, kolonoskopia është e rekomadueshme të kryhet brenda një viti pas rezeksionit të kancerit. Nëse rezultatet janë normale, ekazminimi duhet të përsëritet çdo 5 vite.
- Pacientët me të afërm të moshës 60 vjeç me CRC apo polipozë adenomatoze, apo dy ose më shumë të afërm të çdo moshe, kolonoskopia rekomandohet çdo 5 vite duke filluar në moshën 40 vjeç ose 10 vite më parë se rasti me moshë më të re.
-Pacientët me FAP (polipoze adenomatoze familjare) çdo vit apo ½ depistimi duhet të fillojë në pubertet në 10–12 vjeç duke vazhduar deri në 35 vjeç, ku intervali reduktohet në 3 vite nëse asnjë polip nuk është gjetur.
Grupet me risk të lartë janë: sindromat gjenetike (më frekuente FAP) dhe sëmundja inflamatore e kolonit /IBD (inflammatory bowel disease: chronic ulcerative colitis dhe Crohn’s disease).
Kujdesi pas heqjes së polipit
Kujdesi pas heqjes së polipeve konsiston në kontrollet periodike të cilat bëhen në varësi të llojit të polipit që është konstatuar histologjikisht.
Komplikacionet pas heqjes së polipeve
Komplikacioni më i shpeshtë pas heqjeve endoskopike të polipeve është hemorragjia, e cila ndodh në 1-2 % të rasteve. Komplikacionet e tjera përfshijnë: perforacione të zorrës (çarje), dhe djegie të mukozës gjatë ndalimit të hemorragjisë. Këto situata janë të trajtueshme dhe pa komplikacione të mëdha për pacientin. I vetmi komplikacion i cili mund të kërkojë kirurgji është peritonitis ose hemorragjia e madhe, të cilat ndodhin shumë rrallë.
Përfitimet nga heqja endoskopike
Të mirat e kësaj procedure janë të mëdha e në interes të pacientit.
Kjo është një procedurë me kosto jo të lartë, por e përballueshme nga pacienti dhe nuk kërkon hospitalizim.
Duke bërë heqjen endoskopike të polipeve, pacienti eviton një kirurgji të hapur e cila mbart rreziqet dhe komplikacionet e veta.
Më e rëndësishmja është se pacienti nuk pëson trauma psikologjike për shkak të invalidizimit që mund të ndodhë si rezultat i kirurgjisë.
Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!