Gastroskopia

Gastroskopia është një ekzaminim ku mjeku specialist shikon në brendësi të traktit të sipërm tretës. Me anë të kësaj procedure ekzaminohet ezofagu, stomaku dhe duodeni (zorra 12-gishtore). Kjo procedurë kryhet me anë të një aparati që quhet gastroskop.

Si është gastroskopi?

Gastroskopi është i hollë, fleksibël me një trashësi më të hollë se gishti i vogël i dorës. Ai kalon nëpërmjet gojës, vazhdon në ezofag, hyn në stomak dhe në fillimin e zorrës së hollë. Në majë ka një kamerë dhe një dritë. Gjithashtu në brendësi të tij ka një kanal ku mund të kalojnë mjete të tjera ndihmëse për mjekun gjatë ekzaminimit, si për shembull pinca të holla, lak për të nxjerrë trupat e huaj etj.

Kur duhet të kryhet gastroskopia?

Gastroskopia mund të jetë e nevojshme për të kryhet në situatat e mëposhëme:
- kthimi i lëngjeve të stomakut në ezofag;
- djegie prapa dërrasës së kraharorit;
- dhimbje të pjesës së sipërme të barkut;
- të vjella të shpeshta;
- vështirësi në gëlltitje, etj.

Situatat e lartpërmendura mund të konfirmojnë:
- Refluksin gastro-ezofageal
- Ezofagitet
- Ulçerat duodenale dhe te stomakut
- Duodenitet (pezmatimet e duodenit)
- Gastritet ( pezmatim i stomakut)
- Kancer të stomakut apo të ezofagut


Gastroskopia si procedurë mund të zgjasë rreth 15 minuta (përfshirë kohën e parapërgatitjes dhe sedacionit). Nuk është e dhimbshme, por mund të perceptohet si një ndjenjë parehatie më pas, sepse gjatë ekzaminimit fryhet stomaku me ajër që të shikohet sa më imtësisht.

Çfarë këshillash duhet të ndiqen para procedurës?

Stomaku duhet të jetë bosh, prandaj pacienti duhet të rrijë të paktën 8 orë pa ngrënë përpara ekzaminimit.
Për procedurën mund të lindë nevoja e sedacionit (qetësuesit), kështu që këshillohet që pacienti të mos jetë vetëm por të ketë me vete një shoqërues.
Rekomandohet që një apo 2 ditë përpara procedurës të mos përdoren disa lloj medikamentesh si për shembull holluesit e gjakut.

Si tolerohet endoskopia nga ana e pacientit?

- Shumë pacientë janë të keqinformuar paraprakisht për ekzaminimin e gastroskopisë. E mendojnë si një procedurë të veshtirë dhe kështu që psikologjikisht (?) janë në dilemë për realizimin e saj.

- Në fakt është krejt e kundërta. Procedura është e lehtë, pa dhimbje dhe e padëmshme.

- Është një nga ekzaminimet bazë për të vendosur një diagnozë të sigurtë dhe për tu orientuar në trajtimin e mëtejshëm.

- Pas përfundimit të procedurës së endoskopisë, pacientët mund të largohen nga klinika për në shtëpi pas 30-60 minutash.

- Në qoftë se procedura është kryer me sedacion (qetësues), pacientit do i duhet të qëndrojë në klinikë më gjatë se koha e përshkruar më sipër.

- Pas largimit nga klinika, pacienti nuk mund të drejtojë makinën për 2 orë, nuk mund të punojë në makineri për 2 orë, nuk duhet të konsumojë alkool për 24 orë. Për tu larguar nga klinika, pacienti duhet të jetë i shoqëruar me dikë.

A duhet përsëritur gastroskopia?

Normalisht pas mjekimit duhet të bëhet një ekzaminim ri kontrolli për të rivlerësuar gjendjen.


Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!