Diarrea (barkëqitja)

Çfarë është diarrea?

Diarrea, jashtëqitja e ujshme që ndodh më shumë se tre herë në ditë, është një problem i shpeshtë i cili zakonisht ndalon vetë pa asnjë trajtim të veçantë. Megjithatë diarreja e zgjatur në kohë mund të jetë shenjë e ndonjë problemi serioz. Njerëzit me diarre mund të kenë katër-ose më shumë jashtëqitje në ditë.
Diarreja mund të shkaktojë dehidrim që do të thotë se trupi ka pamjaftueshmëri të lëngjeve për të kryer funksionet e tij.
Dehidrimi mund të jetë i rrezikshëm tek fëmijët dhe tek të moshuarit, prandaj ai duhet trajtuar menjëherë për të shmangur problemet serioze me shëndetin.
Njerëzit e çdo moshe mund të kenë diarre. Një i rritur mund ketë përafërsisht 4 herë në vit diarre.

Nga se shkaktohet diarrea?

Diarrea mund të shkaktohet nga një problem i përkohshëm si për shembull nga një infeksion i thjeshtë, nga një problem kronik si sëmundjet e traktit tretës. Disa nga shkaqet e diarresë janë:
* Infeksionet bakteriale. Disa lloje bakteresh të marra gjatë konsumimit të ujit dhe ushqimeve të kontaminuara (infektuara), mund të shkaktojnë diarre. Bakteret më të shpeshta janë campylobacter, salmonella, shigella, dhe escherichia coli.
* Infeksionet virale. Disa viruse mund të shkaktojnë diarre si p.sh: rotavirusi, virusi Norwalk, cytomegalovirusi, virusi herpes simplex, dhe hepatitis viral.
* Intoleranca nga ushqimet. Disa njerëz nuk mund të tresin disa përbërës të ushqimeve si për shembull laktozën, sheqer që gjendet tek qumështi dhe nënproduktet e tij.
* Parazitët. Parazitët mund të hyjnë në trup nëpërmjet ushqimeve dhe ujit dhe fiksohen në sistemin tretës. Parazitët që mund shkaktojnë diarre janë: giardia lamblia, entamoeba histolytica, dhe cryptosporidium.
* Reaksioni ndaj mjekimeve si për shembull prej antibiotikëve, ilaçeve kundra hipertensionit, antiacideve që përmbajnë magnezium.
* Sëmundje të zorrëve si për shembull sëmundjet inflamatore dhe sëmundja e celiakisë.
* Çrregullimet funksionale të zorrës si për shembull sëmundja e zorrës së irritueshme në të cilën zorrët nuk punojnë normalisht.

Disa njerëz kanë diarre pas kirurgjisë së stomakut ose heqjes së gurëve në fshikëzën e tëmthit. Arsyeja mund të jetë ndryshimi i shpejtësisë së lëvizjes së ushqimit në traktin tretës pas kirurgjisë së stomakut ose rritja e sasisë së lëngut biliar (tëmthit) në zorrë pas heqjes së fshikëzës së tëmthit.
Në disa raste shkaku i diarresë mbetet i panjohur. Për sa kohë që diarrea largohet vetë, ekzaminime të tjera janë të panevojshme.
Njerëz të cilët vizitojnë shtete të huaja mund të kenë të ashtuquajturën "diarre të udhëtimit", të shkaktuar prej konsumimit të ushqimeve dhe ujit të infektuar me baktere, viruse dhe parazitë.

Cilat janë shenjat e diarresë?

Diarreja mund të shoqërohet me dhimbje abdominale (të barkut) në formë krampesh, fryrje barku dhe gazra, nauze dhe nevojë urgjente për të shkuar në tualet. Në varësi të shkakut personi mund të ketë edhe gjak në feçe.
Diarreja mund të jetë akute (me kohë të shkurtër), ose kronike( e zgjatur në kohë). Forma akute e cila zgjat me pak se 4 javë zakonisht është e lidhur me infeksionet bakteriale, virale ose parazitare.
Diarreja kronike zgjat më shumë se katër javë dhe është e lidhur me çrregullime funksionale si për shembull sindromi i zorrës së irritueshme dhe sëmundja cilake.

Diarreja dhe fëmijët

Fëmijët mund kenë diarre akute ose kronike. Shkaqet mund të jenë bakteriale, virale, parazitare, medikamentoze, çrregullime funksionale dhe ndjeshmëria ndaj ushqimeve. Infeksioni viral prej rotavirusit është shkaku më i shpeshtë tek fëmijët, i cili mund të shkaktojë diarre që ndalon brenda 3-9 ditësh.
Medikamentet që përdoren për trajtimin e diarresë tek të rriturit mund të jenë të rrezikshëm në qoftë se përdoren tek fëmijët. Diarreja tek fëmijët mund të mjekohet vetëm nën ndjekjen e mjekut.
Diarrea mund të jetë e rrezikshme tek të porsalindurit dhe të miturit. Tek fëmijët, diarretë e ashpra që zgjasin 1-2 ditë mund të çojnë në dehidrim. Për shkak se fëmija mund të vdesë nga dehidrimi brenda pak ditësh, trajtimi kryesor tek fëmijët është rehidrimi.

Duhet të çoni fëmijën tek doktori në qoftë se vihet re një nga shenjat e mëposhtme:
* materialet fekale me gjak ose qelb ose në ngjyrë të zeza;
* temperaturë mbi 38.5 gradë Celsius;
* mospërmirësim të situatës pas 24 orësh;
* Shenja të dehidrimit (shih më poshtë).

Çfarë është dehidrimi?

Ndër shenjat e përgjithshme të dehidrimit, përfshihen:
* etje;
* urinim i rralluar;
* lëkurë e thatë;
* lodhje;
* marrje mendsh;
* urinim me ngjyrë të errët.

Shenjat e dehidrimit tek fëmijët përfshijnë:
* gojë dhe gjuhë e thatë;
* mungesë të lotëve gjatë qarjes;
* moslagia e pelenave prej 3 ose më shumë orësh;
* bark, sy dhe faqe të futura (sunken abdomen);
* temperaturë e lartë;
* apati ose nervozizëm;
* lëkura nuk tendoset pasi e tërheq ose e pickon.

Në qoftë se vëreni dehidrim tek fëmija juaj, lajmëroni doktorin ose paraqituni menjëherë në qendrën spitalore. Dehidrimi i ashpër mund të kërkojë hospitalizim.

Kur duhet takuar doktori?

Edhe pse zakonisht diarrea mund të mos jetë dëmshme ajo mund të bëhet e rrezikshme ose mund të jetë sinjal për një problem serioz. Ju duhet të takoni doktorin në qoftë se:
*Keni diarre për më shumë se 3 ditë.
*Keni dhimbje të forta të barkut dhe rektumit.
*Keni temperaturë 38.8 ose më të lartë.
* Shikoni gjak ose i keni feçet e zeza si qymyr.
*Keni shenja të dehidrimit.

Në qoftë se fëmija juaj ka diarre mos hezitoni të takoni doktorin. Ajo mund të bëhet e rrezikshme për jetën në qofte se lëngjet e humbura nuk zëvendësohen sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Çfarë analizash mund të bëjë doktori?

Testet diagnostikuese për të gjetur shkakun e diarresë përfshijnë:
* Historia mjekësore dhe ekzaminimi fizik. Doktori do t'ju pyesë për mënyrën se si ushqeheni, nëse keni përdorur ndonjë mjekim ose do t'ju ekzaminojë për shenjat e sëmundjes.

* Kultura e feçeve (koprokulturë) do të thotë mbjellja e feçeve për të parë nëse janë të pranishëm bakteret, parazitët ose shenja të tjera sëmundjeje apo infeksioni.

* Analizat e gjakut të cilat ndihmojnë në përjashtimin e pranisë së disa sëmundjeve.

* Testet e mospërdorimit të disa ushqimeve. Për të përjashtuar mundësinë e intolerancës ose alergjinë nga ushqime të cilat shkaktojnë diarre. Doktori mund t'ju këshillojë të shmangni laktozën (që gjendet në qumësht dhe nënproduktet e tij), karbohidratet, miellin ose ushqime të tjera për të parë nëse diarreja ndryshon me këto përjashtime.

* Sigmoidoskopi. Për këtë ekzaminim doktori përdor një instrument të quajtur endoskop, që shikon në brendësi të rektumit dhe pjesës së poshtme të zorrës.

* Kolonoskopia. Ky test është i njëjtë si sigmoidoskopia, por në këtë ekzaminim shihet e gjithë zorra e trashë.

Cili është trajtimi?

Në shumë raste zëvendësimi i lëngjeve të humbura gjatë diarresë për të parandaluar dehidrimin, është i vetmi trajtim i nevojshëm. Ilaçet për të parandaluar diarrenë mund të jenë ndihmëse në disa raste por nuk rekomandohen për persona që si shkak diarreje kanë infeksionet bakteriale apo parazitare. Në këto raste, diarreja është një reaksion mbrojtës i organizmit. Duke e ndaluar atë, e lemë mikroorganizmin shkaktar në zorrë duke zgjatur kështu problemet. Si alternative, mjeku mund të japë terapi me antibiotikë.

Diarretë virale trajtohen gjithashtu me medikamente ose lihet të mbarojnë procesin e tyre në varësi të ashpërsisë dhe llojit të virusit.

Parandalimi i dehidrimit

Dehidrimi ndodh kur trupi gjatë diarresë humbet shumë lëngje dhe bashkë me to edhe elektoritë (mikroelemente si kaliumi dhe natriumi). Lëngjet dhe mikroelementet duhet të zëvendësohen menjëherë sepse pa ato trupi nuk mund të kryeje funksionet e tij bazë. Dehidrimi është veçanërisht i rrezikshëm tek fëmijët, të cilët mund të vdesin brenda disa ditëve.
Edhe pse uji është i rëndësishëm në parandalimin e dehidrimit, ai nuk përmban mikroelemente. Për të mbajtur në normë nivelin e elektroliteve ju mund të merrni supë e cila përmban natrium, lëngje frutash, fruta të buta ose perime të cilat përmbajnë kalium.
Për fëmijët shpesh rekomandohet një tretësirë e veçantë kundër dehidrimit e cila përmban ushqyesit që atyre u nevojiten. Kjo tretësirë mund të blihet në farmaci pa recetë nga mjeku.

Këshilla për ushqimin

Derisa të kalojë diarreja mundohuni të evitoni qumështin dhe nënproduktet e tij, ushqimet me yndyrë, ushqimet me përmbajtje të lartë fibrash ose ushqimet shumë të ëmbla. Këto ushqime kanë tendencë ta përkeqësojnë diarrenë.

Pasi të përmirësoheni mund të shtoni ushqime të buta në dietën tuaj duke përfshirë banane, oriz, patate të ziera, karrota të ziera dhe pulë të pjekur pa lëkurë dhe pa yndyrë.

Për fëmijët, mjekët pediatër mund të rekomandojnë banane, oriz, mollë të grirë imët dhe bukë të thekur. Këtë lloj diete amerikanet ndryshe e quajnë BRAT (bananas, rice, applesauce, and toast).

Parandalimi i diarresë se udhëtimit

Diarreja e udhëtimit ndodh kur ju konsumoni ushqime ose ujë të infektuar me baktere, viruse ose parazitë. Ju mund të merrni masat e mëposhtme për të parandaluar diarrenë kur udhëtoni:

* Mos pini ujë rubineti qoftë edhe kur lani dhëmbët.
* Mos konsumoni qumësht të papasterizuar ose nënprodukte të tij.
* Mos konsumoni akull të krijuar prej uji rubineti.
* Mënjanoni konsumimin e të gjitha frutave dhe perimeve të pa gatuara (përshirë sallatën jeshile dhe sallatën me fruta).
* Mos konsumoni mish dhe peshk të pa gatuara ose të gatuara pak.
* Mos konsumoni mish dhe peshk që nuk janë të nxehta kur ju serviren.
* Mos konsumoni ushqim prej ambulatorëve të rrugës.
Mund të përdorni ujë në shishe ose çdo gjë të ambalazhuar.
Pavarësisht se për ku udhëtoni dhe sa gjatë do rrini, mjeku mund t'ju japë terapi me antibiotikë për të parandaluar infeksionet e mundshme.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!