Ezofagu Barret

Ezofagu Barret është një situatë në të cilën ezofagu, tubi muskulor i cili kalon ushqimin dhe pështymën nga goja në stomak, ndryshon. Mukoza normale e tij zëvendësohet me qeliza të ngjashme me ato të intestinit (zorrës).

Ndërkohë që ezofagu Barret vetë mund mos të shkaktojë simptoma, por në një numër të vogël njerëzish ai shkakton kancer të ezofagut. Ezofagu Barret është i lidhur ngushtë me sëmundjen e refluksit gastro-ezofagel (GERD)

Funksioni normal i ezofagut

Ezofagu duket të ketë vetëm një funksion të rëndësishëm në trupin tonë, atë të kalimit të ushqimit, lëngjeve dhe pështymës nga goja në stomak. Stomaku luan rolin e një depozite, ku fillon tretja e ushqimit e më pas përcillet në drejtim të zorrës ku procesi i tretjes vazhdon më tej. Pasi ushqimet janë tretur, lëndët nutritive (ushqyese) thithen nga zorrët.
Ezofagu i transporton ushqimet në stomak nëpërmjet kontraksioneve të koordinuara, proces i cili quhet peristaltikë dhe është i pandjeshëm për ne. Kur këto kontraksione janë të ndjeshme në rast se gëlltitet diçka e fortë, lëng i nxehtë ose shumë i ftohtë, japin një ndjenjë diskomforti.

Shtresat muskulore të ezofagut ngushtohen në të dy ekstremet e tij, në të sipërmin dhe të poshtmin, prej muskujve rrethorë të quajtur ''sfinkter '' të cilët e mbajnë ezofagun të mbyllur. Kur një person gëlltitet, sfinkterat relaksohen (lirohen) automatikisht për të lejuar ushqimin të kaloje nga goja në stomak. Pastaj sfinkterat (muskujt) mbyllen menjëherë për të parandaluar ushqimin e gëlltitur të kthehet në ezofag dhe në gojë. Kur njeriu gogësin për të nxjerre ajrin e gëlltitur ose gazin e pijeve të gazuara, sfinkterat lirohen dhe një sasi shumë e vogël e ushqimit ose lëngjeve vijnë mbrapsht në ezofag. Ky fenomen quhet REFLUKS

Çfarë është GERD (Sëmundja e ezofagut prej refluksit gastro-ezofageal)?

Të pasurit rrallë kthim të lëngjeve ose gogësimë, është normale. Por kur këto bëhen të shpeshta veçanërisht kur ne nuk i provokojmë atëherë kjo situatë është problem mjekësor, por nuk duhet pritur të që situata të bëhet serioze për të takuar doktorin.
Stomaku prodhon acid dhe enzima që shërbejnë për tretjen e ushqimit. Kur kjo përmbajtje kthehet në ezofag me shpesh se normalja për një kohë të zgjatur, ajo mund të japë shqetësime. Shenja me tipike është djegia e kraharorit. Shpeshherë refluksi ndodh nga mbipesha, ngrënia e disa ushqimeve të veçanta, ose në periudhën e shtatzënisë.
Njerëzit që kanë vazhdimisht kthim të lëngjeve duhet të takojnë doktorin. Shkak i refluksit mund të jenë sëmundje të tjera, që do të thotë që ai më tepër është një pasojë se sa shkak. Refluksi i patrajtuar mund të çojë në komplikacione si p.sh ulçera në ezofag të cilat mund të shkaktojnë hemorragji. Një komplikacion tjetër është dhe striktura (ngushtimi), ku mukoza e ezofagut dëmtohet për një kohë të gjatë nga acidi i stomakut dhe nuk lejon kalimin e ushqimit të përcillet nga ezofagu në stomak.

Refluksi ezofageal mund të shkaktojë gjithashtu:

Ngjirje të zërit, kollë të thatë kronike, astma, erë të keqe të gojës.
Kjo situatë shpjegohet me kthimin e lëngjeve acide të stomakut në gojë të cilat acarojnë laringun, kordat e zërit duke dhëne ngjirje të zërit dhe kollë. Gjithashtu ato mund të aspirohen në rrugët e frymëmarrjes duke dhënë astmën aspirative.

Refluksi dhe ezofagu Barret


Saktësisht nuk dihet se çfarë e shkakton ezofagun Barret, por mendohet se refluksi mund të luajë një rol te rëndsishëm. Ka edhe raste kur ezofagu Barret nuk shoqërohet me refluks.
Ezofagu Barret është i pazakontë tek fëmijët. Është dy herë më i shpeshtë ndër burra se ndër gratë dhe më i shpeshtë tek raca e bardhë.

Ezofagu Barret dhe kanceri i ezofagut

Edhe pse vetë ezofagu Barret nuk shfaq simptoma, ai është pararendës i zhvillimit të adenokarcinomës ezofageale (lloj kanceri). Risku për tu zhvilluar adenokarcinoma është 30-125 herë më i lartë tek njerëzit që kanë ezofagun Barret se sa tek ata që nuk e kanë. Gjithashtu, këto vitet e fundit po rritet numri i rasteve tek njerëzit e bardhë. Një nga arsyet që shpjegon këtë rritje mund të jetë obeziteti (rritja në peshë) dhe sëmundja e refluksit gastroezofagel (GERD).
Adenokarcinoma ezofageale është e pakurueshme, pjesërisht për shkak se diagnostikohet në stade të avancuara dhe në këto raste trajtimi është joefektiv.

Diagnostikimi

Ezofagu Barret mund të diagnostikohet vetëm me endoskopi (gastroskopi). Ai nuk mund të diagnostikohet në bazë të shenjave, ekzaminimit fizik dhe analizave laboratorike të gjakut. Gjatë endoskopisë mund të merret biopsi nëse mjeku specialist e shikon mukozën të dyshimtë.
Pacientët mbi moshën 40 vjeç që kanë refluks gastro-ezofageal u rekomandohet që çdo dy vjet të bëjnë gastroskopi për tu paraprirë ndryshimeve për ezofagun Barret.

Trajtimi

Ezofagu Barret nuk ka trajtim medikamentoz. Heqja e zonës së ezofagut ku ndodhin ndryshimet është operacion që mbart komplikacione serioze. Trajtimi kirurgjikal i rekomandohet pacientëve që kanë risk të lartë për tu sëmurë me kancer ose e kanë atë. Shumë mjekë spcialistë rekomandojnë trajtimin e sëmundjes gastro-ezofageale, gjithsesi kjo masë në disa raste nuk e ka parandaluar zhvillimin e kancerit.

Observimi për displazi dhe kancer

Endoskopitë periodike ndihmojnë të mbajnë nën kontroll ndryshimet e pacientëve me ezofag Barret. Kjo masë quhet survejancë. Kur tek pacientët me ezofag Barret zhvillohet kanceri, procesi duhet të kalojë në një fazë të ndërmjetme në të cilën qelizat kanceroze shfaqen në indet e ezofagut. Kjo situatë quhet displazia e cila mund të vërtetohet vetëm me biopsi.

Procesi i ndryshimit nga ezofag Barret në kancer duket se ndodh vetëm tek një numër i vogël pacientësh. Për mbajtjen e situatës nën kontroll është ideale të bëhen endoskopi periodike të vlerësuara me biopsi.

Trajtimi i displazisë ose adenokarcinomës së ezofagut

Në qoftë se në një pacient me ezofag Barret gjenden elemente sado të vogla të displazisë ose të kancerit, rekomandohet kirurgjia. Kjo varet edhe nga gjendja fizike e pacientit dhe nga mundësitë për rikuperim që ai mund të ketë.
Lloji i kirurgjisë mund të ndryshojë, por më e shpeshta është heqja e një pjese të madhe të ezofagut, tërheqja e stomakut lart në kraharor dhe lidhja e tij me pjesën e mbetur të ezofagut.

Disa pyetje të rëndësishme rreth ezofagut Barret kanë nevojë për kërkime të mëtejshme

- Gjetja e mënyrave më të mira për të identifikuar njerëzit me probleme.
- Gjetja e shkaqeve
- Gjetja e trajtimeve për të parandaluar apo eleminuar atë.
- Gjetja e trajtimeve sa më të mira për pacientët që kanë ezofag barret ose kancer të tij.

Disa gjëra që nuk duhen harruar

- Në ezofagun barret qelizat e ezofagut ndryshojnë dhe bëhen të ngjashme me ato të intenstinit (zorrëve).
- Ezofagu Barret është i lidhur me sëmundjen e refluksit gastro-ezofageal (GERD)
- Një numër i vogël pacientësh me ezofag Barret mund të kenë kancer ezofageal.
- Ezofagu Barret diagnostikohet me endoskopi të traktit te sipërm tretës (gastroskopi) dhe biopsi.
- Pacientët me ezofag Barret duhet të bëjnë endoskopi periodikisht
- Marrja e antiacideve mund të përmirësojë ezofagun Barret (por gjithmonë të rekomanduara nga mjeku)
- Heqja e një pjese të ezofagut rekomandohet vetëm tek pacientët që janë të prirur drejt kancerit të ezofagut.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!